Strumicë, 25 nëntor – Kryeministri Zoran Zaev, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, dhe drejtori i MEPSO-s, Sasho Vasilevski, sot ishin për vizitë pune në lokacionin ku montohet litari mbrojtës me optikë të largpërçuesit nga rrjeti i transmetimit të MEPSO-s në Strumicë.
Në deklaratë për mediat kryeministri Zaev theksoi se kjo punë investuese e MEPSO-s është në pajtim të tërësishëm me politikat e Qeverisë që të sigurohen standarde të domosdoshme për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.
“Me montimin e rrjetit optik në sistemin e largpërçuesit të MEPSO-s, vendi ynë e zë hapin me projeksionet e BE-së dhe krijon kushte në tre vitet e ardhshme çdo qytetar i ynë të ketë qasje të internetit me shpejtësi prej së paku 30 megabajt në sekondë internet të shpejtë me shtrirje të gjërë dhe së paku 50 për qind nga amvisëritë të kenë marrëveshje parapagesore për qasje së paku në 100 megabajt në sekondë super të shpejtë ose ultra super të shpejtë brodbend qasje në internet”, theksoi Zaev.
Ministri Damjan Mançevski tha se Maqedonia ka politika të centralizuara në pjesën e IKT-së me ç’rast është formuar Këshill Kombëtar për IKT dhe me atë këmbëngulet të sigurohet sa më shumë internet me shtrirje të gjërë për qytetarët. Paralajmëroi se deri në fund të vitit do të vendoset plani për internet me shtrirje të gjërë, ndërsa me investimin e MEPSO-s hapen mundësi për tërheqjen e operatorit të tretë të rrjetit në Maqedoni, si dhe provajderë të cilët ofrojnë internet me shtrirje të gjërë për qytetarët.
Drejtori i MEPSO-s, Sasho Vasilevski, theksoi se investimi në këtë projekt është me vlerë prej një milion euro dhe duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit të vitit të ardhshëm. “Investojmë në rrjetin optik, por prej këtu, nga Strumica, dua ta paralajmëroj investimin e ri me vlerë prej 5 milion euro në pjesën e telekomunikimeve dhe në dhjetë ditët e ardhshme duhet të shpallet dokumentacioni i tenderit”, tha Vasilevski.
MEPSO vendos optikë në 12 largpërçues në gjatësi të tërësishme prej 200 kilometra. Vendosja e optikës filloi në fillim të tetorit, ndërsa deri tani është realizuar gjysma. Optika e kompletuar me këtë dinamikë të punës do të vendoset deri në gusht të vitit 2019.