Laura Fazliu i sjell Kosovës medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja kosovare Laura Fazliu e ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike Parisi 2024 të martën, në debutimin e saj në lojëra olimpike.

Ajo e mposhti kroaten Katarina Kristo në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.

Lufta e drejtpërdrejtë për bronz mes Fazliut dhe Kristos ishte shumë e barabartë në kohën e rregullt dhe u nevojit koha shtesë, e njohur si “golden score” për ta përcaktuar fituesen e medaljes së bronztë.

Fazliu, 23 vjeç, fitoi falë ndëshkimit të 22-vjeçares me tri shido, pasi ajo e bëri një gabim në tentim për ta hedhur kosovaren në tatami.

Rrugës drejt medaljes së parë olimpike, Fazliu e kaloi rrethin e parë pa luftë, para se ta mposhte kinezen Jing Pang në përballjen e saj të parë olimpike, duke kaluar në çerekfinale, ku u mposht nga francezja Clarisse Agbegnenou.

Ajo disfatë nënkuptoi se Fazliu e humbi mundësinë për të luftuar për titullin e kampiones olimpike apo për medaljen e argjendtë, por mbeti në garë për bronz.

Në dy luftërat e saj për ta rrëmbyer medaljen e bronztë, ajo i mundi kanadezen Catherine Beauchemin-Pinard dhe kroaten Kristo.StrugaLajm

Kjo është medalja e pestë olimpike në përgjithësi në historinë e sportit kosovar, dhe e dyta nga Parisi 2024, pas medaljes së argjendtë që e fitoi Distria Krasniqi në fundjavë.

Kjo është hera e parë që Laura, 23-vjeçare, merr pjesë në Lojërat Olimpike.

Kosova këtë herë përfaqësohet në Olimpiadë me nëntë atletë – në sporte si xhudo, not, atletikë dhe boks.

Distria Krasniqi ka siguruar medalje të argjendtë, ndërsa katër atletë tjerë, Adell Shaboviq, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Donjeta Sadiku kanë përfunduar garat pa çmime.

Në total, Kosova i ka tri medalja të arta dhe një të argjendtë.

Majlinda Kelmendi ka qenë e para që ia ka siguruar Kosovës medaljen e artë në Rio 2016, të mbajtur në Brazil./REL

In : Aktuale

Loading...
loading...