Mërgimtarë,keni kujdes gjatë kalimit apo qëndrimit në Maqedoni!
Kalimi me automjet apo në aeroport, i detyron bashkatdhetarët t’i nënshtrohen rregullave ligjore të Maqedonisë. Duhet t’i deklarojnë paratë nëse kanë më shumë se 10 mijë euro, si dhe të jenë të kujdesshëm në trafik, sepse një gjobë mund të shkojë deri 500 euro.Bashkatdhetarët shqiptarë që vijnë në vendlindjen e tyre në Maqedoni, apo të tjerët që e shfrytëzojnë këtë shtet si vend transit, duhet t’i kenë parasysh disa rregulla që ka Shkupi zyrtar. Kalimi me automjet apo në aeroport, i detyron bashkatdhetarët t’i nënshtrohen rregullave ligjore të Maqedonisë.
Së pari, mërgimtarët duhet ta deklarojnë shumën e parave që e posedojnë me vete. Sipas ligjit, çdo rezident ka të drejtë t’i bartë me vete 10 mijë euro pa i paraqitur në doganë, ndërsa nëse ka më shumë se 10 mijë, duhet t’i deklarojë, sepse i konfiskohen dhe çështja kalon në gjykata, ku shumica e mërgimtarëve nuk kanë arritur që t’i kthejnë ato.
Vitin e kaluar janë regjistruar disa raste kur bashkëatdhetarët duke mos i interesuar për ligjin dhe sasinë e limituar të sjelljes së parave në “cash”, ka bërë që ato ti konfiskohen nga doganierët, pas kontrolleve rutinore, citon INA.
S që jeton në Zvicër ka deklaruar kohë më parë për INA se doganierët në Aeroportin e Shkupit i kanë konfiskuar 20 mijë franga, për shkak se ai kishte poseduar me vete mbi 30 mijë franga zvicerane dhe nuk i kishte lajmëruar ato. “Më pyetën se a kam para dhe i thash se po dhe pas kontrollit, mi gjetën 30 mijë frangat dhe prej tyre mi morën 20 mijë, gjoja se kam shkelur ligjin. Ende jam nëpër gjyqe, por kot nuk po ka sukses”, theksoi ky bashkatdhetar nga Kumanova.
Po ashtu shumica e bashkatdhetarëve nuk e dinë se janë rritur gjobat apo dënimet në komunikacion, duke shkuar deri në 500 euro për tejkalim shpejtësie në disa vende urbane apo të populluara. Pastaj edhe dënimet e tjera për shkelje të tjera.
“Nëse nuk keni rripin e sigurisë dënimi është 100 euro ose 6.000 denarë; Nëse nuk keni ndezur dritat – 100 euro (6.000 den) gjobë; Parkim i gabuar i makinës – 45 euro gjobë; Në rast të parkimit në vijat e kalimit të këmbësorëve apo udhëkryq – 250 euro gjobë; Mosdhënia e përparësisë për kalimtarët në kalimet e udhëtarëve – 250 euro gjobë; Tejkalimi i shpejtësisë në vendbanime të banuara nëse shkon mbi 50 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar apo e caktuar në shenjën e komunikacionit– 500 euro gjobë ose 65 pikë negative si dhe aplikimi i masës së ndalesës për drejtimin e makinës prej 6 deri 12 muaj”, janë disa nga rregullat e trafikut.
Prandaj, që bashkatdhetarët mos të kenë probleme me ligjin dhe shtetin, duhet të jenë të kujdesshëm gjatë kalimit apo qëndrimit në Maqedoni, në mënyrë që mos ua prishë pushimet një gabim eventual i qëllimshëm.