Është koha e Albin Kurtit, është koha e Popullit!

Shqiptarëve ju ka ardhur Ora e Prijësit të mirë dhe festa ka nisur! Në 6 tetor do caktojnë shqiptarët që po bëhen gati si llavë vullkani se janë populli i Faik Konicës, i Fan Nolit, i Naim Frashërit, i Ismail Kadaresë, i Albin Kurtit, i Vetëvendosjes!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Në një nga dramat më të mira politike të kohërave si është “Armiku i Popullit” nga Henrik Ibsen, norvegjezi gjenial do të tregonte fatin e trishtë të njerëzve që e duan të vërtetën dhe të mirën e popullit.

Ky fat i trishtë nuk është vetëm imagjinatë letrare, jeta ka provuar se sidomos në Ballkan është tepër e guximshme dhe thuajse heroike të thuash, mbrosh apo luftosh për të vërtetën. Fati i errët që historia hodhi mbi shqiptarët posaçërisht, bëri që kryesisht të udhëhiqemi nga njerëz që me keqkuptim të madh kanë menduar se të vish në pushtet, bëhesh automatikisht pronar i popullit. Ka qenë dhe është e vështirë që në tokat shqiptare të drejtojnë shtetin njerëz që i kanë konceptet e qarta se si të punojnë që lagjet dhe rrugët të mbushen me fytyra të lumtura, e jo me 30 vjeçarë të plakur para kohe që luten të ikin sa më parë jashtë shtetit.

Kryesisht ndërtesat qeveritare janë banuar nga kinse politikanë të cilët kanë mbajtur pozitën e tyre duke ngrënë paratë e popullit. Kështu sa më shumë rritej pushteti i tyre aq më shumë tkurrej populli, i cili ka jetuar në toka që ja armiku ja politika ka dashur gjithnjë t’ia grabis!

Por gjithsesi, historia ka ditur të na dhurojë njerëz të jashtëzakonshëm që dritën e kanë pas më të fortë se errësira që i ka rrethuar. Sado rrallë e për mall, kemi pasur shtylla të forta që kanë lënë punë të mira prapa. Herë pas here, si një ritual interesant gati meta-fizik kombit i ka ardhur ora e prijësve të mirë.  Dhe padyshim që ora e Albin Kurtit është ora e Prijësit të Mirë! Prej disa vitesh aktivist I të drejtave të popullit në forma të ndryshme ky njeri dhe lëvizja e tij nuk ndryshuan asnjë ditë nga qëndrimi i tyre ndaj korupsionit, krimit qeveritar, mafies politike.StrugaLajm

Albin Kurti është rritur mirë, vlerat flenë në mendjen e këtij burri i cili ka ditur të ketë dinjitet dhe të mbrojë qëndrimin e tij edhe atëherë kur ka qenë përballë gjykatësve serb të Millosheviçit, edhe kur përballë ka pas armë e uniformë, ai ka vazhduar të kërkojë lirimin e Kosovës! Duket se me fitoren e Pavarësisë nga Serbia pronarë të rinj i dolën tokës dardane. Pronarë që sapo merrnin çelsat e qeverisë mendonin se kanë marrë dhe çelësat e njerëzve të Kosovës!

Madje disa prej tyre vinin me gërshërë në brez, duke qenë gati të prenin me duart e tyre ndonjë copë tokë të Kosovës, me alibinë që për të fituar kushtet e një shteti të shëndetshëm, po e gjymtojmë nga pak territorin…absurd apo?! Mirëpo erdhi dita që ai që ka qenë gjithnjë aty për t’a mbrojt me jetën e vet Kosovën bashkë me gjithë ekipin e Vetëvendosjes të kenë mundësi t’a drejtojnë këtë shtet që po e duam kaq shumë!StrugaLajm

Kur themi ekip i Vetëvendosjes, metaforizoj për të thënë se sa të mirë organizuar janë, se sa të qartë e kanë idealin e tyre, por në emër të ndershmërisë metaforike, Vetëvendosja tashmë është një Popull dhe jo vetëm populli i Kosovës por nga Shkup e Shkodra që u bëfshin Tetovë-Shkodër, nga Tirana e Ulqini e deri në Greqi ku thuhet se gjeneralët kur shkojnë për të pirë në lokale deri në orën 12 këndojnë greqisht e më pas vetëm shqip, deri në Amerikë ku ka më shumë dibranë se sa në Dibër, kudo pra ku gjeografia flet e frymon shqip, pra në të gjithë botën shqiptare Lëvizja Vetëvendosja ka ofruar më në fund pasaportën politikë që të gjithë kemi pritur! Shqiptarëve ju ka ardhur Ora e Prijësit të mirë dhe festa ka nisur! Në 6 tetor do caktojnë shqiptarët që po bëhen gati si llavë vullkani se janë populli i Faik Konicës, i Fan Nolit, i Naim Frashërit, i Ismail Kadaresë, i Albin Kurtit, i Vetëvendosjes!

Në 6 tetor do shkojë do votojë nipi që gjyshi 100 vjeçar i ka treguar në kullën e tyre se ka lënë një vëlla në Sarandë, do shkojë do votojë biri jetim se baba i është vrarë në luftë për ajrin e Kosovës e ai nuk mund t’a lejojë tokën në duar matrapazësh ndaj do të votojë Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen!

Do të votojë burri që ka punë, që ka para, por që netëve psherëtin në errësirë se nuk e ka Kosovën, ja morën duke e lënë pa punë dhe pa dinjitet! Do të votojnë të gjithë ata që e duan Amerikën, BE-në dhe çdo shtet apo institucion që e do Kosovën me kokën lart!

Vetëvendosja nuk është më opsion, është zgjidhje! Ftojë madje dhe LDK-në e cila do të ketë gjithë jetën aureolën e Birit të Paqes, Ibrahim Rugovës që patjetër që dheú i është i lehtë, sepse ai burrë e deshi Kosovën mbi çdo ideal tjetër, pra e ftojë dhe këtë parti të bashkëpunojë me Vetëvendosjes, më duket e vetmja e denjë me qenë partner në ç’pronësimin e Kosovës…Kosovës shtetit më të ri shqiptar ndodhur aty prej kur historia ka nis të tregohet!

Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Albin Kurtin dhe çdo njeri që i do shqiptarët, që i do njerëzit, që do gëzimin e tyre!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...