Mërgata Shqiptare kërkon nga Qeveria që të mos ndërtohen pika pagesore në autostrada
Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoni kërkon nga Qeveria e Maqedonisë që të heq dorë nga ndërtimet e reja të pikave të pagesës për autostradat në Maqedoni sepse, siç thonë ata, “kjo metodologji nuk ndihmon aspak dhe kushton shtrenjtë për udhëtarët edhe ndal qarkullimin duke shkaktuar vonesa të kota”.
Nga kjo Lidhje thonë se: “Pikë pagesat rrugore duhet të largohen në Maqedoni, të aplikohet regjimi me vinjetat”.
Ata gjithashtu kërkojnë që vinjetat të dallojnë në çmim për banorët permanent dhe turistët.
“Vinjetat duhet të dallojnë në çmim për banorët permanent dhe vizitorët apo turistët, si dhe për mërgimtarët që vinë në pushime në vendlindje. Vinjetat për qytetarët e Maqedonisë me banim permanent të ketë një çmim të arsyeshëm në bazë të standardit jetësorë, që ne e propozojmë të jetë 30 euro në vit, kurse për turistët të caktohet vinjetë javore, mujore! Çmimet gjithashtu duhet të jenë të arsyeshme sepse bëhet fjalë ose për transit ose për qëndrim të shkurtë, turisti duhet të marrë mbresa të mira të funksionimit të shtetit”, thuhet në reagim.
Ata kërkojnë që për mërgimtarët të ketë çmime më racionale se që janë aktualisht sepse janë shtrenjtë dhe nuk korrespondojnë me standardin jetësor në Maqedoni.
Ky reagim vjen pasi që vetëm autostrada e re nga Demir Kapia në Selanik, që duhet të lëshohet në përdorim nga fundi i muajit, do të ketë dy pika pagesore. Kjo do të thotë se për 28 km do të ketë dy pagesa gjegjësisht prej Shkupit deri në Gjevgjeli do të ketë pesë pika pagesore. Pagesa do të fillojë nga viti i ardhshëm.