BLENDI PETROL
AktualeKulturë

“MARRËVESHJA E SHKUPIT (27 PRILL 1463) DHE FITORET E SKENDERBEUT NE VITET 1462-1465”

Prof. Dr. Nebi Dervishi
USHT

“MARRËVESHJA E SHKUPIT (27 PRILL 1463) DHE FITORET E SKENDERBEUT NE VITET 1462-1465”

Me rastin e 555 vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Paqes, në mes sulltanit dhe Skenderbeut

Më 27 prill të vitit 2018, mbushen plotë 555 vjet nga marrëveshja e Shkupit, e lidhur në mes Sulltan Mehmetit II dhe diplomacisë së Heroit tonë kombëtar Gjergj KastriotI Skenderbeu, për të cilën deri tani historiografia shqiptare shumë pak e ka trajtuar.
Në kuadrin e lidhjeve të Skënderbeut me shtetet italiane, një vend të veçantë kishin ato me Mbretërinë e Napolit. Skënderbeu dhe fisnikët e tjerë shqiptarë, në vitin 1451 lidhën traktat me mbretin Alfonsi V të Napolit për të bashkpunuar në luftën antiosmane dhe projektuan edhe çlirimin e viseve të pushtuara. Në këtë kuadër më 1455 erdhën disa qindra ushtarë napolitanë që morën pjesë në betejën e Beratit.
Pas vdekjes së Alfonsit V (1458), i biri, Ferdinanti I, hoqi dorë, plotësisht nga ideja për t’u shtrirë në drejtimin të Ballkanit dhe përkohësisht lidhjet e tij me shqiptarët e dobësuar. Për të gjallëruar mardhënjet me mbretërinë e Napolit, Skenderbeu ndërhyri në luftën qytetare që kishte shpërthyer atje dhe i dha ndihmën ushtarake mbretit Ferdinand.
Në shtator të vitit 1460 Skenderbeu dërgoi grupin e parë të luftëtarëve të drejtuar nga i nipi, Goiko Stres-Balsha. Në fund të gushtit të vitit 1461, në krye të 2-3 mijë luftërave, Skenderbeu u nis për në Itali dhe zbarkoi në Barleta, ku gjendej i rrethuar mbreti Ferdinand. Forcat kundërshtare i zuri paniku përballë luftërave shqiptare dhe u detyruan të hiqnin dorë nga rrethimi i Barletës. Skenderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme dhe çliroi një varg qytetesh e qendrash të fortifikuara, si: Tarenti, Sant Anzhelon, San Xhovani, Rotondon, etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e vyer, mbreti Ferdinant i dhuroi si prona heroit shqiptar Sant Anxhelon e Sant Xhovani Rotondon dhe i caktoi atij një pension vjetor prej 1200 dukatësh.
Pasi sulltan Mehmeti II në vitin 1453 pushtoi kryeqendrën e Perandorisë Bizantine, Konstantinopojën, të cilës iu dha emri Stamboll, u rrit frika ndaj rrezikut të pushtimeve osmane. Ajo përfshin edhe sundimtarët e disa vendeve të tjera evropiane. Në këto rrethana filluan të hartoheshin projekte për një luftë të përbashkët të vendeve evropiane kundër Perandorisë Osmane. Një gjë të tillë papët e propaganduan gjërësisht, duke i dhënë edhe veshje fetare, si një “kryqëzat kundër të pafeve”.
Projekte antiosmane hartuan mbreti Alfonsi V i Napolit, papa Nikolla V, papa Kaliksi III, papa Piu II, princa e mbretër gjerman e hungarez, emiri Ibrahim në Azi të Vogël, etj.
