Kthimi i udbashëve tanë

Rrëfimet tronditëse të disa ish-të përndjekurve, mëtojnë të nxjerrin në shesh edhe emrat e atyre shqiptarëve që kanë punuar në shërbime jugosllave, e të cilët nuk janë dalluar fort nga kolegët e tyre joshqiptarë

Nga Daut DAUTI

  1. Në Kosovë janë kthyer udbashët… Vërtet, në mediat kosovare ka një kohë që është hapur një temë, deri tash jo shumë e prekur. Tema është hapur fuqishëm dhe pa kompromis, si një rrufe nga qielli i hapur për ata që deri tash kanë qenë të lënë nën rrogozin e problemeve tjera që kanë qenë më prioritare dhe nuk është marrë kush me ta. Por, do të vinte momenti edhe ata të dalin nën reflektorët medialë. Por jo për shkëlqimin e tyre, por për turpin. Është fjala për udbashët “tanë”! Pra, jo vetëm udbashët serbë, por edhe ata që e kanë pasur emrin Hisen e Hasan…, që iu ka ra hise të kryejnë tortura e maltretime ndaj bashkëkombësve të tyre. Ish-të persekutuarit politikë dalin e po flasin dhe i përmendin me emër dhe pa ngurrim.

Njëzetepesë vjet pas çlirimit të Kosovës, thotë dikush, kujt i shërbejnë këto rrëfime? Kujt i duhet e vërteta për ta, ata kanë qenë pjesë e sistemit, “e kanë pas punë”! Këtu mendoj se nuk duhet të ketë kurrfarë dileme se duhen apo nuk duhet të dalë në shesh e vërteta për “njerëzit tanë” që u ka ra kjo hise të merren me punët më negative të shërbimit. Dikush prej tyre mund edhe të dalë e të thotë unë e kam pas punë, por nuk kam marrë kënd në qafë, i kam mbrojtur shqiptarët… Kuptohet, nuk kanë qenë të gjithë njësoj. Mirëpo, viktimat janë ata që i njohin mirë kush kanë qenë ata të zellshmit verbanë që i kanë lidhur me kokë teposhtë, që i kanë lidhur për radiatorësh me ditë pa ujë e pa bukë, që kanë fërshëllyer me kamxhikun dhe metoda tjera të njohura e të panjohura që mund të shihen edhe te romani i Rexhep Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, që është ndër veprat më ilustrative të dhunës ndaj shqiptarëve në kohën që konsiderohet “periudha e Rankoviqit”, por që sigurisht, ato metoda nuk kishin vdekur me heqjen nga skena politike të tij.

Tema e “udbashëve tanë” që është aktuale në Kosovë, na kthen edhe te procesi i lustrimit që u bë në Maqedoni dhe dilemat e shumta rreth tij, e që në një pikë kishte të bënte edhe me ish-të punësuarit në shërbimet e atëhershme. Disa që u lustruan ishin edhe shqiptarë…

Është pikërisht kundërshtimi i çuditshëm nga ndonjë media ose autor që thoshte pse të lustrohen ata që kanë punuar në shërbim? Të sqarojmë se me ligjet që u rregullua materia e lustrimit, i përfshinte edhe bashkëpunëtorët e shërbimeve edhe urdhërdhënësit, por mediat nuk pranin me dilemat se a duhet apo nuk duhet të lustrohen këtatë dytët, pasi “e kanë pasur punë”. Një urdhërdhënës(pra, një shef më i lartë ose më i ulët, inspektor i shërbimit por edhe operativist i nivelit më të ulët, kanë mundur të survejojnë njerëz me shantazhe, me bindje ose metoda tjera që i kanë pasur në dorë, për të angazhuar bashkëpunëtorë të cilët do të ndiqnin elemente të dyshimtë nga pozita ideologjike, politike etj. Ishte një dilemë jo etike kjo, për shkak se, përderisa lustroheshin ish-bashkëpunëtorët, të cilët tash mund të ishin në poste të larta shoqërore, nuk kishte argument valid për të mos i lustruar ata të cilët më shumë se kushdoqoftë tjetër, kanë luajtur me fate njerëzish. Duke u marrë me aspekte interpretimesh terminologjike se kush kanë qenë urdhërdhënësit, duke e çuar në nivele politike jashtë shërbimeve, mëtohej të relativizohet edhe vepra konkrete “e terrenit” dhe “bodrumeve” ku janë realizuar punët e fëlliqtë të sistemit në përndjekjen e elementeve “të dyshimtë”.

