Nxënës të shkollave të mesme të Tetovës, nën organizim të Unionit të Nxënësve – 110 vjetorin e Ditës së Alfabetit e kanë shënuar ndryshe. Ata kanë marshuar rrugëve të qytetit për të shprehur revoltën e tyre kundrejt mungesës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA.
Në shenjë revolte për mungesën e teksteve në shqip, një problem i arsimit ky që po përsëritet nga një vit shkollor në tjetrin, ata në duar mbanin pankarta me mbishkrimet “Kemi shkronja, s’kemi libra”, “Nuk duam të mësojmë me skripta” dhe kështu me radhë. Nxënësit shprehen se edhe ato pak libra që i kanë në gjuhën shqipe, në lëndë të ndryshme, janë me gabime drejtshkrimore andaj edhe njëherë apelojnë deri te institucionet përgjegjëse që njëherë e përgjithmonë të ndërmarrin masa për gjetjen e një zgjidhje të këtij problemi më qëllim që të mos përsëritet në vitet e ardhshme.
Ndryshe, edhe pse me Ligjin e ri për tekstet shkollore synohej evitimi i të gjitha gabimeve dhe lëshimet e deritanishme, megjithatë duket se ky problem ende nuk është zgjidhur. Edhe nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni në vazhdimësi është theksuar se tekstet shkollore me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni në brendi kanë përmbajtje fyese, nxitje ndëretnike dhe gabime të shumta gjuhësore. (koha.mk)