FILOZOFIA E MJERË SHQIPTARE: MË MIRË PAK SE ASPAK

Shkëlzen Halimi

Dyshimi permanent ndaj shqiptarëve ishte një lloj lajtmotivi që përshkonte tërë administratën shtetërore dhe të gjitha nivelet ku, sa për sy e faqe, ishin të përfaqësuar shqiptarët. Dyshimi ndaj shqiptarëve ishte (dhe është) një kod i pazbërthyeshëm, edhe atë me vetë fajin e shqiptarëve, sepse asnjëherë nuk ishte shtruar si problem, si diçka që duhet trajtuar në formën: “ose do të jetë kështu ose ndryshe s’bën”. Kjo, gjithsesi kishte të bëjë me filozofinë e mjerë: më mirë pak se aspak. Në të vërtetë, në atë kënaqësi me pak, askush nuk e çante kokën për marrjen e rolit të figurantit. Çdo kritikë në adresë të pushtetit, pasohej me një kundërkritikë bombarduese që i jepte forcë mbajtjes vertikalisht efektit dehës. Argumenti i qëndrueshëm dhe i justifikueshëm nuk kishte vlerë, sepse ndaj një kritike të argumentuar sajoheshin dhjetëra kundër-argumente me elemente që ndërlidheshin me fatin e popullit.
Ndaj çdo alternative apo ndaj çdo mendimi ndryshe, do të aktivizohen larot që ua “huazonin” penat atyre që pritnin radhë për t’u faktorizuar nëpër mediume të ndryshme. Mjaftonte t’i thureshin lavde shefit, prapa të cilit zakonisht fshiheshin të gjitha dështimet. Në fakt, alternativa dhe mendimi ndryshe, do të imponojë nevojën e sajimit të komploteve, në të cilat do të involvohen shërbime te ndryshme sekrete. Subjektet në pushtet, si bartës të flamujve të atyre komploteve, me këtë qartë tregonin se frika nga ndryshimi dhe partitë e reja, tashmë ishte bërë reale, ndaj dhe duhej përgatitur një atmosferë që do ta zbehte shpresën për ndryshimin që pritej në heshtje.StrugaLajm

(karikatura: Agim Sulaj)StrugaLajm


Loading...
loading...