Ligji n’Absurdistan: Arushën e mbron, shqiptarin e shkel

Nuk mund të shpjegohet lehtë se si arritëm në këtë derexhe tersllëku dhe pisllëku. Kinse rrjedhim nga sojli dhe fisnikë, të cilët dikur kanë dhënë kontribut si në Perëndim ashtu dhe në Lindje! Që të dy këto kultura na e kanë pa hairin. Sot, jemi zullumqarë të sojit të vet. Duket sheshit dhe ashiqare, se na si shoqëri nuk mund t’i dalim zot vetes. Sikur na rëndon një ogur i zi!

Nga Shaqir ISLAMI

Shqiptarët e hanë turpin me lugë. Ne jetojmë n’Absurdistan dhe shtiremi se jemi lumtur. Por, dorën n’zemër një pakicë e jonë janë për nime të lumtur. Bile, dhe më shumë se aq. E si të mos jenë! Nga ‘kërkushë’ u shndërruan në agallarë-osmanlinjsh. Dhe çojnë jetën me agallëk. Ndërsa shqiptarët i shndërruan në rajë! Pra mes nesh,ka të lumtur, të pa lumtur, dhe ka të tillë që janë të harruar nga ne, nga shteti dhe nga vet Zoti. Dhe kjo sagë e këtyre njerëzve dergjet me dhjetëvjeçarë të tërë. Ky hall i këtyre njerëzve, është diskriminim me ligj të shtetit të Absurdistanit.

Shqiptarët kanë marrë dhe marrin ditë-për-ditë nënshtetësi: kanadeze, amerikane, gjermane, italiane, çeke, … ndërsa, nuk mund të marrin nënshtetësinë e vendit ku kanë lindur, ku u ka lindur baba, nëna, gjyshi, gjyshja, … Tema e sodit është marrëdhënia e arushës dhe shqiptarit me ligjin. Unë jam malësor. Prandaj e dua dhe e nderoj malin deri në adhurim. Kam një ‘bandë’ shokësh, me të cilët ecim shpesh dhiareve të Sharrit. Ky dëfrim sportiv, na ka mundësuar të njihemi me malësorët e anës sonë të malësisë së Sharrit.

Kemi krijuar ‘shoçni’me njerëz profilesh të ndryshëm. E sidomos i vizitojmë dy bletarët dhe ish-gjuetarët e moshuar LalëTrajkun dhe lalë Despotin. Këta i vizitojmë më shpesh, dhe bëjmë ‘llaf e muhabet’ dhe qajmë dertet dhe hallet e jetës. Na mirëpresin me bujari malësorësh, mu siç thotë ajo thënie popullore: me bukë, kripë dhe zemër. Por, jo vetëm kaq. Këta na nxjerrin në sofrën e avllisë edhe raki rrushi. Dhe, çka t’ju them, … rakinë e rrushit e kanë aq të mirë – tamam siç e thotë, reklama e një radios turke në Kosovë – “Ilaç gibi Radio”. Natën e një të Shtune, Lalë Trajkun e kishte ‘gjetur belaja’. Por, jonë atë derexhe si “rahmetli Hajredin Pashën”. Lalë Trajkun e gjetëm të pikëlluar dhe zemëruar shumë. Shkak ishte arusha; ia kishte shkatërruar disa koshare zgjojesh të bletëve. Zullumi i arushës ishte bajagi si shumë. Njëri nga shokët, deshi t’i jepte ‘gajret të thatë plakut të dëshpëruar duke i thënë – pse nuk e more pushkën dhe ta vrasësh atë arushë zullumqare ?StrugaLajm

Ai tha qetë: “Erançe nuk guxoj, se e mbron Ligji. Arushën e mbron shteti me Ligj”.Dhe vazhdoi me dëshpërimin e vet: “Çfarëdo dhe sado dëm të bëjë, arushën nuk guxon ta vrasësh sepse e mbron shteti dhe Ligji. Dëmin që e shkakton e merr përsipër shteti, dhe e dëmshpërblen malësorin”. E tani, Ligji për shtetësinë e RMV-së, ka dallim nga Ligji Për mbrojtjen e arushës. Ky ligj është hepten e kundërta. Ligji për Shtetësinë i nëpërkëmbë dhe i çnjerëzon mbi njëqind mijë qytetarë Shqiptarë. Dhe, gajle s’ka as shteti, as ligji. Askush nuk ka gajle se këta njëqindmijë veta janë të çnjerëzuar! Klasa politike shqiptare, për këtë zullum politik, meriton ta merr çmimin: Doctor Honoris Causa. Nuk kam dëgjuar, për ndonjë klasë politike që të ketë çnjerëzuar kaq njerëz, dhe të mburret me të arritura politike. Dhe të mos turpërohet fare, përkundrazi të krekoset si thithëlopa!

