“Goditje të ulëta”,“teori konspirative” e “lojë spiunësh”
Përse “loja e spiunëve” i tërhiqte partitë? Ndoshta për shkak të indoktrinimit të skajshëm të anëtarësisë së vet me tradhtarë, tradhti…, të cilave u nevojitej vetëm edhe një element: akuza për bashkëpunim me shërbimet, si një “rrjedhojë logjike. Nuk mund të përjashtohet në mënyrë absolute që në realitet dhe mund të ketë ndonjë që edhe të jetë përfshirë në rrjetin e shërbimeve apo shema konspirative, por aq shumë tradhtarë e spiunë në skenën politike shqiptare, pa ndonjë dëshmi, nuk është e shëndetshme, apo jo!?
Nga Daut DAUTI
Shpesh gazetarët janë të dëshpëruar dhe frustruar kur duhet të trajtojnë tema “bajate”. A s’është bajate ndonjë temë e cila si një bukë me afat të skaduar vjen e përsëritet saherë që t’i kujtohet dikujt? Ndër ato tema të cilat, pavarësisht nëse janë të palezetshme ose jo, që e ngarkojnë ambientin politik, janë teoritë e konspiracionit dhe loja e spiunëve në politikë. Zaevi është njeri i Amerikës, Gruevski është i Rusisë, Hashimi është i Francës dhe i Beogradit, Rama i Erdoganit…Alia “me tapi” i…Populli thotë “ku ka tym, nuk është pa gjë”(dikush më drejtpërdrejtë e kupton versionin serb të kësaj thënie: “gde ima dima, ima i vatre”…), prandaj dhe ngopet me këso rrëfimesh sepse “edhe sikur pak të ketë të vërtetë nga ajo që flitet, mjafton…”.
TEZAT QË I HA PAZARI…
Kur kujton se këto gjëra humbin intensitet dhe nuk ka kush t’i përfolë, të rishfaqet dikush në publik, siç bëri para pak kohësh një personazh shumë i përfolur ndër vite, lider i një armate e cila kërcënohej gjithandej, nga Kosova e gjer në Maqedoni, madje duke ua shtuar shpresat shumë shqiptarëve të dëshpëruar se pikërisht kjo armatë do ta bënte bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. U përfol ndërkohë për krijimin edhe të një subjekti të ri, në kohën kur shqiptarët e Maqedonisë s’dinë ku t’i çojnë jo pak subjektet që i kanë tash, dhe na u paraqit me një “bombë”, siç preferojnë t’i quajnë portalet deklaratat e mëdha e të pamatura. Ai na paska “dëshmi” se si Branko Cërvenkovski dhe Ali Ahmeti na e paskan kurdisur konfliktin e 2001-shës! Pra, hiq më pak e hiq më shumë, drejtoi gishtin ndaj liderit të BDI-së dhe ish-komandantit të UÇK-së. Logjikisht i bie që këta dy të kenë qenë në do lëvizje të mëhershme që i organizuan rezistencat në Kosovë dhe Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, por kjo nuk i pengoi që ta hedhë në ajër “bombë”.
