BLENDI PETROL
AktualeRajoni

Mbahet konferenca rajonale në Podgoricë nën Skemën e BE-së për Profesionistët e Rinj në Ballkan

Më 30 dhe 31 maj, Këshilli Britanik mbajti një konferencë rajonale në Podgoricë të Malit të Zi, si pjesë e Skemës së Bashkimit Evropian për Profesionistët e Rinj në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë ngjarje, pjesëmarrësit paraqitën gjetjet nga hulumtimet mbi sfidat kryesore të agjendës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE.

Konferenca ishte një platformë për profesionistët e rinj për të identifikuar mësimet e nxjerra nga përparimi i tyre drejt anëtarësimit në BE dhe për ta përdorur atë për të përmirësuar administratën publike në rajon.

Në kuadër të Skemës së profesionistëve të rinj të financuar nga BE-ja dhe zbatuar Këshilli Britanik, duke filluar nga tetori 2016, në kuadër të projektit, gjenerata e dytë e pesë shërbyesve civilë nga secili shtet nga Ballkani Perëndimor kaluan dy javë në Institutin d’Etudes Politiques (Sciences Po) në Paris në dhjetor 2017, poashtu vijuan edhe një program në Kolegjin e Evropës (College of Europe) në Bryzh në janar 2018, dhe bënë një shkëmbim rajonal në gjashtë kryeqytetet në mars 2018.

Përgjatë këtij shkëmbim rajonal, grupet u angazhuan në hulumtime dhe analiza në fushat relevante për anëtarësim në BE dhe agjendën e zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, bazuar në përvojën e tyre si nëpunës civilë.

Qëllimi kryesor i konferencës në Podgoricë ishte që të gjashtë grupet të paraqesin gjetjet e hulumtimit të tyre dhe të elaborojnë për rritjen e rolit të profesionistëve të rinj për një administratë publike moderne dhe efikase në rajon.

Temat që u trajtuan në konferencë mbuluan negociatat me BE-në, menaxhimin e fondeve IPA, reformat e sektorit publik, bashkëpunimin rajonal, programet sektoriale të BE dhe agjendën e bashkëpunimit për Ballkanin Perëndimor.

Kryenegociatorja dhe koordinatorja për fondet e IPA-s, nga Qeveria e Malit të Zi, Glisevic Durovic theksoi se “kjo konferencë, përveç faktit se ajo përfaqëson një fund të suksesshëm të ciklit të dytë të Skemës së BE-së për profesionistët e rinj në Ballkanin Perëndimor, paraqet edhe punën e suksesshme të përbashkët, bashkëpunimin dhe përpjekjet që ne kemi investuar në zhvillimin tonë, dhe rrjedhimisht në të ardhmen tonë”.

Nicholas Cendrowicz, zëvendës-shef i Bashkëpunimit Rajonal dhe Programeve të Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Negocimet e Fqinjësisë dhe Zgjerimit tha “ju jeni gjenerata e nëpunësve civilë, të cilët do t’i sjellin vendet tuaja në BE. Jam krenar që e mbështesim këtë skemë e cila do të zhvillojë administratën tuaj publike dhe gjithashtu promovoj bashkëpunimin rajonal midis nëpunësve civilë. Unë shpresoj që ju do të vazhdoni të mbani rrjetet që keni krijuar përgjatë muajve të programit dhe të përftoni nga ajo në punën tuaj të përditshme”.

Ndërkaq, Claire Sears, drejtoreshë e Ballkanit Perëndimor në Këshillin Britanik tha se ky Këshill ka kënaqësinë të zbatojë këtë program në emër të Komisionit Evropian. “Është një projekt i madh që mbështet agjendën e reformave, ndërton kapacitetet në institucione dhe u jep profesionistëve të rinj aftësitë që u nevojiten për një të ardhme të mirë. Gjithashtu ndërton rrjete të forta dhe bashkëpunuese në të gjithë rajonin”.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button