Lojërat e fatit, lojë me fatin

Bastoret jo vetëm në Maqedoni, por në të gjitha shtetet e rajonit po hapen në çdo kënd, duke filluar nga sheshet kryesore të qyteteve më të mëdha e deri tek rrugicat e përgjumura të fshatrave të ndryshme. Për dikë “bastomania” mbetet asgjë më shumë sesa një mënyrë e argëtimit pas një jave të lodhshme pune, kurse për dikë tjetër është shpresa e vetme për të fituar pak para duke provuar fatin me mbushjen e tiketave, shkruan gazeta KOHA. Në shoqëritë e Ballkanit, me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, dëshira për t’u bërë milioner për një moment i ka bërë njerëzit që të shpenzojnë vazhdimisht, në të gjitha format e mundshme të lojërave të fatit. Se “bastomania” te ne që dita-ditës po merr përmasa të rritjes, këtë e dëshmon edhe fakti se qytetarët në Maqedoni kanë harxhuar afër 200 milionë euro vetëm në vitin 2015 në lojërat e fatit, përfshirë bastoret sportive dhe kazinotë , me shpresë se do dalin prej problemeve të përditshme financiare. Të dhënat më të fundit tregojnë se vetëm dy bastoret më të mëdha në vend gjatë vitit 2015 kanë patur qarkullime marramendëse. Edhe atë, “Sport lajf trend” ka qarkulluar 65 milion euro, ndërsa bastorja tjetër- “Zlatna Kopaçka” ka qarkulluar 57 milionë euro.

Sipas sociologëve, shuma kaq e lartë që kanë harxhuar qytetarët në bastore apo edhe në lojëra tjera të fatit, vjen si rezultat i varfërisë, rënies së ekonomisë, papunësisë së lartë, që mundojnë gjithnjë e me shumë shoqërinë tonë. Andaj theksojnë ata, qytetarët në lojërat e fatit e shikojnë mundësinë për të zgjidhur hallet dhe problemet e ndryshme që i mundojnë në jetën e përditshme. Qytetarët që provojnë fatin e tyre në bastore thonë se luajnë për të fituar dhe kjo mani e tyre është bërë një vend-takim për lojtarët, që tashmë këtë e kanë bërë përditshmëri. Qytetarët shpresojnë se me pagesën e një tikete prej 50 apo 100 denarë, do të mund të fitojnë deri në 600 mijë denarë, që të zgjedhin problemet e ndryshme ekzistenciale. Ndërkaq, një hulumtim i Qendrës për krijimin e Politikave tregon se pjesa më e madhe e qytetarëve që shkojnë në bastore janë të rinjtë, por nuk mbesin mbas as më të moshuarit dhe ato me status të rrezikuar social. Hulumtimet, përcjell KOHA, tregojnë se madje 72 për qind e qytetarëve shkojnë në bastore për shkak të shkaqeve ekonomike, gjegjësisht mungesës së mjeteve financiare.

“Në shtetet me standard të lartë, bastoret sportive kryesisht janë vende ku qytetarët pinë një birë dhe investojnë pak para në klubet e tyre që i adhurojnë dhe ndeshjet e të cilave i shikojnë me interesim më të madh. Zbavitja shpesh herë është shkak për të cilën luajnë bast njerëzit ne vendet ekonomikisht të zhvilluara. Por te ne arsyet janë tërësisht të kundërta, gjegjësisht paraqesin mundësi për të fituar, respektivisht statusi i ulët socio-ekonomik dhe standardi i dobët i qytetarëve janë shkaqet kryesorë pse qytetarët në mënyrë masovike vënë baste”, tregojnë analizat e Qendrës për krijimin e politikave. Analiza shton më tej se dallimi ndërmjet basteve sportive dhe lojëra të tjera të fatit është në iluzionin për atë se sa është mundësia e fitimit. Qytetarët që luajnë bast besojnë se kanë më shumë gjasa për të fituar për shkak se ata vetë i zgjedhin ngjarjet sportive ku do t’i investojnë paratë dhe vetë i rregullojnë kombinimet për lojë në bazë të rregullave të cilat u dedikohen të gjitha bastoreve sportive. Fenomenit i bastoreve sportive është karakteristikë jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë shteteve të rajonit. Analizat tregojnë se në të gjitha shtete e rajonit më shumë se gjysma e popullatës jetojnë në shpresë se me luajtjen e lojërave të fatit do të arrijnë tek paratë. Sociologët këtë fenomen e karakterizojnë si kulturë të varfërisë, që qartë pasqyron edhe pozitën sociale të popullatës në këtë rajon.StrugaLajmStrugaLajm

NË EVROPË HARXHOHEN MBI 120 MILIARDË DOLLARË NË LOJËRA FATI

Në Itali nga lojërat e fatit inkasohen 8 miliardë euro në emër të tatimeve, ndërsa vëllimi i punës së tyre paraqet 3.7 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto italian, menjëherë pas kompasnisë së mirnjohur të automobilave “Fiat” dhe industrisë së naftës “Eni”. Sektori i lojërave të fatit me 120 mijë të punësuar renditet si punëdhënësi më i madh atje. “Në Evropë për lojërat e fatit në vit harxhohen më shumë se 120 miliardë dollarë, ndërsa edhe atje me krizën ekonomike të viteve të fundit rritet numri i qytetarëve që dëshirojnë shpejtë të zgjidhin problemet e tyre. Në strukturën e njerëzve që hyjnë në bastore në BE, 47 për qind janë të varfër, madje 66 për qind janë të papunë” vlerëson Davorin Olivari , bashkëpunëtor i shtëpisë konsulente A.T.Kearny nga Roma. Sipas tij, çdo shtet ka specifikat e tij të lojërave të fatit. Kështu, në Britaninë e Madhe më të popullarizuara janë bastoret, në Spanjë dhe Itali preferohen më shumë bingo, ndërsa në Francë preferohen kazinotë.StrugaLajm

VJEDHJE NË NJË KAZINO DHE BASTORE NË SHKUP DHE PRILEP

Nga një kazino në Shkup dhe bastore sportive në Prilep të mërkurën kryerës të panjohur me kërcënim me pistoletë kanë kryer vjedhje, me ç’rast janë marrë gjithsej 64.000 denarë. Siç informoi MPB-ja, në buletinin ditor, në ora 8:50, është denoncuar se në një kazino në bulevardin “Partizanski odredi” në Shkup një person i panjohur me kërcënim me pistoletë nga të punësuarit ka marrë rreth 30.000 denarë, pas së cilës ka ikur në drejtim të panjohur. Në bastoren sportive në rrugën “Car Samoil” në Prilep, të mërkurën në ora 21:30, dy kryerës të panjohur të maskuar me kërcënim me pistoletë kanë kryer plaçkitje mbi të punësuarën. Ata e kanë takuar para hyrjes të punësuarën në bastore, e kanë futur brenda dhe nga arka kanë marrë 34.000 denarë, pas së cilës kanë ikur në drejtim të panjohur. Siç kumtoi MPB-ja, ndërmerren masa për gjetjen e kryerësve dhe për zbardhjen e plotë të dy rasteve.

In : Aktuale

Loading...
loading...