Do të thoshim mungesë invence, sepse asgjë e re s’ka thënë që s‘është thënë, por dhe një naivitet për dikë që pretendon se merret me çështjet e mëdha të kombit. E para, s’ka asgjë inventive, sepse ka një dekadë e gjysmë pas konfliktit që e dëgjojmë ta thotë dikush se lufta e vitit 2001 është e “finguar”, por këtë më së shumti e kemi dëgjuar nga qarqet nacionaliste maqedonase dhe çudit se si një veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare u gjet në një pikë bashkë me ta! E dyta, naiviteti, shkon me besimin se me këso tezash mund ta kthejë vëmendjen e publikut i, cili tashmë është ngopur me teori konspiracionesh dhe nuk i bëjnë më përshtypje. Në këtë kontekst më e palogjikshmja është se duke dashur që të përbaltin dikë me qëllim që të ngrisin vetveten, ata harrojnë faktin se kështu devalvojnë ato vlera në emër të së cilave flasin, devalvojnë edhe ato lëvizje historike të cilat kishin për qëllim realizimin e synimeve historike të shqiptarëve. Por, siç shihet, shumëkush nuk denjon që këtë lloj akuzash ta vë në shërbim të qëllimit, për të kompensuar mungesën e ideve apo vizionit por dhe të potencës politike. Dhe kur nuk kanë se çka të ofrojnë të re, e kanë formulën “profitabile”: sulmet ndaj atyre që duan t’ua zënë vendin me “mëlmesën” që sipas tyre e ha pazari, me teori konspiracioni. Cak i këtij lloji të sulmeve BDI-ja dhe lideri i saj kanë qenë që nga themelimi, dhe për çudi, përgjigja të shpeshtën ka qenë befasuese: BDI-ja dhe lideri i saj zgjodhën një rrugë tjetër, atë të “predikimit” të platformës së vet politike, pa u marrë me kritikuesit. Rezultati i këtyre dy strategjive dihet: “sulmuesit” ishin dhe kanë mbetur në opozitë, “predikuesit” janë sot e kësaj dite në pushtet.
Nuk dua që lexuesit të krijojnë percepcion të gabuar se nuk duhet të dikush të kritikohen për dështimet politike. E kam fjalën për atë lloj sulmesh ku përdoren sajesa të cilat s’kanë lidhje me ushtrimin e pushtetit ose veprimtarinë politike. Shpesh shkelen edhe normat e etikës, prishen miqësi shumëvjeçare vetëm e vetëm të nxijnë atë që u pengon për të arritur ndonjë objektiv… Ju kujtohet para nja 10-12 vitesh kur lindi një subjekt i ri politik të cilit sot ia kemi harruar emrin? Në krye të tij ishte një bashkëveprimtar i Ali Ahmetit. Në vend se ai të ishte në partinë e shokut të të gjitha lëvizjeve, që do të ishte e logjikshme, ai bëri subjekt të vetin dhe u rreshtuar në koalicion me partinë e vetme serioze oponente të BDI-së, PDSH-në. Çka nuk tha për shokun e vet, dhe me këtë mision të kryer, si shpërblim pati hyrjen në qeveri, por kur plasi sherri, u flak si një limon i shtrydhur. Përpjekjet tjera për t’u rimëkëmbur asnjëherë nuk patën sukses, ai u defaktorizua pasi kreu “misionin”. Mbeti sot e kësaj dite përshtypja e shëmtuar që la një veprimtar që u kyç në politikë duke përbaltur ish bashkëveprimtarë të tij, dhe u shfrytëzua si një mashë që dikush tjetër të mos i djegë vetë duart.
“SPINUNËT” SI IMERI, ARBËRI, HASHIMI, ALIA…
Në këtë përbaltje të oponentëve politikë, mënyra më e parapëlqyer ka qenë goditja nëpërmjet teorive të konspiracioni dhe fakteve shpesh të sajuara për bashkëpunim të akëcilit me shërbimet sekrete. Edhe historia e përçarjeve ndër shqiptarët lindi me këtë diskurs, kur udhëheqësinë e PPD-së, duke përfshirë edhe Nevzat Halilin, të cilit askush nuk mund t’ia mohojë bagazhin patriotik, ATSH-ja dhe TVSH-ja i shpallën tradhtarë dhe puthadorë. Ndoshta skenën politike të shqiptarëve në ato vite(fillimi i 90-tave) i nevojitej një dinamikë tjetër, denigrimi i personalitetit me sajesa ishte e dëmshme edhe në periudhën pasi përçarja rezultoi me dy subjekte të forta(PPD dhe PPDSH). Një lideri tjetër të PPD-së, Imer Imerit, vite më pas, disa media të Shqipërisë, me ndihmën e subjektit oponent, ia nxori në shtyp dokumente “bashkëpunimi” me ish shërbimet sekrete, edhe pse gëzonte reputacionin e një patrioti dhe kishte qenë i persekutuar. Përgjigja e PPD-së ka qenë me kundërakuzat që asnjëherë nuk janë dëshmuar, por që shumëkush ende u beson, se pikërisht dyshja Xhaferi-Thaçi janë të instrumentalizuar nga shërbimet për të përçarë shqiptarë dhe dobësuar forcën tyre politike. Edhe sot e kësaj dite ka të tillë që janë “të sigurt” në këtë dhe kohë pas kohe, do të botohet ndonjë tekst kundër Arbër Xhaferit, si “njeri i Beogradit”, madje duke i veshur edhe akuza makabre(edhe një teori konspiracioni!) si ajo për vrasjen e Fehmi Aganit në vitin 1999!
