GRAMENO, njeriu i pushkës e penës për Shqipëri!

Anisa DEMIRAJ
Çerçiz Topulli ka qenë një nga ata luftëtarë që pas vetes mbante jo vetëm më trimat, por edhe njerëz të zgjuar, të pushkës e të penës. Krahu i djathtë i tij ishte atdhetari i flaktë, ai solli në shkrimet e tij mbresa të drejtpërdrejta nga lufta e popullit tonë për pavarësi, Mihal Grameno. Grameno lindi në Korçë më 1871, në një familje me ndjenja atdhetare. Në vendlindje mori edhe mësimet e para. Ende i vogël, për nevoja ekonomike iku në emigrim dhe u stabilizua në Rumani. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë “Drita”. Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Më 1907 ishte anëtar i çetës së Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Xhonturqit e burgosën disa herë. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë. Pas këtij viti mbrojti me forcë shtetin shqiptar. Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, ku bëri punë të palodhur në lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924, si publicist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Veprimtaria letrare e Gramenos kap një çerek shekulli (1900-1925). Mihal Gramenoja është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para shqiptare. Ai shkroi novelat “Oxhaku” (1909) dhe po atë vit “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”. Tek “Oxhaku” dhe “E puthura” trajton çështjen e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish në jetë. “Varri i pagëzimit” paraqet luftën e pamëshirshme që bëri kleri reaksionar grek kundër mësimit të gjuhës shqipe. Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Libri me kujtime “Kryengritja shqiptare” (1925) zë vend të veçantë në krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën e parë flet për çetat kryengritëse, për luftimet dhe punën propaganduese të çetës së Çerçiz Topullit, bën portrete të qëlluara luftëtarësh e njerëzish të thjeshtë të popullit. Në prozën e Gramenos nuk mungojnë edhe pjesë me nivel të kënaqshëm artistik, përshkrime dhe dialogje të gjalla.
Komedia “Mallkimi i gjuhës shqipe” trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te “Vdekja e Pirros” trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. Stili plot thjeshtësi dhe ndjenjë njëkohësisht i Gramenos, admirohet edhe sot prej lexuesit. Tregimi i ngjarjeve, pajisja e pjesës me detaje interesante, si dhe përshkrime, i japin një farë vlere artistike krijimit të Gramenos, një shije që të bën të mendosh e të lexosh midis rreshtash. Një nga vjershat, që u bë dhe këngë, që do të mbahet mend gjithmonë është:
Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
vraponi burra se s’ka me prit
Të vdesim sot ne, me Besa Besë
pranë flamurit të kuq q’u ngrit
Pranë flamurit, pranë flamurit
me shpatë te çveshur shqipëtarisht
Për dhen’e babës edhe të burrit
kemi me vdekur sot burrërisht
Të gjithë ne o djema të japim dorënë
se neve jemi shokë me besë e dashuri
Të gjithë ne o shokë të japim fjalënë
për të mjerën mëmën tonë, të bëjmë mirësi
Se fjala jonë është liri për Shqipëri
at’herë flamuri ynë shkëlqen për bukuri
Eja mblidhuni këtu këtu
bashkë me ne !