Në të gjitha këto projekte për luftë të përbashkët, një vend qendror i jepte ushtrisë shqiptare të Skëndërbeut. Kështu p.sh. në projektin e papa Piut II parashikohej që ushtria e përbashkët evropiane të ishte 40 mijë veta, gjysmën e tyre do ta dërgonin vendet evropiane dhe do të zbarkonte bashkë me papën në Raguzë për t’u bashkuar me 20 mijë luftëtarë shqiptarë. Kjo ushtri e fuqishme do të formonte frontin qendror, (në frontin e Danubit do të vepronin hungarezët, kurse në bregdetin e Greqisë flota luftarake e shteteve italiane) dhe do të kishte si komandantë të Përgjithshëm Skenderbeun, të cilin Papa Piu II do ta kurorzonte mbret. Papa dhe Skenderbeu vepruan energjikisht për realizimin e këtij projekti.
Pas humbjes së rëndë që pasuan në betejën e Ujë Bardhës më 1457, ushtritë osmane i ndërprenë për disa vjet sulmet e tyre mbi viset e lira shqiptare. Gjatë kohës së ekspeditës shqiptare në Itali u nënshkrua edhe një armëpushim me turqit, në vitin 1460.
Skenderbeu u kthye në Shqipëri më 1462, në një kohë kur çështja e kryqëzatës ishte gjithnjë në rend të ditës, pa u vënë akoma në vijë organizimi i saj. Në Shqipëri ai gjeti një gjendje jo fort të qetë. Republika e Shën Markut (Venedikut), e shqetësuar nga forcimi i aleancës shqiptaro-napolitane, filloi prapë nga provokimet e saj të vjetra. Nga ana tjetër, duke kujtuar se gjendja e Skenderbeut ishte e dobësuar, sulltan Mehmeti i II Fatihu dërgoi atë vit kundër shqiptarëve tri ekspedita njërën pas tjetrës. Por, edhe këtë radhë shqiptarët i bënë ballë furtunës turke. Si gjithmonë nën udhëheqjen e Skenderbeut, të tri ekspeditat turke u thyen. E para më 27 gusht 1462 në grykën e Mokrës e komanduar nga Sinan Pasha e Hysein Beu; të dytën pak ditë më vonë në betejën e Shkupit në komandën e Jusuf Beut dhe të tretën në një ditë vjeshte të vonshme në Livadhi pranë Ohrit e komanduar nga Karaxho Beu. Në vitin 1462, Skenderbeu për herë të parë në jetën e tij, po korrte një fitore të trefishtë brenda një viti, duke kapur edhe njërin nga komandantët, Hysein Beun. Por, shqiptarët e ndjenë se s’do të mund të korrnin më fitore të tjera në një luftë në dy fronte. Ata e ndjenë se duhej përfunduar paqja ose me Turqinë ose me Venedikun.
Vazhdimi i luftës kundër turqve në një kohë kur Shqipëria ishte e shkretuar dhe e izoluar, dhe zgjatja pa shpresë e përgatitjeve të kryqëzatës që kishte ndërmarrë papa Piu II, e detyruan Skenderbeun të pranonte paqen e propozuar nga sulltan Mehmeti II, i cili synonte në këtë mënyrë ta shkëpuste Skenderbeun nga kualicioni evropian. Paqja u nënshkrua në Shkup më 27.prill 1463.
Marin Barleci nuk e përmend fare Marrëveshjen (Paqen) e vitit 1463. Ai ka dijeni vetëm për armëpushimin e vitit 1460, para ekspeditës italiane. G. Biemi i përmend që të dyja, por nuk di asgjë mbi kushtet e tyre, sepse Anonimi i Tivarit hesht mbi to. “… Atëherë Skenderbeu, duke parë se fjala e tij kishte qenë e kotë, ju shtrua… vullnetit të të vetëve dhe, pa ndonjë kundërshtim tjetër, nënshkroi traktatin e paqes, për të cilin Tivarasit nuk thotë se ç’nene kishte”. Roti (Roth) në punimin e tij duke e nxjerrë informatën e tij nga Kritobulli, vëren: “Pasi Skenderbeu nuk mund t’u bënte më ballë sulmeve të Sulltanëve, më 1463 përfundoi një paqe dhjetëvjeçare, sipas së cilës ai e njihte Sulltanin për kryezot dhe detyrohej t’i dërgonte një haraç vjetor të përbërë prej dhensh e çunash. Përkundrazi, Kristobulli, Lii III, paragrafi 92, mbi Skenderbeun shkruan: “Arianoi dhe Aleksandri mbrojnë vendin e tyre heroikisht; nuk duan t’i nënshtrohen Sulltanit, as t’i paguajnë tribut, as ta dëgjojnë për gjë fare”.
