Kush po i mashtron shqiptarët në Maqedoni: Politika, apo statistika?

Abdulla Mehmeti

Këtë përgjigje shqiptarëve në Maqedoni duhet t’ua jep pushteti dhe drejtuesit e partive politike të tyre, të pushtetit dhe opozitës:

Si ka mundësi që statistikat zyrtare* gjatë tridhjetë viteve të fundit dëshmojnë se në këtë shtet linden mbi 35% fëmijë shqiptarë, afër 50% fëmijë maqedonas dhe 15% fëmijë me prejardhje të tjera etnike, po këto përqindje dëshmohen edhe me numrin e çifteve të kurorëzuar dhe të nxënësve të përfshirë në shkollat fillore, ndërsa politika i përmbys këto numra e përqindje dhe nxjerr rezultate në dobi të pushtetit, me afër 67% maqedonas dhe afër 25% shqiptarë dhe vetëm 8% të tjerë?! Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikës, në Shkup, në vitin 2018 në Maqedoni janë lindur gjithsej 21 333 fëmijë, prej të cilëve 10 862 me përkatësi etnike maqedonase, 7 546 me përkatësi etnike shqiptare, etj. Të dhëna të ngjashme me afërisht këto përqindje janë publikuar që nga viti 1991 e deri më sot. Si mund të shpjegohet përgjysmimi i numrit të shqiptarëve, vetëm kur është në pyetje përfaqësimi i tyre dhe listat e votuesve?!
Me politikëbërjen amatore dhe të papërgjegjshme, aktualisht shqiptarët janë të përfshirë në administratën shtetërore me afër 18%, ndësa në Parlamentin aktual, shqiptarët përfaqësohen me vetëm 16.6%! Nëse ky është rezultati ynë i derisotëm, për tri dekada me radhë, çka duhet të presim në të ardhmen? A nuk kanë pasur shqiptarët edhe deri më sot parti politike të tyre, në pushtet dhe në opozitë, që kanë rënë e janë ngritur, i kanë ndërruar pozicionet e tyre, por asgjë e hajrit nuk ka ndodhur në dobi të shqiptarëve në këtë shtet!
Bashkë jemi pak dhe të dobët, të ndarë e të përçarë jemi HIÇ!
* Publikimi “Maqedonia në numra 2019”, Enti shtetëror i statistikës, Shkup, f.16.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...