Maqedonia renditet e fundit në rajon për nga pagat
Një nga problemet kryesore të qytetarëve është standardi i tyre dhe fuqia e blerjes. Krahas statistikave të publikuara se pagat po rriten nga muaji në muaj dhe premtimeve të politikanëve, ekspertët mendojnë se duhet të ndërmerren masa të vërteta të cilat do t’i ndjejnë qytetarët në përditshmërinë e tyre.
Rritje e produktivitetit, konkurrencë më e madhe në sektorin privat, më shumë investime, janë vetëm një pjesë e masave dhe politikave ekonomike të cilat do të kontribuojnë për standard më të mirë të qytetarëve, tha Bllagica Petreski nga Instituti Finance Think. Me përmirësimin e gjendjes ekonomike pritet që të rriten edhe rrogat dhe të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve.
“Analizat tregojnë se qytetarëve të Maqedonisë u mungojnë mjete financiare për t’i realizuar nevojat e tyre themelore për shportën minimale konsumuese, dhe mendoj se kjo është pasojë e nivelit të ulët të pagave”, u shpreh Bllagica Petreski, nga Instituti për Analiza Ekonomike, Finance Think.
Qytetarët pjesën më të madhe të buxhetit familjar e shpenzojnë për ushqim dhe fatura. Përllogaritja e fundit e LSM-së tregon se pikërisht për këto gjëra, një familje katër –anëtarëshe ndan së paku 25 mijë denarë, mbi 2 mijë denarë nevojiten për transport dhe mirëmbajtjen e higjienës dhe mjetet të tjera shkojnë për manifestime kulturore, blerjen e veshjeve, shëndetësi dhe barna.
Grafikë: Shporta sindikale
1. Ushqim dhe pije 13.422,12
2. Akomodim 10.468,21
3. Higjienë 2.214,21
4. Transport 2.339,98
5. . Veshje dhe këpucë 2.122,62
6. Kulturë 1.070,00
7.Mirëmbajtje e shëndetit 673,37
Gjithsej 32.310,94
Njohësit e kësaj problematike vlerësojnë se lartësia e pagave e pasqyron realitetin për standardin jetësor, jo vetëm në vendin ton por edhe në rajon.
“Nga aspekti i çmimeve, Maqedonia është në nivel më të ulët, megjithatë nga aspekti i pagave, paga më të ulëta kanë Shqipëria dhe Kosova. Në situatën e Maqedonisë, ky trend i çmimeve dhe pagave mund të thuhet se lëvizin në drejtim të kundërt proporcional. Nga viti 2013 çmimet janë rritur më shpejtë në raport me pagat ndërsa pas vitit 2013 pagat kanë pasur rritje më të shpejtë se sa çmimet”, shtoi Bllagica Petreski.
Të dhënat zyrtare tregojnë se paga e fundit e paguar minimale në vend është pothuajse 380 euro. Megjithatë, kjo është pothuajse tri herë më pak se në Slloveni ku paga mesatare është 1050 euro, dy herë më pak se në Kroaci ku paga mesatare është 800 euro, dhe për 150 euro më pak sesa mesatarja në Bullgari – vendi më i varfër në Bashkimin Evropian, me pagë mesatare prej 530 eurove.
Pasojnë Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina me 510, përkatësisht 430 euro. Standard më të ulët jetësor sesa qytetarët e Maqedonisë kanë qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.