Komuna:Struga nuk ka asnjë objekt që e rrezikon statusin e UNESKO-s

Qeveria u ka dhënë afat prej 10 ditë komunës së Ohrit dhe Strugës që të hartojnë plan aksionar me afate të caktuara për të zbatuar rekomandimet e UNESKO-s. Nga Komuna e Strugës thonë se në territorin e komunës së saj nuk ka asnjë objekt të fortë (egër) që e rrezikon statusin e UNESKO-s, ndërsa nga qyteti i Ohrit thonë se do ti respektojnë rekomandimet e ekzekutivit

Destan JONUZI

Shkup, 25 korrik – Qeveria ka sjell vendim që ta tërheq Ligjin për menaxhim me trashëgimin natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit dhe ju rekomandon komunave të kësaj pjesë që të shpallin moratorium të aktiviteteve të ndërtimit deri në miratimin e planit për menaxhim me trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Qeveria i rekomandon Komunës së Ohrit dhe Strugës që në afat prej 10 ditë të përpilojnë plan aksionar me afate për zbatimin e rekomandimeve të UNESKO-s. Tre ministri janë të autorizuara për koordinimin e aktiviteteve për zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s. Nga Komuna e Strugës thonë se çdo iniciativë për ndërtimet e forta (egra) e presin krahë hapur, pasi që sipas tyre në këtë komunë nuk ka fare objekte të tilla. “Objekte të forta nuk kemi fare në Strugë. Lidhur me këtë çështje ne edhe publikisht kemi kërkuar nga Qeveria që ti marrë ingerencat në urbanizëm. Në rajonin e Ohrit në zonën e mbrojtur ka objekte të forta, por në qytetin e Strugës nuk ka fare. Në këtë mandat nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi, përveç për një sallë sporti që është në pronësi private. Ndërsa objektet e mëparshme që janë me konsension janë në ingerencë të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve”, deklaroi për gazetën KOHA, Dashmir Nasufi, nga Sektori për veprimtari Publike në Komunën e Strugës.

Nga ana tjetër, nga Komuna e Ohrit thonë se do të veprojnë në pajtueshmëri me normat ligjore, me qëllim që të përmbushen detyrat që Qeveria ua rekomandon komunave, për zbatimin më të mirë dhe më efikas të rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, të cilat kanë për qëllim ruajtjen e statusit të rajonit të Ohrit si një vend i trashëgimisë botërore. “Komuna e Ohrit dhe shërbimet përkatëse do ti shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore të rekomandimeve të Qeverisë për shpalljen të moratoriumit mbi aktivitetet ndërtimore deri në miratimin e planit për menaxhim me trashëgimin natyrore dhe kulturore. Me urdhër të kryetarit të komunës Konstantin Georgevski, në afat prej 10 ditë, do të hartohet plan aksionar me afate për zbatimin e rekomandimeve të UNESKO-s. Pas hartimit të këtij plani, i njëjti do të jetë në rend dite para këshilltarëve komunal”, deklaruan nga komuna e Ohrit për gazetën KOHA. Nga atje theksojnë se gjatë gjithë procesit, Pushteti lokal do të jetë koordinim të përhershëm me Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Ambijentit Jetësor, si dhe me institucionet tjera shtetërore.StrugaLajm

Bazuar në regjistrin e Komunës së Ohrit, hartuar në bazë të rekomandimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë (UNESCO), janë 409 objekte të ndërtuara pa leje që gjinden në zonën e mbrojtur në bregun e liqenit të Ohrit dhe Parkun Kombëtar të Galiçicës, por edhe në pjesën e vjetër të qytetit. Sipas shifrave, janë 1076 ndërtime pa leje në tërë territorin e Komunës së Ohrit. Në bazë të raportit të hartuar nga Komuna e Ohrit, pjesa më e madhe e objekteve pa leje janë ndërtuar dekadën e fundit. Ato kryesisht janë ndërtime të përkohshme, plazhe, shtëpi, apartamente dhe objekte të tjera të akomodimit. Kjo ka bërë që trashëgimia kulturore dhe natyrore e rajonit të Ohrit, të vendoset në listën e trashëgimisë botërore që është në rrezik, bazuar në rekomandimet e UNESCO-s. Përndryshe, qyteti i Ohrit ka hyrë nën mbrojtjen e UNESCO-s në vitin 1980, për momentin ai nuk do të shpallet për zonë të rrezikuar, por UNESKO u ka dhënë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut afat deri në shkurt të vitit 2020 për t’i zbatuar rekomandimet për mbrojtjen e pasurive natyrore.

In : Aktuale

Loading...
loading...