Injoranca e blerë

Arben Taravari

Dihet që nga një krimet më të mëdha që mund t’i bëhet një shoqërie, është ta lësh të paarsimuar.

Është mbresëlënëse ajo çfarë na tregon historia. Do të udhëtojmë pak në të për të kuptuar disa fakte shumë të rëndësishme që na tregojnë se sa e rëndësishme është dija dhe përhapja e saj.

Kështu në Kinën e largët dhe rreth vitit të largët 105 një njeri i panjohur thuajse për auditoret e shkollave tona, i quajtur Çaj Lun, do të shpikte Letrën! Modelet e para të saj ai do t’ia paraqiste perandorit kinez Xo Ti.StrugaLajm

Para këtij zbulimi qytetërimi kinez ishte mjaft i prapambetur në krahasim me atë Perendimor, mirëpo pas shpikjes së letrës kinezët jo vetëm i arritën por edhe i kaluan perendimorët. Pse ndodhte kjo? Sepse në Evropën Perendimore ende nuk kishte hyrë shpikja e letrës. Librat që janë baza e dijes, ishin më të vështirë si për t’u prodhuar ashtu edhe për t’u gjetur, kurse në Kinë tradita e shkollimit kishte hyrë në ditët e saj më të mira. Pra me sy të thjeshtë:

Kina kishte më shumë shkollë, Evropa jo!
Kjo bëri që Kina të ishte për disa shekuj me radhë shumë e zhvilluar se sa Evropa. Kjo e fundit do të bënte hapa gjigandë drejt zhvillimit kur gjermani mendjendrituri Johan Gutenberg do të shpikte shtypshkronjën dhe kështu do të mundësonte kopjimin masiv të librave.
Pra, duket qartë se gara e zhvillimit midis qytetërimeve dominohej vetëm nga dija dhe përhapja e saj, ose ndryshe thënë shkolla.
Tani pas kësaj ndalese në shekuj le të kthehemi prapë në shekullin tonë, dhe në vendin tonë.StrugaLajm

Maqedonia është një vend me varfëri të lartë, papunësi të lartë, korupsion të lartë dhe çuditërisht me arsimim “të lartë”. Është jashtë formulës së zhvillimit që njê vend me njerëz të arsimuar të jetë një vend i prapambetur dhe i pazhvilluar. Por le të shikojmë më detajisht çështjen e arsimit. Jo para shumë vitesh, të arrije të shkolloheshe deri dhe me fakultet ishte një arritje që përveçse se të jepte dije dhe kulturë, të bënte që të tjerët të të shihnin me respekt. Për fat të keq shqiptarëve u ishte mohuar kjo e drejtë kryesisht pasi vendi vuante nga regjime shoviniste të cilët kishin zgjedhur shqiptarët si objekt sulmi për të mbajtur pushtetin e tyre. Por le të themi se me kalimin e viteve dhe sidomos me hapjen e universiteteve private, shkolla u kthye një mundësi për të gjithë…pothuajse për të gjithë! Pse e them këtë? Sepse tashmë nëse në universitetet shtetërore po binte racizmi tek universitetet private filloi të lulëzonte një kusht i ri- Paraja!

Duhet të paguje që të kishe shkollë. Dhe këtu nisi një nga kreditë më të dhimbshme në historinê e këtij vendi: kredia për shkollë.
Prindërit, sidomos ata shqiptarë i donin fëmijët me çdo kusht në shkollë, dhe kjo ishte mëse e kuptueshme sepse atyre i ishte mohuar kjo e drejtë fatkeqsisht me dhunë. Dikush me para kurbeti, dikush me borxh e shumë me pak me lehtësi, nisën të paguanin shkollimin e fëmijve të tyre në shkollat private. Kurse në kampin shtetëror nisi një venitje, një lloj zbehje, që duket se pushteti nuk e mori kurrë seriozisht.
Suma sumarum gjendja është kjo:
Shkollimi në këtë vend është kthyer në shumicën e rasteve në Çështje Diplome. Me këtë dua të them se punësimet partiake kanë bërë që t’i bjerë rëndësia diturisë. Ajo nuk pi më ujë. Mjafton ta blesh si letër, se për të tjerat duhen miq e vota. Provime të blera ose më saktë injorancë e blerë, është fenomeni i rrezikshëm që pritet ta fus këtë vend në gropë edhe më thellë nga ç’është. Niveli i universiteteve tona ka shkuar edhe më poshtë.

Sipas sondazheve ndërkombëtare që masin nivelin e arsimit, Maqedonia çdo vit shënon rënie. Është e frikshme të imagjinosh se çfarë mjekësh, inxhinierësh, avokatësh apo arkitektësh mund të dalin nga auditoret e këtyre universiteteve, ku disa prej të cilëve as nuk llogariten si të tillë nga insitucionet ndërkombëtare. Krimi është i shumëfishtë! E para, më e thjeshta, është padrejtësia që u bëhet vet këtyre të rinjve, të cilët shkojnë për t’u përmirësuar, e në fakt bien në qarkun e mikut, e partisë e të punësimit. Krimi i dytë i bëhet atyre dhjetra profesorëve që janë të aftë e të shkëlqyer, e që sistemi i detyron të kapërcejnë situata të padenja nga kolegë të tjerë të tyre, të cilët janë futur aty si sekserë partie. Krimi i tretë është ai që u bëhet prindërve, të gjithë atyre prindërve që i çojnë fëmijët për t’i bërë profesionistë të një fushe a në ndërkohë paguajnë amatorë që pavarsisht rrogës do të jenë gjithë jetën në rrezik sepse nëse punësohen kurdo që të punësohen, mund të bëjnë gabime të rënda…

Dhe krimi më i madh i bëhet vendit, shtetit që pret, të ardhmes së afërt, popullit që i vritet mundësia për një arsim të shëndoshë e sa më profesional. Jemi një nga vendet me nivelin më të ulët të arsimit në rajon, dhe ne nuk mund të presim të na lind ndonjë gjeni si Johan Gutenbergu apo Çaj Luni, pasi ne kemi edhe letrën dhe shtypshkronjat, na duhet vetëm që pushteti ta dojë këtë vend pak më shumë e të mendojë pak më gjatë. Nga padituria dënohen të Gjithë!


Loading...
loading...