I vetmi shënim mbi kushtet e Paqes së Shkupit në burimet e arkivave është ai i një dokumenti i botuar prej L. Lubiçiq, “Istime” Vëll. I, nr. CCLXXIII, më 3 shtator 1463, faqe 269-270) dhe prej Shafarikut (faqe 521-523), sht., Nr. 36), sipas të cilit e veja e Aranonit ankohet që një nga të bijtë, në bazë të këtij traktati do të dërgohej me një kontigjent shqiptarësh të luftonte për Sulltanin. Por, venedikasit e sigurojnë të venë e Aranitit dhe vjehrrën e Skenderbeut se një gjë e tillë s’kish për të ngjarë; krejt kjo çështje tingëllon si një intrigë familjare e thurur prej djemve të Gjergj Arianitit, që ishin kundërshtarë të Skenderbeut dhe kishin refuzuar të merrnin pjesë në dasmën e martesës e të së motrës (Donikës) me të (Skenderbeun).
Në pranverën e vitit 1463, Mehmeti II Fatihu arriti në Shkup me tërë ushtrinë e tij të Evropës dhe të Azisë, shkruan Fan Noli, (në “Gjergj Kastriot Skenderbeu”, Prishtinë, 1968, faqe 134). Kjo po drejtohej kundër Bosnjës, por shqiptarët kishin frikë se mos hidhej kundër Shqipërisë”.
Më 1463 sulltan Mehmeti II, nga frika e përgatitjes që bënte papa Piu II për një kryqëzatë të përgjithshme kundër turqve, kërkoi paqe nga Skenderbeu me kushte të barabarta. Skenderbeu e paraqiti çështjen në Këshill dhe u përpoq t’u mbush mendjen shokëve të mos e pranojnë paqen, pasi ish në përgatitje e sipër kryqëzata, në të cilën shqiptarët do të ishin flamurtarë, duke mbajtur vendin e parë. Ishin shumë nga pjesëtarët e Këshillit që, të lodhur nga luftërat e njëpasnjëshmë, dëshironin paqe e qetësi dhe ndjeheshin të kënaqur që vetë armiku po ua falte. Në mesin e shumë pjesëmarrësve në Këshill ka qenë edhe Tanush Topia (i nipi i Andre Topisë), që të dy pjesmarrës në Kuvendin e Lezhës (2 mars 1444). Tanush Topia na paraqitet si një nga fytyrat më simpatike, një nga burrat më të ndershëm, më i urtë e më i matur, komandant i aftë, trim dhe një nga bashkëluftëtarët më besnik i heroit Kombëtar Gjergj-Kastriot-Skendërbeu, që e donte me zemër kryetrimin Legjendar, Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Në një fjalim që mbajti në Këshill për të mbrojtur paqen me Turqinë (Traktati i Paqes së Shkupit), tregohet njeri me njohuri të gjerë mbi gjendjen e Evropës së asaj kohe; Tanush Topia ishte nga më paqedashësit shokë të Skenderbeut; ai mërzitej shumë nga luftat e pandërprera që populli shqiptar ishte i shtrënguar të bënte për të mbrojtur truallin e vet. Atë e shqetësonin vuajtjet e mjerimet që i shkaktonte popullit tonë lufta dhe, sikur të qe e mundur, do të pranonte të bënte një farë paqeje, po gjithnjë të ndershme për Shqipërinë. Dhe fjala e tij, po të mos kishte ndërhyrë papa dhe kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, do të kishte bërë efekt, sepse cilësit e ralla të Tanushit e bënin, përpara të gjithëve, autoritar dhe të nderuar. Tanushi nuk kishte besim në kryqëzatën e papës dhe se dëshironte një politikë shqiptare të pavarur, kombëtare e më interesante ekskluzivisht të popullit shqiptar, një politikë të çliruar nga ndikimi i papës. Mirëpo ai nuk e kuptonte se Shqipëria vetëm për vetëm nuk do të mundte t’u ndalonte hovin sulmeve të vazhdueshme të turqve .