Përse “loja e spiunëve” i tërhiqte partitë? Ndoshta për shkak të indoktrinimit të skajshëm të anëtarësisë së vet me tradhtarë e tradhti…, të cilave u nevojitej vetëm edhe një element: akuza për bashkëpunim me shërbimet, si një “rrjedhojë logjike”. Përherë do të gjenden njerëz që lehtësisht do të kapen në këtë grep. Në kohën kur isha anëtar i Komisionit të lustracionit, “valëvitja” me dokumente të shërbimeve u rrishfaq, tash për ata që kishin udhëhequr një rezistencë luftarake në vitin 2001 dhe që ishin tash në pushtet, prej nga “ndryshe” nuk mund t’i hiqte nga pushteti ose t’ua rrënojë imazhin me ballafaqim “normal” pluralist në skenën politike. Rashomonia e atyre dokumenteve nuk përkonte me asnjë logjikë të shëndoshë, sepse nuk ka përgjigje si është e mundur që dikush të ketë qenë “bashkëpunëtor i shërbimeve të Beogradit” dhe njëkohësisht të ketë organizuar luftën në Kosovë(pra kundër Beogradit) dhe ta pavarësojë Kosovën, të çojë popullin në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni të detyrojë një shtet për një marrëveshje politike…E njëjta gjë u ndodh sot edhe udhëheqësve kosovarë, të cilët ndoshta kanë dështime në paqe, por të kenë qenë bashkëpunëtorë të Beogradit dhe t’ia kenë shkëputur Kosovën Serbisë, janë gjëra që nuk shkojnë bashkë, apo jo? Por, duke mos gjetur kauza të mjaftueshme kundër oponentëve, partitë dhe mediat shpesh “rrëfimet e spiunëve” i përdorin si një formulë magjike për t’i rënduar kundërshtarët e tyre më shumë se me çdo akuzë tjetër. Ata që u besojnë këtyre sajesave, e kanë vështirë të gjejnë përgjigje në pyetjet: si mundet të rrjedhin këso dokumentesh nga shërbimet e Beogradit dhe të bien në duart e medias ose partive shqiptare dhe e dyta, a mund t’u besohet qarqeve që i prezantojnë medialisht ato, si bie fjala, rrëfimet e ush-UDB-ashëve dhe aventurieristëve si Xhejms Bonda, në emisionet e Vasko Evtovit(Bozhidar Spasiqi, Jugosllav Petrushiq…). Këndej shqiptarë e urrejnë Evtovin për diskursin manipulativ dhe urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve, ndërkaq u besojnë rrëfimeve që prezanton ndonjë ish-UDB-ash, kur prej aeroplani shihet prapavija për të krijuar konfuzione te opinioni publik.
Nuk mund të përjashtohet në mënyrë absolute që në realitet dhe mund të ketë ndonjë që edhe të jetë përfshirë në rrjetin e shërbimeve apo shema konspirative, por aq shumë tradhtarë e spiunë në skenën politike shqiptare, pa ndonjë dëshmi, nuk është e shëndetshme, apo jo!? Ndërkaq ai që mund t’i ketë dëshmitë për një lloj përfshirjeje të këtillë, mund të jetë edhe më i afërt me ato struktura!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)