Ezani dhe zhurmaxhinjtë

Sot, shoqërinë tonë e sundojnë zhurmaxhinjtë, gati se në çdo segment të jetës! Më vjen keq ta them se – me gjithë këtë bollëk të informacionit , dhe në cep të Europës – ne jo se nuk shkojmë drejt zhvillimit, ne jemi shndërruar në xhahilistan. Çdo gjë jemi duke e shtrembëruar dhe shpërfytyruar, shkencën, arsimin, politikën, bile edhe fenë

Nga Shaqir ISLAMI

Lexova se Arabia Saudite ka sjell vendim që të rregullohet çështja e ezanit me ligj! Vendi i Haxhit, vendi ku nuk ka prani të feve tjera, paskësh vendosur të sjell rregull për lartësinë dhe mënyrën se si do të thirret ezani! Dhe kjo ndodh në një mbretëri; në Azi dhe në një vend ku demokracia nuk ka kuptim dhe vlerë! Atëherë, allo, çka ndodh me ne? Kush tallet me ne dhe me ezanin si simbol thelbësor të fesë sonë?

Arabia e paskësh rregulluar çështjen e ezanit, ndërsa tek ne, si një vend demokratik dhe europian ndodh tërësisht e kundërta. Ezani buçet sikur të mos kemi komshinj me fe të ndryshme. Mua më shqetëson ky axhamillëk turbo-folk duke e manipuluar simbolin e ezanit për hesape politike të qendrave të caktuara që nuk ia duan të mirën e fesë myslimane dhe të myslimanëve! Kushdo qofshin këta “frymëzues-dashamirë”. Dikush, sikur na shfrytëzon për ta nxitur frikën dhe urrejtjen mes feve dhe fetarëve në Maqedoninë e Veriut. Urrejtja nxitet lehtë kur njëra fe shkakton zhurmë kot dhe e acaron tjetrën. Kam frikë se qendra të caktuara, përmes argatëve të vet synojnë punë të këqija për vendin dhe shoqërinë tonë.

Me zhurmën e pakontrolluar të ezanit, më vjen sikur, dikush punon me këmbëngulje që ta shëmtoje fenë tonë e jo ta paraqes ashtu siç është thelbi i vërtetë e fesë Islame – harmoni, dashuri dhe paqe. Meqë, ezani është një ftesë e harmonishme dhe e këndshme për t’iu lutur Zotit, dhe jo zhurmë. Zoti nuk na e ka zbritur ezanin që t’i ofendojë, t’i frikësojë, t’i zemërojë dhe t’i acarojë besimtarët tjerë. Jo, Jo! Simboli i ezanit duhet të përhap simpati dhe paqe mes njerëzve, komshinjve, dhe jo të përhap frikën, urrejtjen dhe mërinë!

Ne nuk jemi Arabi, jemi një shoqëri shumë etnike dhe shumë fetare – këmbëkryq ulur mes Europës! Dhe çdo njëri nga ne duhet të mbajë hesap për komshinjtë krishterë dhe të tjerë; dhe për nevojat dhe kulturën e tyre. Edhe ezani – simbol thelbësor i fesë myslimane – ka një masë, se deri ku është ezan dhe si shndërrohet në një mjet politik. Askush nuk guxon të tallet me të dhe ta përdorë për ta përçarë shoqërinë tonë dhe ta shkatërrojë kohezionin social.StrugaLajm

Prandaj, besimtarët islamë e kanë institucionin që ka për detyrë të rregullojë marrëdhëniet fetare dhe shpirtërore në shoqërinë tonë; BFI është autoriteti që duhet të tregojë urtësinë dhe bukurinë e fesë Islame, me në krye të Reis Ul-Ulamanë si prijësin shpirtërorë të besimtarëve myslimanë dhe njëkohësisht njërin ndër autoritetet e lartë në shoqërinë tonë. Reis i nderuar, hajde puno dhe na e kthe ezanin drejt Këbles.

Shqetësimi im është se, në vendin tonë dikush me dashje apo pa dashje është duke e shëmtuar fenë tonë dhe duke e keqpërdorur këtë simbol të fesë myslimane.StrugaLajm

Në vendin tonë, ashiqare duket se nuk ka rend! Zhurma që buçet me ezanin, ta len përshtypjen se i shërben dikujt si mjet politik, e jo si ftesë e këndshme për namaz!

Siç na flet historia, gjithmonë zhurmaxhinjtë i kanë sjell njerëzimit zullume dhe gjëma të mëdha. E njëjta ka ndodhur edhe me fetë. Dhe feja nuk është zhurmë, është urtësi dhe paqe. Feja është harmoni për trupin dhe shpirtin. Çdo fe vepron me rregulla dhe parime të njëjta; ato krijojnë harmoninë fizike dhe shpirtërore dhe i përcaktojnë mënyrën e komunikimit dhe të sjelljes së njerëzve në shoqëri. Feja, nga bashibozuku dhe sallamadia krijon rend, harmoni, bukuri dhe mirëqenie. Kaq thjeshtë dhe bukur janë këto gjëra!

Sot, shoqërinë tonë e sundojnë zhurmaxhinjtë, gati se në çdo segment të jetës! Më vjen keq ta them se – me gjithë këtë bollëk të informacionit , dhe në cep të Europës – ne jo se nuk shkojmë drejt zhvillimit, ne jemi shndërruar në xhahilistan. Çdo gjë jemi duke e shtrembëruar dhe shpërfytyruar, shkencën, arsimin, politikën, bile edhe fenë. Shoqërinë tonë – tashmë një kohë të gjatë – e sundojnë zhurmaxhinjtë ‘turbo-folk’, dhe në vend të harmonisë shkaktojnë potere dhe zhurmë të kotë. Këta bojaxhi politikë, çdo do gjë e kanë bojadisë dhe shëmtuar, bile me këmbëngulje përpiqen të shëmtojnë edhe fenë tonë! Ja sa larg janë duke shkuar dhe ende e shfrytëzojnë heshtjen dhe urtësinë e shumicës së njerëzve esnafë dhe sojli. Këta sojsëza dhe tyxhar të hesapeve të huaja jo-vlerat na i shesin në pazar si vlera, dhe e kundërta! Me kabadahillëk dhe banditllëk ushtrojnë dhunë psikike ndaj gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi.

Prandaj, prijësi i besimtarëve myslimanë duhet të vejë rend dhe rregull dhe t’ia kthejë harmoninë dhe melodinë e ezanit, dhe jo thjeshtë të shërbejë si zhurmë për t’i ushqyer nacionalizmat etnik dhe fetarë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...