Dhe Tanushi ka qenë një nga gjeneralët që gëzonte besimin e plotë të Skenderbeut, i cili e ngarkonte herë pas here me punët më delikate e të vështira, qoftë si komandant në betejat në fushë të hapur, qoftë si mbrojtës kështjellash, ose si diplomat, apo si këshilltarë”.
Sipas Biemit, Tanushi në Këshill ku debatohej rreth marrëveshjes së Shkupit, në mes tjerash shton: “… Kanë kaluar plotë njëzet vjetë që Shqipëria s’ka gëzuar as një orë qetësie, duke qenë gjithnjë në andralla të vazhdueshme e në rreziqe të luftës; populli ynë i lodhur e i rraskapitur, digjet nga dëshira për të pushuar për ca kohë nën hijen e paqes, që të marrë pak veten për disa kohë nga kaq dëme e vuajtje. Ju, kryeprinci, ynë, ju lutemi, i hidhni një sy Shqipërisë, që duket ,me të vërtetë më shumë një shkretëtirë, se sa një vend i banuar. Sikur të qëllonte që për mëshirë të Perëndisë ndaj njorimeve të të krishterëve të bëhej me të vërtetë një luftë e shenjtë, shqiptarët, gjatë paqes së përkohshme do të kenë rifituar fuqinë e shpirtit dhe të trupit, në shenjën e parë do të rrëmbenin armët me gëzim dhe me fuqi të dyfishuar, do të vihen në ballë të ushtrisë së krishterë, duke marshuar me hovë e vrull për në Turqi, ku, pa mos u treguar më të dobët, nga ç’kanë famën do të bëjnë kërdinë në çfarosjen e turqve”.
Pra, këtë fjalim të bukur të Tanush Topisë na e jep Bijemi, i cili mund ta ketë zbukuruar në pikpamje të formës së jashtme, e mund ta ketë hartuar vetë në bazë të shënimeve të Anonimit të Tivarit, po nuk mendojmë ta ketë trilluar e të ketë shtuar gjëra që nuk i ka thënë personalisht Tanush Topia. Po dhe këtë gjë sikur ta ketë bërë, prapë një farë mbështetje duhet të ketë pasur pa tjetër, se nuk është e mundur që një njeri që bënë një vepër mbi një personalitet aq me rëndësi si Skenderbeu, të gënjejë pa qenë nevoja. Sidoqoftë nga ky fjalim del se Tanush Topia ishte një personalitet i dorës së parë, që kishte horizont të gjërë njohurish, që mirrte vesht mirë nga politika dhe që lakmonte paqen.
Me të mbaruar fjalën Tanushi, murmuritje pëlqimi u dëgjuan në të gjithë sallën. Skenderbeu nuk mundi t’i kundërshtonte mendimet e Tanushit, që ishin dhe të shumë të tjerëve, dhe paqja u bë me sulltanin e u shpallë më 27 prill 1463 në Shkup.
