Ja çfarë tha Fatmir Limani për librin e Agni Dautit

VËSHTRIM MBI PËRMBLEDHJEN
“STRUGANËT PËR SHQIPËRINË ETNIKE” TË AGNI DAUTIT !

Shumë e dashura nënë e të burgosurit politik Agni Dauti. Të gjithë kujtojnë se burgjet i kemi bërë ne bijtë e tuaj, por nuk u kujtohet se vuajtjet e atyre dënimeve i keni përjetuar më rëndë dhe më thellë Ju, të dashura nëna që mbeteni legjendë e kombit tonë. Andaj mirënjohjet u takojnë Ju, ngase duke na ruajtur fëmijët, familjen…arritët që të na bëni të pamposhtur neve dhe të ngadhnjejmë mbi burgjet.
Të nderuar ish të burgosur nga Struga me rrethinë. Të burgosurit nga Dibra e mbarë hapsirat shqiptare që ndani këtë natë bashkë, për të bërë promovimin, për të cilin do të paraqes një vështrim rreth përmbëledhjes së shokut Tuaj, e tonit të titulkuar si:

“STRUGANËT PËR SHQIPËRINË ETNIKE” !StrugaLajm

Kur ke në dorë tashmë përmbledhjen e rrëfimeve të një jete përplot sfida dhe kur përballë teje ke figurën e veprimtarit Agni Dauti, domosdo se refleksionet e mendjes të shpiejnë tek një kohë jo fort e largët po që në çdo hap të bëjnë të ndjesh krenarinë për atë kohë. Katër rrëfimet, të ndara në katër pjesë të veprës “Struganët për Shqipërinë Etnike”, të shpiejnë në trekohësinë e pashmangshme. Dhe kjo trekohësi, e shfaqur në shiritin e së djeshmes, e shtruar në kalldrëmin e së sotmes rrugëton për tek e ardhmja për t’u skalitur në gjithë-kohësi.
Që në nismë të rrëfimit, autori Agni Dauti, na përshfaq gjeografinë shqiptare, tokën e përvuajtur dhe të shkelur sa e sa herë nga thundra egërsishë, që koha i solli përmes karvanit të pushtuesve të shumë’duarshëm.
Dhe, përmes një tablloje kaq mahnitëse, nis rrëfimi i kapitullit të parë ku spikat “ajo që njeriut i jep identitet, që i jep krenarinë, dashurinë e trashigiminë”, domethënë pejsazhet e vendlindjes shfaqen si bukuri përrallash, ku mësohet e kaluara për të marrë shpresën si ushqim për të ndërtuar të ardhmen për veten e trashigimtarët.
Është kjo njëkohësh erë Atdheu, erë e kujtimeve për nënën, për paraardhësit. Është poashtu, era e rezistencës, e mbijetesës përgjatë kryengritjeve, është ëndërr e struganëve, për qenësinë, për truallin, për pamposhtësinë.
Thundra pushtuesish, kalëruan andejpari, për të shkelur qenësinë arbërore të asaj cope të tokës që banorët e quajnë mëmë, po që nuk e mposhtën dot, sepse qenia e njeriut të kësaj toke ishte lidhur kaq fuqishëm ashtethua, sa s’e zhbëjnë dot as furtunat më të fuqishme të kohës nga epoka e sundimtarëve.
Thua ku e gjeti frymëzimin kjo pamposhtësi, kjo energji, ky vrull ?!
E ku tjetër në mos tek kaltërsia e liqenit, tek rrugëtimi i pambarimtë i Drinit të Zi, tek majat e thepisura e të thinjura të vargmaleve të Sharrit… ! As dhuna, as shkeljet, as djegiet, nuk do të arrijnë të mposhtin shpirtin shqiptar të këtij trualli, ndonëse egërsia e kohës ishte kaq e rrëmbimtë.
Është magjia e ashtit të shtruar nëpër kohë, e gjakut të derdhur krua përgjatë viteve. Ndaj shqiptari aty mbeti i pamposhtur. Ishin varret e të parëve, ato që iu vunë mburojë, ishin themelet e forta, të lidhura me rrënjët e maleve, e të ujitura me kaltërsi liqeni e me vrull Drini. Dhe bashkë me Drinin, ai rrugëtim vazhdonte më tutje për vite e vite.
Rrëfimi i dytë i librit nis me Luftën e Dytë Botërore, ku autori nxjerr në spikamë një varg personalitetesh të shquara, ku mbi të gjitha spikat që në hyrje viti 1941, ku shqiptarët e Strugës panë për herë të parë shkollën e parë shqipe, dhe do ta ndjejnë lirinë gjithpushtetshëm, në kuadër të “200 mësuesve për 200 shkolla shqipe”.
