Koha:Sela ,Merko dhe Labënishti do garojnë për Strugën!

Në zgjedhjet lokale të radhës që do të mbahen më 15 tetor pritet një garë e nxehtë mes subjekteve politike shqiptare. Pa u bë një vit i plotë nga zgjedhjet parlamentare, me BDI dhe ASH në pushtet dhe BESA e PDSH në opozitë, pikërisht zgjedhjet lokale po shihen si test për mbështetjen e tyre në elektoratin shqiptar, por edhe si një mundësi për të treguar performansa të mira në komunat shqiptare në dobi të qytetarit shqiptar. Këto ditë, partitë shqiptare janë në vlugun e punës për të konkretizuar emrat që do ti prijnë garës për kryetar komunash, ndërsa jo pa interes do të jenë dhe emrat për bartës të listave për këshilltar komunal. Gazeta KOHA, duke pasur kujdesin që të mos spekulojë me emra, por vetëm atëherë kur burimet e saj brenda këtyre partive janë të gatshëm të ndajnë atë që ia vlen të ndahet me publikun para se vetë partitë të shpallin publikisht kandidatë për kryetar, ka arritur megjithatë të nxjerr disa emra të mundshme nga të tria partitë nëpër disa nga komunat shqiptare. Siç merre vesh KOHA, në këtë rast – të tria subjektet do të garojnë në komuna me eksponentë më të lartë politik, ndërsa lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela me gjasë edhe vetë do të hyj në garë me pretendime për të fituar sërish Komunën e Strugës. BDI pritet të futet në garë me adutët e saj në Qeveri – zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, në Komunën e Çairit, ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu, në Komunën e Tearcës, kjo sipas burimeve partiake të afërta me Kryesinë e ngushtë të BDI-së. Referuar këtyre burimeve, është e sigurt se nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta, do të jetë përsëri kandidat për kryetar të Gostivarit, ndërsa edhe anëtari i Kryesisë qendrore – tani ministër pa resor për investimet, Ramiz Merko, do kthehet në garë për Komunën e Strugës, të cilën e udhëhoqi tetë vite më herët para se Ziadin Sela – atëherë nga PDSH, ta merrte kryesimin e saj.

AHMETI NË SARAJ, SHABANI NË LIKOVË

Në Komunën e Sarajit, kandidat më i mundshëm do të jetë ish ministri i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti, ndërsa në Vrapçishtë pritet të jetë një kandidat nga fshati Gradec. Në Kërçovë, BDI këmbëngul përsëri të ketë kandidat kryetarin aktual Fatmir Dehari, i cili me gjasë – përveç Lëvizjes BESA, do të mbështetet nga të gjitha partitë tjera shqiptare dhe organizata joqeveritare. Në Tetovë, Teuta Arifi nuk heq dorë edhe nga një mandat, megjithëse kandidati me më shumë gjasa flitet të jetë Ibrahim Dehari, aktualisht nënkryetar i Degës së BDI-së për Tetovë. Kur jemi tek Likova, ende nuk ka kandidat potencial, ndërsa emrat që përfliten në degën e partisë janë ai ish-ministrit të Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, anëtari i Kryesisë së degës së BDI për Likovë , Xhemail Ademi, Jahi Jahiu nga fshati Vishticë, si dhe deputeti nga fshati Sllupçan, Rexhail Ismaili. Ndryshe, sipas burimeve anonime – një pjesë e Kryesisë qendrore flitet se i kanë kërkuar ministrit aktual të Ekologjisë, Sadulla Duraku, të kthehet përsëri si kandidat i mundshëm për kryetar të Likovës me qëllim që të përfundojë me disa projekte kapitale në këtë rajon. Sa i përket Dibrës, një bastion i BDI-së ndër vite, por që në këto zgjedhje pritet të sfidohet seriozisht nga Lëvizja BESA, pa mos e përjashtuar as LSDM-në, në këtë komunë aty do të vazhdojë të jetë kandidat kryetari aktual Ruzhdi Lata. Nga Lëvizja BESA thonë se ditëve në vijim do të shpallin publikisht emrat e kandidatëve për kryetar komunash. “Ditët në vijim do ta bëjmë shpalljen e kandidatëve. Janë një prej zgjedhjeve më të rëndësishme për ne. Po mundohemi të bëjmë të gjitha përgatitjet si në aspekt të kandidaturave, listave për këshilltar komunal, përgatitjen e projekteve të rëndësishme që të dalim me një program të pasur. Lëvizja Besa është në konsultim me të gjithë strukturat e saj, këshillat vendor dhe lokal gjithandej Maqedonisë për emra të mundshëm për kryetar komunash. Deri tani nuk kemi ndonjë emër konkret, por opinioni do të jetë i njoftuar me kohë edhe për kandidatin e mundshëm por edhe me ekspertët të cilët do ti qëndrojnë prapa kryetarit të komunës gjatë asaj fushate”, tha për gazetën KOHA Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Megjithatë, gazeta KOHA nga një pjesë e burimeve tjera të afërta me Lëvizjen BESA merr vesh se nënkryetari i kësaj partie, Arben Llabunishti do të jetë kandidat për Komunën Strugës, deputeti Fadil Zendeli për Komunën e Gostivarit, Shaban Zendeli apo Murtezan Idrizi për Komunën e Likovës, Kastriot Rexhepi dhe Bekim Saliu për Komunën e Çairit. Ndryshe, Lëvizja BESA pritet ta sfidojë seriozisht BDI-në në Likovë, Çair, Vrapçishtë, Saraj, Tearcë, Tetovë dhe Strugë. Për të sfiduar seriozisht BDI-në, në Lëvizjen BESA thonë se momentalisht po bëhen konsultime intensive sidomos për komunat e lartpërmendura që të korrin fitore të sigurt, ndërsa nuk përjashtojmë edhe emrat jashtë strukturave partiake.StrugaLajm