Paqja shqiptaro-turke nuk u pa me sy të mirë nga papa Piu II, i cili e shfrytëzonte figurën e Skenderbeut në fushatën propagandistike kryqtare. Tanush Topia si pjesmarrës direkt në hartimin e marrveshjes së Shkupit, u dërgua në Tivoli (Romë) për t’i dhënë shpjegimet përkatëse papës. Ai i tha Piut II se: “Skenderbeu ishte i detyruar ta pranonte këtë paqe sepse nuk ishte aspak në gjendje ta mbronte vendin kundër sulltanit. Megjithatë ai e siguronte papën se kushtet e paqes nuk e preknin sovranitetin e papës mbi Shqipërinë dhe se Skenderbeu ishte gati t’i shpallte luftë përsëri Turqisë, kurdoherë që papa t’i jepte një urdhër të tillë” . Nga Roma, Tanushi vazhdon rrugën drejt mbretërisë së Napolit, te Ferdinanti. Në të njejtën kohë Skenderbeu i dërgoi misionarët e vet në disa shtete Italiane. Në Venedik dërgon Pal Ëngjellin, në Milano Gjergj Pelinin dhe në Raguzë Pal Kukën.
Paqja e 27 prillit e vitit 1463 e shqetsoi edhe Republikën e Venedikut, e cila duke bërë një kthesë të plotë në politikën e saj të jashtme, kishte vendosur të hynte tani në luftë kundër turqve për t’u marrë Morenë dhe donte t’i shfrytëzonte shqiptarët si diversion në prapavijat e armikut. Papa dhe Venediku ushtruan mbi Skenderbeun një presion të madh, për ta detyruar të prishte paqen e arritur në Shkup me turqit. Skenderbeu në fillim nuk pranoi. Si duket, ai donte të shikonte më parë kryqëzatën të vihej në lëvizje. Në nëntor të vitit 1463 kryqëzata u shpall zyrtarisht nga papa dhe ushtritë kryqtare filluan të ngrumbulloheshin në skelat e Italisë për t’u nisur kundër turqve. Atëherë, midis Skendërbeut dhe Venedikut u lidhë më në fund, një traktat miqësie dhe aleance në luftën kundër turqve, si plotësi i një aleance që ishte përfunduar pak kohë më parë midis Venedikut dhe Hungarisë në të njejtën kohë, Dukagjinët, të kërcënuar drejtpërdrejt nga shpina që kur kishte rënë në duart të turqve principata sërbe dhe Kosova (1458), hoqi dorë njëherë e përgjithmonë nga qëndrimi i vjetër armiqësor dhe u bënë aleatë të ngushtë të Skenderbeut. Me presionin e nxitjen e Papës e të Republikës të Shën Markut, që i premtuan ndihma të shpejta ushtarake, Skenderbeu u bind më në fund të solidarizohej me kryqëzatën dhe në 27 nëntor 1463 i shpalli luftë sulltanit duke kryer një varg veprimesh luftarake në zotërimet turke në trevat më lindore shqiptare.
Por, ushtritë kryqtare, megjithëse po grumbulloheshin nëpër skela italiane, ato nuk u nisën deri në verën e vitit 1464. Mosbesimi që egzistonte midis pjesmarrësve të kryqëzatës, mungesa e organizimit paraprak, dhe në fund edhe vdekja e papa Piut II më 14 gusht 1464, solli dështimin e kryqëzatës. Me dështimin e saj shqiptarët mbetën përsëri vetëm përballë furisë turke .
Më 1464 për shqiptarët periudha e fundit e luftës së udhëhequr nga Skenderbeu kundër shkelësve turk. Tani sulltan Mehmeti II dërgoi kundër Shqipërisë një varg ekspeditash njëra pas tjetrës, qëllimi i së cilave ishte të shkatërronin krejtësisht vendin, të shternin burime ekonomike e financiare, të lidhnin dhe të demoralizonin forcat shqiptare, për të përgatitur kështu terrenin për grushtim përfundimtar.
Megjithatë shqiptarët nuk u ligështuan, por i përballuan me gjitha forcat e tyre ushtritë otomane. Më 14 gusht 1464 në afërsi të Ohrit, shqiptarët, të udhëhequr gjithnjë nga Skenderbeu, i dërmuan plotësisht ushtritë turke nën komandën e Sheremet Beut.
