INTELEKTUALI

Bashkim Shehu

Çfarë do të thotë “intelektual”? Mesa duket, kjo fjalë, kjo njësi semantike, po të kemi parasysh edhe konotacionet morale të saj, buron historikisht nga trashëgimia e traditës iluministe franceze dhe epitomizohet sidomos me pamfletin “Unë akuzoj” të Emil Zolait lidhur me “çështjen Drejfys”. Në këtë vazhdë gjendet edhe përcaktimi i Sartrit në esenë e tij Apologji për intelektualët: sipas tij, fizikanët modernë, kur zbuluan energjinë që çlirohet nga ndarja e bërthamës së atomit, ende nuk ishin intelektualë, porse u bënë të tillë vetëm duke nënshkruar peticione kundër bombës atomike. Ndërkaq, rrezatimi jetëgjatë i kësaj tradite shtrihet përtej kufijve të Francës, kurse në Evropën Lindore ka ardhur me vonesë. Por pikërisht në barbaricum, në pjesën e paqytetëruar, feudokratike dhe rurale të kontinentit tonë, fjala “intelektual” pëson inflacionin më të madh të mundshëm, duke u shndërruar gati-gati në titull të përligjur me një copë letër që quhet diplomë universitare, por gjithë duke ruajtur edhe kuptimin e mësipërm sartrian. Sidoqoftë, kjo dykuptimësi përmban në vetvete mesa duket një apel drejtuar ndërgjegjes qytetare të një kategorie të caktuar njerëzish, të atyre prej të cilëve mund të kërkohej e të pritej diçka… Po çfarë? Diçka që s’dihet se çfarë është, se kjo pritje lind nga dëshpërimi, në këtë hapësirë që shtrihet nga Uralet në Balaton dhe nga Baltiku në Adriatik, ndër popuj me shpresa të zhgënjyera periodikisht, të cilëve shumë herë u ka ndodhur të pandehin se e gjetën shtegun e lirisë, por çastin tjetër e kanë parë veten të kthyer çuditërisht në hullinë shekullore të nënshtrimit. Nga ana tjetër, është mjaft domethënëse që nocioni “intelektual”, në këtë hapësirë, kalon natyrshëm në numrin shumës, jo thjesht e kushtëzuar, kjo, nga kërkesa morale e angazhimit të tyre për shoqëritë ku jetojnë, por, sidomos, edhe nga fryma kolektiviste që mbizotëron në këto shoqëri, e cila ka prirjen t’i grupojë individët në bashkësi agresive ndaj njëra-tjetrës: në klane, klasa, fise, tarafe, raca, etni, kazerma, skalione, regjimente, kontigjente, rrjete agjenturore apo klandestine, reale ose imagjinare, etj., duke e përçudnuar kësisoj brutalisht indentitetin e individit. Prandaj dhe është e kuptueshme pse shumësi bëhet edhe për intelektualët trajtë themelore e identifikimit gjuhësor e jo vetëm gjuhësor. Madje, kjo fjalë, shprehur me këtë trajtë, vjen e njësohet me emërtimin kolektiv “inteligjencie”, e cila, me sa di unë, e ka zanafillën tek periudha imediatisht parabolshevike e Rusisë dhe shtjellohet e lakohet si kategori kolektive në ligjërimin zyrtar të diktaturave të mëpasme. Poeti nobelist polak Çesllav Millosh, në esenë e tij “Mendja e robëruar”, i ka bërë një autopsi mjaft të dhimbshme të ashtuquajturës “inteligjencie”, duke e portretizuar si masë nëpunësish e rrogëtarësh me diplomë, shkrimtarësh, artistësh e studiuesish, doktorësh e profesorësh, të cilët konformohen kundrejt autoritetit politik dhe përulen para tij për të lypur ndonjë bekim e ndonjë përfitim.StrugaLajmStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...