“Lehja” është bërë shkencë!

Deri sa po numërojmë viktimat e këtij trivialiteti që po i ndodhë hapësirës sonë publike, ka të ngjarë që shumë ngjarje që vërtetë meritojnë vëmendje, të na ikin pa trajtimin e merituar, sepse “lehja” është bërë shkencë me do “klysha” që asnjëherë nuk do të arrijnë të bëhen racë e zgjuar e Sharrit

Nga Emin AZEMI

Gjithçka që ka paradoksale në brendi të një ngjarjeje, puna e parë që të shkon të mendosh e të dyshosh, është nëse ajo ngjarje është skenar, apo ndonjë sajesë me prapavijë a dedikim të caktuar. Kështu mendon shumë kush sot dhe nuk janë të pabaza argumentet e atyre që mendojnë kështu. Por, ajo që e bënë më pak të besueshme këtë mënyrë rezonimi është mungesa e një sistemi verifikimi të ngjarjeve, sidomos kur ato ndodhin në rrethana pak a shumë misterioze. Dhe opinioni publik tani e ka vështirë të pranojë çfarëdo versioni që jepet zyrtarisht për një ngjarje të caktuar, për arsye se para se të ketë ndodhur kjo, aktivizohet një armatë gjithologësh të Facebook-ut, teksa zbërthejnë teori të padëgjuara konspirative, që veç ata i dinë dhe pastaj shkon e kaladredhave puna aq fortë sa që nuk e merr vesh as dreqi se ku ishte filli i debatit dhe cili ishte thelbi i problematikës.

Ende pa u mbyllë njëra ngjarje, tash së fundmi në Kosovë, ndodhi një tjetër. Fillimisht ndodhi arrestimi dhe dëbimi i Marko Gjuriqit dhe pastaj, me një aksion-rrufe, ndodhi edhe dëbimi i gjashtë shtetasve turqë. Gjithologjia facebookiane u ngut të shpikë lloj-lloj teorish konspirative, duke filluar nga “marrëveshja Thaçi-Vuçiq” për të ndodhë ashtu siç ndodhi me Gjuriqin, deri te ngjarja e fundit me gjashtë shtetasit turq, e cila ende nuk po fashitet, madje, siç po vejnë punët, pështymat e gjithologëve kanë rrezik të trazojnë edhe dallgët e Detit të Zi që mund të përfundojnë në një “cunami” thashethemesh bajate.

Trivialiteti i kësaj formë të të bërit debat e ka përjashtuar çfarëdo lloj forme të komunkimit normal publik. Nëse dikur nëpër katunde edhe qentë nuk lehnin pa arsye, sot këlyshët e Facebook-ut të shurdhojnë me cijatjet e tyre të mërzitshme. Këto cijatje janë bërë “platforma”, “diskurse”, “teza” dhe ata pak njerëz me mend në krye që vërtetë kanë çka të thuan, e kanë vështirë të dallohen në këtë “koncert” lehjesh pa dirigjent dhe pa partitura. Mjafton të kesh mllef dhe padituri, të tjerat nuk janë me rëndësi. Mjafton të shënjestrosh dikë me faj e pa faj, të tjerat janë të dorës së dytë.StrugaLajm

Guximi për të relativizuar mendimin kompetent, i cili gjithnjë e më pak po del në pah, nga ata që “vend pune” e kanë Facebook-un, po shkon duke i zgjeruar kufijtë e injorancës publike. Ngjarjet, për të cilat duhet të japin shpjegime kredibile shumë njerëz të fushave të ndryshme, me shpejtësi marramendëse po vendosen në rendin idiotik të interpretimeve. Ndodhitë në Rrugën e Kombit, bie fjala, që lidheshin me kundërshtimin e dhunshëm të vendosjes së taksës rrugore, ose dëbimi i Gjuriqit, e më vonë edhe i gjashtë shtetasve turq, qenkan sajuar, sipas gjithologëve të Facebook-ut, vetëm sa për të lënë nën hije një ngjarje më madhore. Pra, me fjalë të tjera “rasti Gjuriq” qenka shpik për të lënë nën hije Demarkacionin me Malin e Zi, ose dëbimi i gjashtë shtetasve turq, sipas Aleksandër Vuqiqit (ky një “këlysh pak më i madh i mejhanes ballkanike të thashethemnajës), qenka kurdisur pikërisht tani sa për të anashkaluar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nëse ndodhë ndonjë lëkundje tektonike e tokës, duhet të presim nga “ekspertët” e tërmeteve që “punojnë” në Facebook të na thonë se nuk ka qenë bash tërmet, se ashtu na është dukur, sepse ata kanë “fakte” që ka qenë një simulim për të lënë nën hije një dordolec teksa po rrezitej në pikë të verës.

Deri sa po numërojmë viktimat e këtij trivialiteti që po i ndodhë hapësirës sonë publike, ka të ngjarë që shumë ngjarje që vërtetë meritojnë vëmendje, të na ikin pa trajtimin e merituar, sepse “lehja” është bërë shkencë me do “klysha” që asnjëherë nuk do të arrijnë të bëhen racë e zgjuar e Sharrit. (koha.mk)


Loading...
loading...