Mbrojtja e punëtorëve në punë, kërkohet ligj më i qartë

Dhjetë vite pas miratimit të Ligjit për mbrojtje të punëtorëve në vendin e punës, kërkohet rishqyrtimi i tij me qëllim avancimin më të madh të shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve në vendin e punës, shkruan gazeta KOHA. Revidimi i paralajmëruar pritet të tregojë se sa ligji është funksional në praktikë, duke eliminuar disa gjëra jofunksionale dhe çështjet e tjera që nuk janë qartësuar sa duhet. Maqedonia me 13 punëtorë të lënduar dhe 2.6 punëtorë me pasoja fatale për jetë ndër 100 mijë të punësuar, në vitin 2016 renditet midis shteteve evropiane me statistika mesatare lidhur me sigurinë e punëtorëve në vendin e punës. Edhe pse në Maqedoni numri i lëndimeve dhe fatkeqësive në punë shënon rënie (ku, për shembull, shkalla e rasteve fatale në Maqedoni është zvogëluar prej 6,03,në çdo 100.000 të punësuar në vitin 2014, në 2.6 raste në vitin e kaluar), megjithatë, në krahasim me Britaninë e Madhe që ka shkallë prej vetëm 0.5 për qind, mund të konstatohet se Maqedonia ka shkallë jo edhe aq të vogël të fatkeqësive fatale në punë. Nga Shoqata për mbrojtje gjatë punës, thonë se punëdhënësit duhet të kuptojnë se investimi në çdo punëtor është investim afatgjatë që nuk guxon të huqet, ndërsa të punësuarit duhet të kuptojnë se heshtja dhe bërja kompromis me sigurinë dhe shëndetin është e palejueshme.

Sipas kryetarit të Shoqatës për mbrojtje gjatë punës, Millan Petkovski, dhjetë vjet pas miratimit të Ligjit për siguri dhe mbrojtje në punë, të miratuar në vitin 2007, nevojitet të kryhet revidimi dhe të shikohet se sa i njëjti është funksional në praktikë.

Ligji për siguri dhe mbrojtje në punë, ngjashëm me zgjidhjet e tjera ligjore në Maqedoni, është dëshmi për punët minimale të kontraktuara midis partnerëve social. Megjithatë, zbatimi i tij në thelb shpesh paraqet problem, për shkak se shpesh, për shumë punëdhënës, paraqet edhe një “vegël represive”, të drejtuar ndaj punëdhënësve. Nga ana tjetër, për shumë punëtorë, ai paraqet një të panjohur të madhe , që shpesh edhe nuk e dinë se bile ekziston, përderisa nuk ndodh ndonjë fatkeqësi në vendin e punës, thekson për KOHA, Petkovski.

“ Edhe pse nga viti 2007 ka pësuar më shumë ndryshime, megjithatë ky ligj ka ndihmuar që një problematikë e “ndryshkur”, siç është mbrojtja në punë, të lëvizë nga pozita zero në drejtim pozitiv. Sot më nuk parashtrohet çështja se a duhet të bëhen kontrollet mjekësore të të punësuarve, por duhet pyetur kur duhet të bëhen. Askush nuk pyet se a duhet të bëhet vlerësimi i rrezikut të punës, por pyet se çka përmban vlerësimi… Por, megjithatë, si çdo zgjidhje, edhe kjo duhet të jetë objekt i analizës rrjedhëse dhe vlerësimit të saj. Andaj me partnerët social, Ministrinë e Punës, opinionin e gjerë, Inspektoratin e punës, do të bëjmë një revidim të detajuar që të shohim sa ligji është funksional në praktikë, duke eliminuar disa gjëra jofunksionale dhe të tjerat që nuk janë qartësuar sa duhet”, vlerëson Petkovski.StrugaLajm

Sipas tij, sfidë në të ardhmen mbetet pasqyra më e qartë e sëmundjeve profesionale në industri të caktuara ose në nivel të tërë shtetit për veprimtari të ndryshme. Në ndërkohë, statistikat tregojnë se numri më i madh i lëndimeve në punë dhe rasteve fatale, ndodhin në bujqësi më së shpeshti gjatë përdorimit të traktorit, ndërsa sektorë të rrezikshëm janë edhe transporti, ndërtimtaria dhe xehetaria. Nga ana tjetër, Inspektorati shtetëror i punës në nivel vjetor realizon 13 mijë kontrolle të rregullta dhe 1500 kontrolle me paraqitjen e punëtorëve. Ato rezultojnë me 3500 vendime për gjoba dhe për anulimin e parregullsive të kompanive lidhur me sigurinë në punë të punëtorëve. Gjithashtu, raporti i Shoqatës së Maqedonisë për mbrojtjen në punë për vitin 2016, thekson ndër të tjera, se kompanitë e vendosura para një ardhmërie të paqartë i shtrëngojnë buxhetet dhe shpesh nën ombrellën e kursimeve, thjesht i eliminojnë harxhimet për të cilat vlerësojnë se mund të presin ditë më të mira. Një nga shkurtimet e para në këtë drejtim, janë edhe ulja e buxheteve për pajisje personale mbrojtëse si dhe përmirësimi i kushteve të punës.

Ndryshe, në të ardhmen mbetet akoma të punohet, me qëllim që mjedisi në punë dhe teknologjia prodhuese të projektohen në atë mënyrë që rreziqet për shëndetin të ulen në minimum. Gjithashtu, edhe punëtorët duhet të njohin rreziqet në vendin e punës, të trajtohen, edukohen dhe të ndërgjegjësohen, që të sillen në mënyrë të sigurt si dhe të përdorin pajisjet mbrojtëse personale në punë. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...