KUR DO TË BËHET MË MIRË- SI TË ARRIHET NDRYSHIMI?

Nga Belqia Ziba

Në një ajet të Kur’an-it Fisnik, Zoti i Vetëm - Allahu i Madhërishëm thotë: 

“Një populli nuk do t’ja ndryshojmë gjendjen e tij (për të mirë), përderisa ai popull nuk do të filloj që ta ndryshoj vetveten”. Por, si e kuptojmë ne këtë udhëzim nga Krijuesi ynë? Si do ta ndryshojë një popull vetveten ?!
Ndryshimi nuk do të vijë assesi duke e kërkuar atë së pari dhe vetëm te tjetri! Që të vijë ky ndryshim, duhet që çdo njëri nga ne në veçanti të fillojë nga brendia e zemrës së tij – nga vetëvetja! Pra, secili nga ne të filloj me vendosmëri ndryshimin e vetvetes drejt vlerave dhe arritjes së pasurisë së vërtetë. Dhe pasuri e vlera të vërteta e të përherëshme janë: besimi në Një dhe të Vetmin Zot, morali i fortë, puna, edukata dhe sjellja e mirë. Vlerë tepër e çmueshme është dija, e cila arrihet vetëm me arsimim cilësor dhe me shumë punë të vazhdueshme disa vjeçare. Vlerë jetësore është gjuha e nënës dhe atdhedashuria. Këto vlera paraqesin pasurinë që e bartim me vete kudo që shkojmë e kudo që jemi. Përveç njërës pasuri tepër të vlefshme, por që s’mund t’a marrim me vete – të jetuarit në vatanin tënd dhe në trojet e të parëve të tu!
Një person duhet të flakë tutje mendjemadhësinë, egon (unin), mllefin dhe lakminë si sëmundje të zemrës dhe si armikun më të madh të vetvetes! Patjetër duhet që të respektoj e të përkujdeset për prindërit e tij. Të mos e keqpërdorë profesionin dhe pozitën ashtu që as të mos e kërkojë dhe as të mos pranojë që ta marrë atë që nuk i takon-të mos korruptohet. Të mos luajë lojëra të fatit si kumar-bixhoz, baste sportive, kazino e tj. Të mos bëjë dhëniemarrje të parave me fajde e interes, të mos përdor drogë dhe as që të bëj shitblerjen e saj. Të mos pij alkool, të mos bëjë imoralitet e tradhëti bashkëshortore, të mos adhuroj idhuj, të mos merret me fall e me magji. Të mos merret me shpifje e me thashëtheme, të mos gënjejë. Që të mos e helmojë shpirtin e tij dhe që të mos e humb kohën e vlefshme për veten e për familen e tij, duhet që assesi të mos i ndjek për asnjë ditë e jo më me muaj të tërë në tv e në portale emisionet e shtëpive publike mediatike të degjenerimit masiv të popullsisë. Të mos vjedhë e assesi të mos zaptoj trollin dhe hapësirat publike dhe të paguaj rregullisht e në kohë faturat për shërbimet publike (për ujin, pastërtinë, rrymën elektrike), taksat dhe tatimet. Të jetë shumë i matur në marrjen e borxhit dhe kthimin në kohë të tij, të jetë shumë i kujdesshëm në dhënien e premtimeve dhe në përmbushjen e tyre…!
Vetëm mësimet, këshillat dhe udhëzimet e lartëpërmendura të dhëna nga Krijuesi për krijesën e tij- njeriun, janë të përsosura në rregullimin e raporteve njerëzore dhe shoqërore. Këto udhëzime e këshilla dhe assesi jo ato të krijuara nga njeriu (qoftë ai edhe nga më i dituri në botë) paraqesin një digë të madhe mbrojtëse nga veset e këqia, nga rruga e gabuar dhe nga dështimi i njeriut në jetë!
Sepse e keqja dhe e mira nuk vijnë vetvetiu! Ato janë çështje e përzgjedhjes sonë dhe i investimit tonë në të keqen ose në të mirën!
Pra, fillimisht duke e ndryshuar vetëveten në një personalitet të devotshëm e shembëlltyrë dhe i brumosur me vlerat e sipërpërmendura e që udhëhiqet me urtësi e vepron me drejtësi, vetëm atëherë ne me këmbëngulësi mund t’a kërkojmë ndryshimin së pari te fëmija e familja jonë dhe më pas te të tjerët..! Ndryshimi i çdonjërit nga ne do të sjell rrjedhimisht ndryshimin pozitiv të një numri shumë më të madh të individëve. Do të arrihet masa kritike e popullsisë që do të dijë e do të mund të përzgjedhë personalitete të devotshëm e me vlera për të na përfaqësuar e për të na udhëhequr me drejtësi dhe urtësi! Kjo rrugë pra, paraqet fillesën e duhur e ndryshimit të kërkuar të një populli dhe është përgjigje në pyetjen e lartëparashtruar!
Por, si shoqëri dhe si popull fatkeqësisht sot jemi shumë, shumë larg asaj që të fillojmë ta bëjmë ndryshimin. Kjo nënkupton se edhe për gjatë kohë gjendja jonë e me fajin tonë do të vazhdojë të jetë shumë e rëndë!
Një thënie edhe pse përdoret për të përcaktuar gjendjen e një individi, mendoj se vlen edhe për një popull, pra: “ Një popull e meriton gjendjen në të cilën ndodhet ”!StrugaLajm

Livadhi, Strugë


Loading...
loading...