Gjyqësori t’i dalë hakut Ziadin Selës

Bishat e egra që deshën vdekjen e Ziadin Selës duhet përgjigjur gjithsesi. Dhe jo vetëm ata pesë apo gjashtë që tërhiqnin zvarrë e të gjakosur Selën nëpër korridoret e Parlamentit…

Vedat MEMEDALIU

Marrja e imunitetit të deputetëve, të cilët më 27 prill të këtij viti dhunshëm i hapën dyert e Parlamentit për huliganët maqedonas – nuk është asgjë tjetër pos një hap drejt stabilizimit dhe kthimit të drejtësisë në vend. Dhe tani kur Mukovski, Tarçullovski, Arnaudov dhe kolegët e tyre rrezikohen deri në 10 vite burg – shumica qeveria, e ashtuquajtur tashmë “reformatore” – duhet të vazhdojë të shfrytëzojë disponimin e qytetarëve për ndryshime thelbësore në sistemin policor dhe atë të drejtësisë.

E para që duhet të bëjë, pas caktimit të paraburgimeve të para dhe marrjes së imunitetit të deputetëve të VMRO-së, është thirrja drejtuar “gjykatësve svarovski” për gjykim të drejtë – gjithmonë në pajtime me Kodin penal të vendit dhe nenet me të cilët të akuzuarit ngarkohen. Arsyetimet se “ne nuk i përzihemi drejtësisë”, tanimë nuk kanë vend. Sepse, kështu si deri më tani, duke “mos u përzier”, Idrizova dhe Shutka u mbushën me shqiptarë të pafajshëm!

Asnjë gjykatësi as ndërmend nuk duhet t’i shkojë që të akuzuarit për “terrorizëm” t’i dënojë me dënime minimale. Bishat e egra që deshën vdekjen e Ziadin Selës duhet përgjigjur gjithsesi. Dhe jo vetëm ata pesë apo gjashtë që tërhiqnin zvarrë e të gjakosur Selën nëpër korridoret e Parlamentit.StrugaLajm

Për “terrorizëm” do të duhet të përgjigjen edhe organizatorët kryesor të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”. Për atë Maqedoni, të cilët plot 60 ditë protestuan kundër gjuhës shqipe, kundër “kletite shiptari”. Për ata që thirrnin popullin të futet në Parlament. Për tenorin Igor Durllovski, që vetëm artist nuk mund të jetë. Për aktorin Vllado Jovanovski, nacionalistin që donte një Maqedoni të pastër etnike. Për Betmenin, një “djalosh kastravec” që mendonte se historia e Maqedonisë fillon dhe mbaron me atë. Për ish-ministrin Çavkov, i cili vetëm ministër nuk ishte. Të dënohet edhe krimineli i Kumanovës, Igor Jug, huligani që me pistoletë në brez futet në Parlament, ashtu sikurse kryetari i lëvizjes nacionaliste “Qoseto” nga Velesi. Të dënohet edhe Boris Damovski, aktivisti pro-rus dhe i binduri i VMRO-së. Të arrestohet dhe dënohet edhe Filip Petrovski, ish-drejtori i Arkivit të Maqedonisë. Në mos më shumë, ai lavdëronte “branitellat” e shtetit të Maqedonisë vmroiste.

Nëse Qeveria e re e ka vendosur sinqerisht të ballafaqohet me të kaluarën kriminele të të akuzuarve dhe të jap shembull që 27 prilli asnjëherë nuk do të përsëritet, atëherë 36 personat që sot janë në burg e disa në liri, duhet të dënohen maksimalisht. Jo vetëm deputetët u rrahën, por u sulmua edhe thelbi i demokracisë në vend – Parlamenti. Në NATO dhe BE, argumenti më i fortë për anëtarësim është një pushtet dhe shoqëri e pastër pa korrupsion dhe kriminalitet. Nëse tolerohet kësaj radhe, shans të dytë nuk do të ketë. 27 prilli do përsëritet secilin vit dhe e kaluara do të vazhdojë të na mbajë peng. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...