Letër bijës sime!

shkruan: Luljeta Aliu

Bija ime, mësohu ta përqafosh vuajtjen. Nëse je e dobët, vuan nga pamundësia jote të përballesh me jetën, ta mbrosh veten ndaj tjerëve. Nëse je e fortë vuan poashtu. Vuan sepse nuk mund të jesh dikush tjetër, që pajtohet me rrethanat. Vuan sepse të luftosh është lodhje, të luftosh nënkupton të krijosh armiq.

Të luftosh është vuajtje, bija ime. Por, një vuajtje më e thellë dhe më dinjitoze sesa të vuash nga frika që të luftosh, pra nga dobësia. Sepse e dobët është vetëm ajo që ka frikë të ngrehë zërin për veten e saj. Dobësia është vuajtje bija ime. Edhe forca do të të bëjë të vuash. Por vuaj duke luftuar, bija ime e mirë, mos vuaj nga dobësia.

Forca jote do të detyrojë të largosh shumë miq, të cilët i dëgjon si flasin keq për ty. Ata janë të dobët zemër, nuk e arrijnë të kenë sukses si ti, pa i dëmtuar të tjerët, prandaj të kanë mëri. Fali bija ime, sepse nuk munden ndryshe, janë të dobët.

Forca jote do të jetë një barrë e rëndë për supet tua të lëmuara e të njoma. Por, mbaje barrën me krenari, zemër, sepse forca është dhuratë vetëm për guximtarët. E di që do lëndohesh, sepse do të fjalosesh edhe me mua, edhe me babain tënd, sepse do të mundohemi të të kufizojmë, nga frika se na ikën.

Do të lëndohesh, sepse i dashuri yt do të mundohet të të burgosë në dashurinë e tij, do të të lëndojë me tradhëtinë e tij, por kuptoje bija ime e fale, sepse ai nuk do të mundet të përballojë forcën tënd, ai është i dobët dhe dëshiron të të ngrehë poshtë te ai. Por ti mos u dorëzo bija ime, një dashuri që nuk të ngritë por të rrëzon, nuk është dashuri por shfrytëzim i forcës tënde. Do të vuash bija ime, sepse do të gabosh edhe ti, do të duash njerëz që duan veten e tyre dhe ty të shohin si mundësi realizimi interesash për veten, e ti do të zhgënjehesh nga kjo e vërtetë, sepse zemra jote e drejtë do të lengojë.

Bija ime, mos u dorëzo asnjëherë, mos harro asnjëherë se kjo jetë është si një pyll me zana e demona, të gjithë duken njësoj, por ti do të arrish ta bësh dallimin me kohë. Dëgjo, bija ime, jeta është e bukur kur i takon zanat, kur i mposht demonët. Do të duhet të luftosh demonët nëse je e fortë. Por të paktën nuk do të duhet të jetosh me demona përgjithmonë. Prandaj ke guxim të jesh e fortë, bija ime! E unë do të jem aty duke të mbajtur për dore.

In : Aktuale

Loading...
loading...