Megjithatë kjo ndjenjë nuk do të vazhdojë për gjatë kohë, sepse edhe përkundër asaj se shqiptarët nuk do të udhëhiqen kurrë nga ndjenja e hakmarrjes, ata në pasvitet 1945 do të pësojnë në masakrat antishqiptare të “partizanëve”, të cilëve shqiptarët nuk do t’u besojnë.
Kësisoj një plejadë e tërë shqiptarësh, që mbetën dhunshëm dhe pabesisht përtej kufirit të vendosur me dhunë, do të ndodhet në flakët e kohës dhe do të pasojnë eliminime të njëpasnjëshme, pasi shqiptarët nuk do të pajtohen kurrë me kufirin te Guri i Urakës, të vënë dhunshëm nga “popujt jovëllezër, me të cilët u detyruan të bëjnë vëllazërim-bashkim”. Shekuj burgjesh do të pasojnë mëtej…
Pjesa e tretë e rrëfimit në këtë përmbledhje nis me golgotën e dënimeve, pasi lufta, e cila për shqiptarët nuk kishte përfunduar do të sjellë dënime me shekuj burgjesh. Kolektivizime, internime, çarmatosje, shpërngulje shqiptarësh do të pasojë mëtej. Demonstratat e vitit 1968, do të ngrenë rishtas ndjejnjën e “Bashkimit të trojeve shqiptare” ku do të pasojë edhe një plejadë të burgosurish politikë në rrugëtimin drejt lirisë.
Mëtej, një kronologji ngjarjesh e aktorësh do të gjejmë të ngërthyera si protagonistë të viteve, duke vazhduar me vitin 1981, dënimin e studentëve, diferencimet dhe një sërë shkeljesh përmbi dinjitetin e banorit shqiptar të këtyre anëve. Megjithatë, libri dallon për nga prizmi i të rrëfyerit.
Autori, është vetvetiu personazh i këtyre ngjarjeve, ku çastet duken të shfaqura me kaq përpikmëri dhe kaq saktësi. Rrëfime rrënqethëse, të kazamateve pushtuese do të shfaqen gjatë shfletimit të faqeve të librit, personazhe të shumta të kalvarit të pamposhtësisë do të jenë kaq origjinalë, ngjarje tejet prekëse, që në çaste edhe të ngrenë mornicat, të cilat përshkojnë trupin ethshëm !!!
Autori, është personazh i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, dhe rrëfimet janë shpalosur me pokaq saktësi, sa çdokush që do t’i rreket leximit të kësaj përmbledhjeje të kujtimeve, por pse jo edhe një ditari shqiptar të një kohe të përjetuar, nuk do ta lë indiferent as lexuesin e rëndomtë, i cili do të mbetet i befasuar nga egërsia e kohës, dhe nga saktësia e rrëfimit.
Personalitete, disa prej të cilave edhe sot i ndeshim përballë nesh, janë domosdo edhe vula më e spikatur e këtij rrëfimi bio-bibliografiko-monografik, që është ngërthyer brenda kopertinave të këtij libri. Dhe për ta ilustruar gjithë këtë në prizmin e trekohësisë, duhet thënë se të dhënat biografike, bibliografike, që sillen të shtruara herë-herë edhe me gërshetim të artit të të rrëfyerit, padyshim se do të mbeten si vulë e një kohe jo fort të largët.
Në këndvështrimin retrospektiv e diakronik, libri është bazë e mirë për mbështetje historike, ku ka pllakosur mirëfilli një pjesë e jetës shqiptare të njeriut të këtij trualli, në aspektin e së tashmes, personazhet, disa prej të cilëve janë ende në mesin tonë mund të jenë dëshmitarët e këtyre ngjarjeve ndërkohë nga prizmi i perspektivës, libri duhet parë edhe si një dokument shtesë për gjeneratat pasuese, ku do të mësohet dëshmia për një kohë të jetuar.
Uroj që lexuesit të mishërohen me këto vargje në mënyrë që lufta për ribërjen e Shqipërisë Etnike të vazhdojë në mënyrat e kohës bashkëkohore !
Ndërkohë që Agniu me bashkëveprimtarë të luaj rolin e udhërrëfyesit, për pamposhtësinë në rrugën e “Betimit të Madh” shtruar nga një plejadë veprimtarësh, atdhetarësh, luftëtarësh dhe Dëshmorësh të sakrifikuar e flijuar në periudhë, kohë dhe vise të ndryshme, për bërjen e Shqipërisë si në kohën e Ilirisë !StrugaLajm

Falenderime, për të pranishmit…

19 korrik, 2017
Strugë
Fatmir Beqir Limani


Loading...
loading...