Një yll i vërtetë në skenën shqiptare është edhe Mihrije Braha. Ajo rrezaton gjithmonë pozitivisht me pamje e projekte, këngët e saja janë hite gjithmonë ndërkohë që në bisedën e saj për InfraRed të gazetës KOHA, këngëtarja rrëfen të pathënat
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Gjithë këto vite karrierë dhe nuk dorëzohesh, nga e gjen energjinë Mihrija?
Unë në jetën time kam bërë një përcaktim njerëzor e shpirtëror që të punoj shumë, të jap më të mirën të mundohem që në 24 orë të rrezatoj energji pozitive dhe si duket kjo energji që e jap edhe më kthehet. Sa i përket fjalës dorëzim nuk e kam në fjalorin tim as të jetës e as të gjenit.
KOHA: Je duke realizuar ndonjë projekt të ri, cilat janë befasitë që do sjellësh për fundvit?
Po, jam duke realizuar disa këngë prej të cilave mendoj se do bëj një projekt. Në anën tjetër jemi të impenjuar mjaftë shumë në emisionet tona me projektet tona që s’na lënë kokën ta ngrisim.
KOHA: Gjithmonë top temë në media, të pengon kjo gjë?
Jo nuk më pengon fare, sepse unë pasqyroj punën dhe sukseset e mia e pastaj me to edhe mediat kryejnë punën e tyre. Vetëm një gjë dua të ju them se të qenurit e famshme më shumë është përgjegjësi se sa privilegj dhe unë jam shumë e vetëdijshme për këtë dhe mundohem të jem korrekte edhe me njerëzit edhe me mediat.
KOHA: Vitet shkojnë e ti mbetesh gjithmonë në top formë, nuk mbanë dieta e as nuk ndjek fitnesin, si qëndron fizikisht mirë Mihrija?
Unë vitet më e i shoh si numra (qesh)! Kam një ritëm të jetës që si duket po del i qëlluar, kam një jetë të lumtur me Naimin, Platorin dhe familjen e gjerë, kam një qasje shumë pozitive dhe aty dominon më shumë jep e merr pa dëmtuar askënd, dmth një rrezatim pozitiv mundohem ta jap në çdo moment! Kjo jam UNË.
KOHA: Megjithatë, njeriu kur do, i bën gjitha, pajtohesh me këtë thënie besoj?
Njeriu si duket është qenie e zotit e krijuar për t’u sprovuar dhe për ta sfiduar këtë botë në drejtim të zhvillimit dhe përparimit. Njeriu ka bërë çudira deri më sot dhe bota e sotme është vepër e tij! Vërtetë njeriu kur do i bënë të gjitha.
KOHA: Ti ke ditur të menaxhosh mirë edhe karrierën edhe familjen, përkundër shumë këngëtareve që përparësi i kanë dhënë karrierës e jo familjes?
Unë jam përpjekur dhe përpiqem që jetës ti jap kuptimin e duhur, që jeta të ketë përmbajtje dhe aty të gravoj të paharruarën. Jeta ime është së pari familja e pastaj karriera. Këto të dyja e kanë përmbushur njëra-tjetrën.
KOHA: Cila do ishte ajo këshilla për këngëtaret e reja të cilat në shumicën e rasteve heqin dorë nga familja për një karrierë të suksesshme?
Përvoja do të na mësoj të gjithëve gjëra që nuk i kemi patur fare në mendje dhe jeta është nxënës i mirë i përvojës! Të gjithave ju them ndërtojeni jetën në bazat tuaja, në profesionalizmin tuaj, në praktikën e bukur të jetës!
KOHA: Të ka mbetur peng që nuk e ke të paktën edhe një vajzë e të bëni baraspeshën në familje?
Jam shumë e lumtur kështu, ndoshta edhe pse mendoj se zoti sikur na ka parashkruar disa gjëra në jetë! Mirë kishte me qenë ndoshta?
KOHA: Platori tashmë është rritur dhe ai ka hyrë rrugës së muzikës?
Platori tani ka mbaruar studimet dhe ka hapur një studio për veten e tij në botën e muzikës së kohës së tij.
KOHA: Ndoshta do jetë ai që do të gëzojë me një mbesë fillimisht?
Nuk ka dhënë elemente të këtilla akoma të shohim më pas (qesh).
KOHA: Ndanë me ju jetën private, me cilin është më i afërt?
Me mua më shumë, me Naimin sikur e mban një lloj turpërimi!
KOHA: Do të pengonin lajmet e stilit “nusja e Naimit…”, ashtu si bëjnë mediat tashmë !
Tani lajmi është mundësi e të gjithëve dhe të gjithë japin lajm (qesh)! Nuk do më pengonte asgjë.