Familja shembullore shqiptare që po i bën krenarë shqiptarët në Zvicër

Është mbresëlënëse historia e familjes Shaqiri që nga fundi i dekadës së nëntë të shekullit të kaluar u vendos në Bernë të Zvicrës. Prindi familjar, Agim Shaqiri, po i vijonte studimet në Fakultetin Ekonomik në Shkup diku nga viti 1984, kur vendosi të shkojë për punë në Zvicër, për një periudhë ta shkurtër, sa për t`i financuar studimet e mbetura. Edhe një provim i rëndë i kishte mbetur në vitin e tretë dhe ai i mori librat me vete që gjatë kohës së lirë të mund të mësonte. “Mirëpo as që i preka”, fillon rrëfimin e tij Agimi, aktualisht një burrë rreth të gjashtëdhjetave. “U mahnita me punën që po bëja në Zvicër, gjeta miq të mirë dhe koha kalonte pa mëshirë. Tre vite tëra punova në një kantier ndërtimi si stinor dhe në fund, vazhdimi i kontratës dështoi”, vazhdon ai për Shtegu.com. Mirëpo kjo nuk e mërziti shumë Agimin, pasi ishte i vendosur që të përfundojë arsimin e lartë.

“E luta vëllain që të më ndihmojë të frymëzohem për të dhënë këtë provim të rëndë. Ishte shumë inteligjent i ndjeri dhe e përdori një taktikë të përsosur, më tha: `Mëso pak si mirë, e mandej do ta gjejmë ndonjë intervenim dhe do ta rregullojmë këtë çështje`. Nuk isha në gjendje ta kuptoja se ai më inspiroi për të mësuar aq shumë, sa që në fund e dhashë provimin falë këshillës së tij, pasi mësova pa ndonjë presion dhe gjithçka më dukej e lehtë”.

Në këtë mënyrë, Agimi përfundoi Fakultetin Ekonomik në Shkup dhe po në këtë periudhë e gjeti edhe pjesën tjetër të jetës së tij, Syzana Bojkun, vajza e poetit të madh shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Fejzi Bojkut. Një çift i mrekullueshëm bashkëshortor nga dy familje të njohura intelektuale të Shkupit. Agimi nuk e kishte problem të gjente ndonjë punë të mirë me shkallën e arsimit, ndërsa edhe Syzana punonte në arsimimin e gjenerateve të reja në një shkollë fillore të Nerezit në Shkup. Pra, ekzistonin kushte që ata të bënin një jetë magjepse në vendlindje.

Mirëpo, Agimit i kishte mbetur ëmbël puna në Zvicër dhe ai vendosi që jetën ta vazhdonte në vendin e Alpeve zvicerane. Dhe aspak nuk gaboi, pasi do ta përjetonte një befasi të rrallë që ia përgatitën tre fëmijët e tij, Elmazja, Bardha dhe Arditi. E kujt do t`i ngjanin ata nëse jo prindërve ?! Të etur për arsim dhe për sfida të shumta të jetës, Elmazja përfundon Fakultetin e Mjekësisë në Bernë dhe tani është në rrugë të mbarë të bëhet kryemjeke në moshën e saj 29-vjeçare. Padyshim, një arritje e rrallë nga mërgata shqiptare që me krenari është bërë ambasadorja më e mirë e shqiptarëve në Zvicër. Por. ajo nuk dëshiron të ekspozohet shumë në opinion, pasi synimi i saj është që të kontribuojë sa më shumë në aspektin humanitar. Le të flasin veprat e saj për të, e ato janë të shumta.StrugaLajm

Bardha magjistroi në Fakultetin e Drejtësisë, gjithashtu në Bernë dhe tani është në një komision europian për disa çështje juridike. Arditi është këmbëngulës që edhe ai të shkojë gjurmëve të Elmazes në mjekësi dhe të gjitha notat gjatë studimeve i ka të shkëlqyeshme. Ky ishte veprimi më i mirë i mundur që e bëri Agimi, duke pasur parasysh peripecitë e arsimimit të të rinjve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa në Zvicër, fëmijët e tij po i bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët. Ju lumtë. (shtegu.com)

In : Aktuale

Loading...
loading...