Edhe pse nuk është pesha e njëjtë e dikujt që jep urdhra “nga lartë” (KQ-të e Partisë, Qeveria federative, qeveritë republikane e krahinore…) dhe e dikujt që i kryen me zell “direktivat”, në një proces lustrimi do të duhej të përfshihen njësoj. Ndoshta tema e lustrimit në këtë pikë mund të duket e vonuar për Kosovën dhe Shqipërinë, kurse në Maqedoni edhe pse i hershëm, mbeti përgjysmë(procesi u ndërpre nga Kuvendi), por rregullimi se si të vihet deri te e vërteta për bëmat e ish-shërbimeve dhe të njerëzve të saj, nuk duhet të jetë as e vonuar, e as e mbyllur.StrugaLajm

Edhe më parë kam theksuar se mund të ketë shumë argumente për të mos nisur fare një proces lustrimi në Kosovë e Shqipëri, për shkak se ka shumë defekte në zinxhirin e të dhënave. Në Kosovë, gjithsesi është problem i madh mungesa e dosjeve, pasi një pjesë e tyre as që gjenden në arkivat e shërbimeve të tashme të sigurisë, por në Beograd, pasi shërbimet serbe kanë pasur mjaft kohë për t’i transferuar ato para çlirimit Kosovës. Në Shqipëri është çështja delikate për shkak të “masivitetit” të fenomenit, duke pasur parasysh se si ka vepruar ish-Sigurimi dhe hapja e dosjeve do të jetë shumë më i dhembshëm se kudo tjetër dhe pak kush mund të mbetet i panjollosur.

Dalja në shesh e të vërtetës për udbashët shqiptarë, nga viktimat, duhet të paktën prekë ndërgjegjen e atyre që janë ende gjallë dhe t’u hiqet veli i konvertimit të tyre në patriotë e njerëz shembullorë, sikur mizat e trollit nuk i shkelin…Ndërsa zbulimi i bashkëpunëtorëve të shërbimeve të tashme serbe para do kohe, pra, shqiptarë, dëshmon se ka pasur dhe do të ketë inde të kalbura në qenien tonë, që do pastruar…

  1. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paska arritur një sukses në punën e tyre humane, pasi paska arritur marrëveshje me qeverinë e Izraelit për ndërprerje disa orëshe të operacioneve ushtarake, “pauzë humaniare” me qëllim të vaksinimit të fëmijëve kundër sëmundjes së poliomielitit. Shkëlqyeshëm! Kësaj organizate dhe organizatave tjera që kanë çuar ndihmë humanitare gjatë muajve të operacioneve joprorporciaonle ushtarake izraelite, edhe pse u janë vrarë dhjetëra aktivistë, gjejnë forcën të bëjnë diçka të mirë për fëmijët e rrezikuar nga sëmundjet potencialisht të rrezikshme.

Por, ironia qëndron në faktin se sikur edhe të binte epidemi e vërtetë e poliomielitit, nuk do të kishte aq fëmijë të vdekur sa theksohet se janë vrarë nga operacionet ushtarake izraelite. Në 40 mijë viktimat, një numër i madh janë pikërisht fëmijë.

Ndaj, ajo që i duhet Gazës s’është vaksina kundër poliomielitit, por një “vaksinë” kundër regjimit të Natenjahut i cili të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga terrorizmi, e ka shndërruar në kauzë për mbrojtjen e Izraelit deri në palestinezin e fundit. Nuk është kjo çështja vetëm e Izraelit, por edhe e gjithë botës që nuk mund të mbyllë sytë më. Interesant është se kryediplomati i Bashkimit Evropian, Xhozef Borell, ka dalë me një propozim interesant për të vënë sanksione ndaj disa ministrave izraelitë për shkak se përhapin “mesazhe të papranueshme të urrejtjes ndaj palestinezëve”. Edhe pse duket se ai “i mëshon samarit të marrë vesh gomari”, tregon për një përpjekje për të drejtuar gishtin ndaj Izraelit, si fajtor për pasojat katastrofale për Gazën dhe banorët e saj që kanë mbetur pa qytetin e tyre të shkatërruar deri në themel.

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...