Më 1465, Sulltan Mehmeti II ia ngarkoi barrën ekspeditave një renegati shqiptar, Ballaban Pashës, një nga ushtarakët më të shquar të perandorisë së osmanllinjëve. Brenda vitit Ballabani kryesoi katër ekspedita kundër Shqipërisë. Ekspedita e parë u krye në prill. Beteja u zhvillua në fushën e Vajkalit, në Bulqizë dhe përfundoi me thyerjen e ushtrive turke. Por, fitorja kushtoi shumë shtrenjtë. Ballabani diti ta udhëhiqte ushtrinë turke nga beteja, pa pësuar dëme të mëdha dhe njëkohësisht të kapte gjallë disa nga qindra robër shqiptarë, bashkë me ta edhe tetë (8) nga komandantët më të shquar të Skenderbeut, midis të cilëve edhe Mojsi Golemin. Komandantët e zënë rob u qëndruan heroikisht, derisa vdiqën, torturave të turqve, duke i rrepur të gjallë.
Edhe pas humbjes së këtyre personaliteteve të jetës politike e ushtarake të vendit, shqiptarët e vazhduan me vendosmëri luftën kundër trupave osmane. Në Oranik (Oranik) të Dibrës së Sipërme, pa u parë (diktuar) nga rojet shqiptare Ballani e afroi ushtrinë e vet pranë luftëtarëve shqiptarë për t’i gjetur në befasi. Në sajë të vigjilencës së Skenderbeut, i cili zbuloi vetë forcat armike, luftëtarët shqiptarë u hodhën menjëherë në luftë dhe e fituan betejën. Pas kësaj, në krye të një ushtrie të re, Ballabani u përpoq gjatë tre muajve t’i zinte në befasi shqiptarët, por kur u bind se një sulm i tillë ishte i pamundur, u ndesh me ta në fushën e Falkalit (Valkalit) pranë malit Bigë të Ohrit dhe trupat e tij u thyen keqas. Pas këtyre luftimeve, Ballabani u përpoq t’i shkatërronte forcat shqiptare, duke i goditur ata njëkohësisht nga dy drejtime të kundërta të Shqipërisë me dy ushtri, njëra në drejtim të Ohrit dhe tjetra kundër Krujës. Duke u informuar me kohë për lëvizjen e tyre, luftëtarët shqiptarë marshuan me shpejtësi, së pari në drejtim të ushtrisë që komandohej nga vetë Ballaban Beu dhe e shpartalluan krejtësisht atë po në fushën e Falkolit (Valkolit), në afërsi të Ohrit. Pas kësaj shqiptarët u kthyen në drejtim të viseve perëndimore për t’u ndehur me ushtrinë e dytë, të komanduar nga Jakup Arnauti, i biri renegat i feudalit shqiptar Todor Tiranës, ku forcat osmane pësuan një disfatë të rëndë, duke mbetur i vrarë edhe komandanti i tyre.
Pas pesë betejave të ashpra që luftëtarët e Skenderbeut zhvilluan gjatë një viti me ushtrinë osmane të drejtuar nga Ballaban Pasha (Beu), edhe pse shqiptarët kishin dalur fitimtarë, sultan Mehmeti II mendoi se tashmë ata ishin të lodhur e të dobësuar në një masë të tillë, sa që nuk do të mund të përballonin një goditje vendimtare të të gjitha forcave ushtarake të Perandorisë Osmane. Për të realizuar këtë mision, në qershor të 1466, në krye të një armate të përbërë nga jeniçerët dhe ushtritë e Anadollit e të Rumelisë, me rreth 150 mijë vetë, rrethoi për herë të dytë Krujën, kryeqendrën e shtetit mesjetar shqiptar. Me këtë ekspeditë lufta e madhe shqiptare turke arriti kulmin. Por, edhe kësaj radhe Mehmeti II Fatihu, pushtuesi i Stambollit më 1453 dhe që kishte projektuar planin e pushtimit të Italisë, u mbulua me turp nën muret e Krujës.

27.IV.2018
Strugë

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button