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ky subjekt do të dalë me kuadrot më të mirë partiak, por janë të hapur edhe për kandidatë nga shoqëria civile. “Jemi të gatshëm në çdo moment të konkurrojmë me kandidatët tonë në zgjedhjet lokale, duke ofruar alternativat dhe potencialin me të mirë kadrovik të subjektit tonë politik. Nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve lokale, jeni fokusuar në debatet e brendshme partiake, për të nominuar kandidatë potencial. Kjo përzgjedhje do të bëhet nga radhët e subjektit tonë politik, por nuk përjashtohet edhe mundësia e autoriteteve që kanë peshë në mjedise të ndryshme, apo nga sektori civil. E rëndësishme është që kandidatët tanë të kenë bagazh profesional dhe të gëzojnë reputacion në Komunat ku do të garojnë”, theksoi për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i LR-PDSH-së. Ai nuk pranoi të jap emra konkret, megjithatë gazeta KOHA nga burime tjera të afërta me këtë parti merr vesh se kryetari i LR-PDSH-së, Zijadin Sela, ka ofruar veten të jetë kandidat për Komunën e Strugës, ndërsa sekretari i përgjithshëm Arben Taravari – aktualisht ministër i Shëndetësisë, të jetë kandidat për Komunën e Gostivarit. Megjthatë kandidatura e Arbën Taravarit është e lidhur me kandidimin e kryetarit Sela, ku nëse ky i fundit nuk do të kandidojë për Strugën, as në Gostivar nuk do të kandidojë Taravari. Në Gostivar, përveç Arben Taravarit, kandidat më potencial janë edhe ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti dhe Halil Snopçe. Në Kërçovë, Aleanca për Shqiptarët do të konkurrojë me Remzi Memedin, në Dibër me Ibrahim Kollarin, ndërsa në Çair me shumë gjasa ka Bujare Azizin. Në Tetovë, ende nuk ka kandidatura të sigurta, por janë tre persona që pretendojnë kandidaturën: Adnan Azizi anëtar i Kryesisë qendrore, Arif Selami, kryetari Degës për Tetovë dhe Hajrullah Hasani – biznesmen nga kjo komunë.

Edhe nga PDSH thonë se kjo parti do të garojë më kandidat dhe me lista për këshilltar në të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët. Ndërsa sa i përket emrave, zëdhënësi i partisë Bekim Fazliu thotë se janë në fazën e përgatitjeve partiake, pa dhënë ndonjë detaj tjetër. “PDSH do të hyjë në këto zgjedhje me pretendime të mëdha për të korrur fitore në komuna të rëndësishme shqiptare. Çdokund ku ka shqiptarë PDSH do të ketë kandidat për kryetar komunash dhe kandidat për këshilltar komunal. Emra nuk mund të japim njëherë, pa u përmbyllur të gjitha përgatitjet partiake”, theksoi për gazetën KOHA Bekim Fazliu, zëdhënës i PDSH-së.StrugaLajm

9 SHTATORI, AFATI I FUNDIT PËR KANDIDATURAT

Komisioni Shtetëror Zgjedhor tashmë ka miratuar kalendarin për zgjedhjet lokale 2017, ndërkohë që fushata fillon më 25 shtator. Shikimi publik i Listës zgjedhore fillon më 21 gusht dhe do të zgjasë deri më 9 shtator, ditën kur partitë do të dorëzojnë listat për kryetar komunash dhe ato për këshilltarë komunal. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët e pavarur për këshilltar dhe kryetar komunash është nga 21 gushti deri më 4 shtator, ndërkohë që partitë politike duhet që më voni deri më 9 shtator të dorëzojnë kandidaturat. Zgjedhjet lokale në vend do të mbahen më 15 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 29 tetor.

In : Aktuale, Struge

Loading...
loading...