Këta njëqindmijë pa dokumente identiteti janë qytetarët më të diskriminuar në Europë. Njerëz pa identitet, do të thotë kufoma të gjallë!!! Të çnjerëzuar me ligj, të cilin e kanë votuar dhe e miratojnë vet politikanët shqiptarë, … të cilët hanë mut, ditë për ditë dhe rrahin gjoks, gjoja se luftojnë për të drejtat e qytetarëve! Atëherë shtrohet pyetja: po këta njëqindmijë ‘njerëz pa identitet’, a janë qytetarë të vendit tonë ? Jo, edhe pse kanë lindur, punojnë dhe jetojnë në shtëpitë e tyre, këta të mjerë janë të privuar nga e drejta për të pasur dokumente identifikimi. Këta jetojnë në të zezë, këta janë pa letra në shtëpi të vet.StrugaLajm

Këta njerëz të harruar, punojnë, paguajnë çdo taksë, japin kontribut në këtë shoqëri më shumë se arusha, dhe shteti diskriminues ua mohon identitetin pse janë vetëm shqiptarë. Thjeshtë vetëm pse janë shqiptarë, e mbajnë etiketën në ballë: “Janë të rrezikshëm për shtetin”. Mjafton kjo fjali absurde, dhe shndërrohesh në zero.

Prandaj, ky shtet është Absurdistan, sepse sjell dhe zbaton ligje diskriminuese absurde vetëm ndaj shqiptarëve dhe çnjerëzon një popullatë autoktone, vetëm me një fjalitë dhjerë-bajate që u etiketohet njerëzve të ndershëm dhe të vyeshëm: “I rrezikshëm për Shtetin”. Mbase janë pa identitet, këta nuk kanë as dokument identifikimi, as mbrojtje shëndetësore, ekonomike, sociale dhe politike. Këta të shkretë janë, le ta them germë për germë: a-s-k-u-sh. Këta janë, kufoma të gjallë që bredhin rrugëve, korridoreve të institucioneve shtetërore, duke lutur që të barazohen me njerëzit e këtij vendi. Këta të shkretë nuk janë as në grupin e arinjve, as në grupin e qytetarëve. Thjesht të çnjerëzuar nga Ligji për shtetësi që e votojnë batakçinjtë-politikanë që i thonë vetes “Shqiptarë”.

Në Absurdistan çdo arushë është e mbrojtur me ligj; ndërsa shqiptari shkelet me të. Shqiptari këtu përdhoset dhe nëpërkëmbet me ligj. Dhe ana qesharake e këtij tregimi është se politikanët-pehlivanë-patriotë-shqiptarë kanë votuar dhe do e votojnë sërish këtë ligj që çnjerëzon qytetarët shqiptarë, duke i shumëzuar me zero.

Jemi një shoqëri e katandisur dhe e hutuar. Ja e pranoj, më në fund – por nuk dorëzohem dot – se sado që përpiqem nuk arrij dot ta kap fijen e lëmshit në të cilin përpëlitemi! Nuk mund të shpjegohet lehtë se si arritëm në këtë derexhe tersllëku dhe pisllëku. Kinse rrjedhim nga sojli dhe fisnikë, të cilët dikur kanë dhënë kontribut si në Perëndim ashtu dhe në Lindje! Që të dy këto kultura na e kanë pa hairin. Sot, jemi zullumqarë të sojit të vet. Duket sheshit dhe ashiqare, se na si shoqëri nuk mund t’i dalim zot vetes. Sikur na rëndon një ogur i zi! Edhe pse qytetërimi ku jetojmë nuk i zë besë besëtytnive, megjithatë, me ne diç nuk është në rregull ose vet rregullin e kemi shaluar ters. Siç e thotë populli, i kemi hip ‘pelës’ mbrapsht.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...