Lavdërimi i Marrisë në Big Brother!

Sunaj Raimi

Ata që më njohin pak, e dinë se unë nuk shikoj emisione të tipit Big Brother. Bile i luftoj ato me çdo bisedë e shkrim që bëj. Mbrëmë shumë media dhe rrjete sociale ma lodhën trurin me informatën se
njëfarë Edona James, banore e cirkut të turpshëm të njohur si BBVK, qenka zgjedhur si finaliste, meqë i paska fituar mbi 1 milion pëlqime! Duke i parë disa sekuenca që m’u imponuan pa dashje, u njoha me ‘lukun’ dhe fjalorin e fëlliqur që përdorte. Në ato pak çaste që e përcolla, e pata vështirë ta kuptoj a është lesbike, transvestite, nimfomane a hermafrodite! Por një gjë ishte lehtë për ta kuptu: ajo s’kishte fare ndjenjë të turpit, së bashku me disa banorë tjerë. U habita edhe me fascinimin e publikut që gjendej në sallë. Ai i duartrokiste primitivitetit të një show skandaloz ku promovohej vulgariteti, paedukata dhe injoranca! Më shqetësoi ky realitet surrealist, ku rinia jonë, dikur e cilësuar si më e shëndosha në Europë, tani ishte hipnotizuar kaq keq me këso çoroditje socio-morale të papresedan! U shqetësova sepse kjo dukuri në fakt e pasqyronte vetëdijen kolektive të gabuar të shumicës së rinisë shqiptare. E ajo që habit në këtë histeri kolektive është edhe glorifikimi i këtyre figurave groteske nga opinionistët ‘psikoanalist’ të show-it, të cilët me vleresimet (pseudo)profesionale promovojnë figura dështake që realisht duhet të ishin në margjinat e shoqërisë! Duke e përcjellur me çudi këtë paradë të klounave dhe mediokërve të përdhosur, m’u kujtua titulli i një vepre të famshme të filozofit holandez Erasmo Roterdam – “Lavdërimi i Marrisë”, e cila më së miri do ta shprehte kuptimin sarkastik të këtij show-i të turpit dhe mjerimit shoqëror. Ky teatër grotesk vazhdoi me skenarin e organizatorit, kur në event thirret nëna e kësaj ‘artisteje’, e cila me një ‘ekzaltim filmik’ e falënderon vajzën e saj për “krejt atë çka bëri për popullin shqiptar”. Këtij glorifikimi absurd i bashkangjitet edhe moderatori i emisionit fatkeq, i cili ‘Yllin e BBK’ e falënderon për kënaqësinë dhe emocionet që ua fal shqiptarëve! O tempora, o mores! O sanctas simplicitas! Mendoj dhe çuditem duke pyetur: kush na mallkoi kështu që na pushtoi kjo e keqe kolektive. Nga të gjitha vendet e rajonit, pse po na ndodhë veç neve kjo shthurje morale?! Unë këtë fenomen s’mund ta kualifikoj ndryshe, përveç si një ‘Vetëvrasje morale përmes BBVK’!StrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...