Marketingu online domosdoshmëri apo nevojë e kohës?

Nga: Arbenita Meta
(Autorja është magjistre e menaxhimit industrial)
Shpesh herë në ditët e sotme, profesionistët apo ndërmarrjet e vogla nuk bëjnë publicitet në web nga frika e një kostoje të lartë. Për këtë frikë jo të motivueshme shumë prej tyre heqin dorë nga një faqe webi shumë efikase dhe si rrjedhim privohen nga instrumente merketingu shumë të rëndësishme të cilat në kohët e sotme mund të cilësohen si jetësore.

Në një shoqëri gjithnjë e më shumë teknologjike e të lidhur ngushtë me internetin është e pajustifikueshme mungesa e një prezence online, në telefona, në rrjete sociale e në motorët e kërkimit.

Përse është kaq e rëndësishme të bësh marketing nëpërmjet internetit dhe çilat janë frytet që sjell ky i fundit? Pyetje apo dyshime të cilat gjenerohen natyrshëm nga çdokush. Përgjigjet nuk janë kaq të thjeshta por diçka është e sigurt, diferenca është e dukshme në rezultat. 83% e përdoruesve përdorin motorët e kërkimit për të gjetur informacione për argumente apo shërbime të ndryshme. Klientit i pëlqen të mund të vlersojë e të krahasojë shërbimet apo produktet që i ofrohen.

Marketingu në internet tashmë është fusha më e re e kërkimit e cila synon gjithmonë të paraqesë rëndësi strategjike për bizneset të cilat gjithnjë e më shumë kanë drejtuar përpjekjet e tyre drejt tregut elektronik.
Si mund të bëhet marketing në internet?
Për një biznes nuk mjafton thjeshtë një prezencë online për tu përkthyer në marketing. Ky proces është i vazhdueshëm.

Mënyrat dhe llojet e marketingut në internet janë të ndryshme. Mund të përmendim:
– Email Marketing: marketingu nëpërmjet emaileve, një mënyrë për të transmetuar tek konsumatorët mesazhin komercial të nevojshëm duke përfshirë emaile që kanë në përbërje, reklama, të reja mbi biznesin apo produktet tuaja.
– Search Engine Optimization: optimizimi per motorët të kërkimit është një metodologji e strategji, që ndiqet për të rritur numrin e vizitorëve në një faqe web duke përfituar një renditje sa më sipër të jetë e mundur në kërkimin e faqes nga motorët e kërkimit, duke përfshirë Google, Yahoo, Bing dhe të tjera.

– Search Engine Marketing: marketingu në motorët e kërkimit shërben për të rritur shikueshmërinë e faqes tuaj web në rezultatet e motorëve të kërkimit.
– Social Media Marketing: i referohet procesit të gjenerimit të trafikut në faqet web nëpërmjet faqeve të rrjeteve sociale. Programi i këtij lloj marketingu kryesisht synon të krijojë një përmbajtje që tërheq vëmendjen dhe nxit lexuesit ta shpërndajnë atë në rrjetin e tyre social.
– Display Marketing: Display advertising është një lloj reklamimi që shfaqet në këto forma: tekst, logo, foto, animime, video, harta etj., përdoret për promovimin e produktit ose kompanisë suaj.
– Content Marketing: është lloj marketingu që përfshin krijimin dhe shpërndarjen e publikimeve për të fituar klientë. Ky informacion mund të jetë në formate të ndryshme si: lajme, video, letra, e-books, infographics, studime shkencore, guida, pyetje dhe përgjigje etj
Më sipër u përmendën disa nga format e të bërit marketing në internet. Qëllimi i të cilave është një shikueshmëri e lartë dhe klientelë gjithnjë e në rritje.
Cilësia e shërbimeve dhe ideja e marketingut në internet perbën një sfidë për të ardhmen e çdo biznesi.

Për një kohë relativisht të shkurtër kryefjala e botës së madhe të internetit u bë marketingu online. Kështu interesi i zhvillimeve të reja në cdo aspekt që lidhet me mbarvajtjen e një biznesi u zhvendos drejt këtij të fundit. Mund te cilësohet si një tërheqje për një tendencë të kohës por efikasiteti i të bërit marketing në internet e largon nga koncepti i termit tendencë dhe e cilëson si një domosdoshmëri e nevojë.

Ështe e sigurt se marketingu si funksion apo edhe si filozofi nuk do të vdesë kurrë, por në anën tjetër marketingu do të jetë gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm, duke venë gjithnjë në dyshim ato çka kushdo ka mësuar për marketingun e që i quan të mirëqëna. Ndaj asnjëherë ky process nuk do të ndal në një pikë fikse.
Çdo gjë nis me klient, nëse nuk ka klient, nuk ka biznes.
Duhet të jeni aty ku janë dhe klientët tuaj, që do të thotë se nëse klientët tuaj gjenden online ateherë aty duhet të jeni edhe ju. Sepse nuk ka më rendësi sa i mirë është produkti juaj nëse askush nuk e njeh, është njësoj sikur mos të ekzistonte!

 


Loading...
loading...