BLENDI PETROL
Aktuale

Është e natyrshme t’u duartrokasim golave të Jasirit e Nedimit!

Vlimi i rrjeteve sociale dhe mediave me komente negative ndaj “tradhtarëve” që luajnë për kombëtaren e Shqipërisë, është një këndvështrim me kut të dyfishtë, sepse harrojnë se sa sportistë të huaj i kanë sjellë medalje e suksese nën flamurin e Maqedonisë

Nga Daut DAUTI

Kanë thënë pleqtë e moçëm me urtësi: gjaku nuk bëhet ujë! Kush mendon dikush ndryshe e ka gabim, e edhe më gabim e ka kur i paragjykon shqiptarët që gëzohen çdo goli të Jasir Asanit dhe Nedim Bajramit, nën “bajrakun” e Shqipërisë. Ata janë me origjinë nga Maqedonia, kurse Shqipëria si shtet amë. Ndaj është e paarsyeshme të vlojnë rrjetet sociale e ndonjë media me këtë lloj paragjykimi, ku ka akuzë ndaj atyre që iu gëzuan golave të këtyre futbollistëve me pasaportë të dyfishtë(të Maqedonisë dhe Shqipërisë) dhe rezultateve emocionuese të reprezentacionit kombëtar të Shqipërisë. Çka duhet të bëjnë shqiptarët, t’u gëzohen fitoreve të Serbisë?

Advertisements

Kur e përmenda Serbinë, të shtoj edhe këtë: më e logjikshme është që të gëzohen shqiptarët për ndonjë sukses të Shqipërisë, si vend amë, se sa disa komentues negativë që u gëzohen sukseseve të sportistëve të Serbisë, që nuk e kanë vend amë. (Ndonëse as këtu nuk duhet parë ndonjë problem të madh,flas vetëm për logjikën, sepse gjersa ke shqiptarë që u gëzohen fitoreve të Italisë, Gjermanisë, ndoshta dhe Greqisë,pse të mos ketë maqedonas, ose serbë nga Maqedonia për Gjokoviqin, Jokiqin, Donçiqin… Afërsia gjeografike e fqinjësisë, apo bashkëjetesa e dikurshme gjithsesi i ka lënë disa lidhje emotive.)

Nuk është, pra, problemi te simpatia për dikë, por për kutin e dyfishtë.

Dekadave të fundit sporti i ka shlyer kufijtë nacionalë. S’ka diç më shumë se një muaj që vluan media në gjuhën maqedonase nga komentet negative ndaj zëvendëskryeministrit Artan Grubi, pse ky e pranoi në kabinetin e tij Jasir Asanin,fill pasi dha një gol fantastik për Shqipërinë dhe pse ai e quajti “futbollisti ynë”! Si të mos e quajë ashtu, kur vendlindja e tij është dhjetë kilometra prej qendrës së Shkupit, në Batincë?

Domethënë, ata sportistë që kanë zgjedhur të luajnë për kombëtare tjera, duhet t’i lëçitim, t’i shpallim madje tradhtarë?! Harrojnë se sa medalje në mundje ose boks i kanë sjellë Maqedonisë Mugamedovi e ndonjë tjetër, se brazilianët Oliveira e Braga kanë luajtur për kombëtaren e Maqedonisë, e të mos flasim për Bo Mekejlebin, që ishte “violina”e parë e suksesit të reprezentacionit të basketbollit(vendin e katër) në Kampionatin Evropian,madje duke e shpallë hero kombëtar! Edhe emrin ia ndërruan në Borçe! S’kishte asgjë të keqe, këtu apo jo?

Në këtë kontekst, nuk mund të jenë të mirëseardhur gjithë ata që vijnë për të përforcuar kombëtaret tona në sport, e t’i shpallim tradhtarë ata që shkojnë diku tjetër për motive sportive apo të tjera. Gjithkush është i lirë të zgjedhë rrugëtimin e tij drejt suksesit. Luan e Haxhi Krasniqi janë shqiptarë, por përfaqësues të boksit gjerman! Fitoreve të tyre u gëzohemi edhe ne si shqiptarë, e sidomos në Kosovën e origjinës së tyre. Dy vëllezërit Xhaka u përballën më shumë se një herë në fushën e sportit, njëri duke luajtur për Shqipërinë, tjetri për Zvicrën, anise kosovarë!

Në përgjithësi, reagimet ndaj lojtarëve të futbollit që zgjedhin të luajnë për vende të tjera janë shumë komplekse dhe ndryshojnë në varësi të ndryshimeve të situatës, opinionit publik, dhe kontekstit politik. Ata shpesh shfaqin ndërthurjen e ndjenjave të identitetit kombëtar, lojalitetit të tifozëve, dhe paragjykimeve etnike në botën e sportit.

Fundja, kur jemi te paragjykimet, të mos harrojmë se si për Maqedoninë e lënë zemrën në fushë Bardhi, Ademi, Musliu, Aliovski, Elezi, Alimi…Pa paragjykime të tjera, por kombëtarja e futbollit pasqyron pikërisht Maqedoninë multietnike dhe kohezionin që do të duhej të ishte për një shoqëri si jona. Por kjo nuk u mjafton disa kokave nacionaliste nga tifozeritë e indiktrinuara që gjithë atë mund të sinqertë të këtyre futbollistëve, ta shlyejnë me ndonjë brohoritje të shëmtuar në baza etnike.

Këto që u thanë më lartë i vura në kontekst të palogjikshmërive në shikimin e fenomenit me dy kute. Në anën tjetër, për fat të keq, nuk mund të ikim nga e vërteta se sporti është edhe arenë ku shpesh reflektojnë raportet me ngarkesa historike midis vendeve ose popujve. Në shikim të parë duket e palogjikshme që në Rumani të shfaqen parulla serbomëdha në stadium në ndeshje me Kosovën, sepse çka u hyjnë rumunëve në punë marrëdhëniet serbo-kosovare? Por, ku të dish, ndoshta autorët dhe nuk janë rumunë, por serbë, që e kanë shfrytëzuar momentin të japin mesazh politik në një stadium të shtetit fqinj. (Kjo nuk vlen për ndeshjen Bullgari-Kosovë, ku u shfaqën parulla të ngjashme. Ishte një primitivizëm, që dëshmon se në ç’nivele “rezonimi” mund të bien tifozeritë që duan ta fyejnë kundërshtarin me çdo mjet, edhe kur është tejet e palogjikshme që marrëdhënieve shqiptaro-bullgare, tradicionalisht në nivel aleatësh, t’u futish “mëlmesë” serbe, kur dihet se pikërisht bullgarët kanë mëri historike ndaj serbëve!)

Këto ngjarje dëshmojnë se si ndeshjet sportive mund të përdoren nga disa individë që shfrytëzojnë momentin për të përhapur mesazhe politike ose urrejtje ndaj ndonjë populli.

Për të zgjidhur këtë paradoks, lipset“edukim masash” (të mos tingëllojë si ideologji e dikurshme!) për të kuptuarit të drejtë të sportit, ndonëse kjo duket e pamundur nëse ekzistojnë konteste të hapura siç janë ato në relacionin shqiptaro-serb. Megjithëse, edukimi dhe sensibilizimi ndaj ndryshimeve kulturore dhe etnike mund të ndihmojë në uljen e paragjykimeve dhe tensioneve në stadiume dhe në garimet sportive në përgjithësi.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button