Faleminderit, por sot nuk dua lule!

Mira Tuci
Në vend të luleve, darkave majë takave, festave të çmendura apo të aktruara, urimeve boshe në rrugë, zyrë apo rrjetet sociale mendimi im shkon për nënën time e cila pasi ka punuar gjithë jetën dhe ka rritur 6 fëmijë shteti shqiptar i nxjerr njē pension prej 7 mijë lekësh të reja. Dhembja ime shkon për të gjitha gratë që punojnë si skllave nëpër fasoneri e mbajnë familjet me kacidhe shoqëruar me sëmundje që askush nuk ua rimburson ilaçet. Ndërmend më vijnë gjitha gratë dhe vajzat që mbajnë familjet edhe pse paguhen sa gjysma e burrave për të njëjtat punë. Gratë që qëndrojnë në këmbë edhe pse shoqëria dhe sistemi u jep goditje nga të gjitha anët e ato me dinjitet ngrihen edhe pas rrëzimit. Më pushtojnë mendjen gratë e shkëlqyera, të mençura, plot talent dhe shpirtgjera që kam njohur dhe nuk janë atje ku meritojnë sepse kjo jona është një botë e vogël që drejtohet nga burra që nuk ta falin suksesin, inteligjencën, pavarësinë. Gratë që japin dashuri e marrin veç goditje nga ego të sëmura mashkullore që tek shoqja e jetës shohin zëvendsimin e shërbëtores nënë apo motër me gruan. Mendoj për qytetin e ndërtuar nga meshkujt për meshkujt me makina të fortësh kur shoh nëna që bëjnë akrobacira tek shtyjnë karrocat me fëmijë në trotuaret e munguara. Shpresoj në gratë që mbështesin gratë jo pse janë të bukura, të modës apo sepse zotërojnë çanta Hermes por sepse janë të zonjat me mendje brilante dhe shpirt të dielltë. Gratë shqiptare nuk kanë nevojë për llastime perëndimore as për ndëshkime lindore veç ndonjëherë ndaluni e mendoni sa e pangjyrë do të ishte jeta juaj pa to dhe deklarojeni me zë të lartë se sa të jashtëzakonshme janë ato që durojnë kaq shumë e mburren kaq pak.
Faleminderit sot nuk dua lule (as reale as virtuale) por dua të ndjehem një shpirt i denjë para Krijuesit po aq sa çdo qenie tjetër njerëzoreStrugaLajm

StrugaLajm

Loading...
loading...