
Lebit Murtishi
Përtej makinacioneve legale dhe ilegale, të cilat marrin hov (edhe pse janë gjithmonë aktive) gjatë fushatave parazgjedhore dhe zgjedhore, siç është: propaganda, premtimi, kërcënimi, shantazhi, korrupsioni etj, etj, ,,elita politike” e një populli, e krijuar në këto dhe nga këto rrethana historike, megjithatë, është një produkt (shkencërisht i përkohshëm) i shumicës absolute të popullit që i përket…Këto janë rregulla të shkruara dhe të pashkruara, këto janë rrugët dhe principet e vetme të lejueshme dhe të imponueshme nga iks faktorë, për të krijuar ,,elitat përfaqësuese” në sistemet e demokracive liberale. Pra, për fatin dhe për të ardhmen e një populli, vendosin ,,numrat shumicë” dhe jo cilësia e numrave…Këtu e ka gjenezën edhe fjala e urtë (e meritueshme ose jo): ,, Frytin e farës që mbjellim sot – do ta korrim nesër”! Por, gjithë kjo histori e hidhur, gjithë ky rreth vicioz që na ngujon në të njëjtën pikë, duhet theksuar se i ka rrënjët, në radhë të parë tek rruga e historisë së vet dhe në radhë të dytë, tek niveli i pamjaftueshëm i arsimimit të popullit tonë; nivel ky, që gjithashtu është i diktuar dhe i ,,ushqyer” nga historia e njëjtë…
2.
Njeriun, qoftë si individum i veçantë, qoftë si pjesëtar të një tërësie kolektive, në rrethana të caktuara historike, varfëria dhe padituria – edhe mund ta bëjnë gjah të përkohshëm të propagandave agresive. Por duke u sjellë në pikën e njëjtë, duke u zhgënjyer pafundësisht, vet natyra e tij njerëzore, kërkuese vazhdimisht, në brendësi të tij mbjell farën e revoltës, ndez shkëndijat e çlirimit, që si kurorë, padyshim kanë revolucionet…