Mr.Ark. Valmir Dalipi: SOS! Nuk ka Turizëm në Strugë, pa ARKITEKTURË

Në vendet me standard ekonomik të ulët si ky i yni, turizmi luan një rol të rëndësishëm për gjenerimin e të ardhurave ekonomike në masë të konsiderueshme. Megjithatë që ta zhvilloshë dhe ta mirëmbajsh turizmin në nivel është e vështirë. Turizmi bashkëkohor është një sfidë në vete, sot nuk është e mjaftueshme vetëm bukuria natyrore si aset për të tërhequr turistë, përkundrazi ajo duhet të plotësohet edhe me komponentë tjerë dytësorë shumë të rëndësishëm ku një ndër ta është ARKITEKTURA.

Struga si qytet turistik i mirëveshur me bukuri natyrore të pazëvendësueshme nuk është duke bërë sa duhet për zhvillimin e turizmit të saj, theks të veçantë do ti kushtojmë këtu sferës së trashëgimisë ndërtimore (Arkitekturës së vjetër), e cila ka kanosje që të asgjësohet tërësisht duke parë mënyrën se çfarë qasje jemi duke i kushtuar asaj. Duhet theksuar se Struga ka një trashëgimi Arkitekturore me vlerë të cilën kryesisht e përbëjnë objektet me karakter Profan (banimor) të cilat përbëjnë pjesën më të madhe dhe disa objekte të tipologjisë Sakrale. Objektet e vjetra Arkitekturore, kryesisht ato me tipologji banuese janë konsiderueshëm të shpërndara në bërthamën e vjetër të qytetit, të cilat janë të ndërtuara në dy stile të cilësuara si: objekte Arkikteturore Tradicionale të ndërtuara para luftës së parë botërore, dhe objektet e ashtuquajtura me arkitekturë Europiane me Stil Neoklasik të ndërtuara ndërmjet dy luftrave botërore. Të dyja këto trashëgimi me vlera shumë të mëdhaja përbëjnë një zonë të tërë monumentale në pjesën e vjetër të qytetit të Strugës e cila po degradohet gradualisht.

Gjatë dy dekadave të fundit kemi të asgjësuara një numër të konsiderueshëm të objekteve që kanë qënë nën mbrojtje nga, Institucioni Nacional – Udhëheqësia për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Ohër (ЗЗСК-Охрид). Institucion ky i cili është kompetent për mbrojtjen e monumenteve të kulturës në të gjithë pjesën e Maqedonisë jugperendimore. Të gjitha objektet në qytetin e Strugës me vlerat e mësipërme Arkitekturore janë nën mbrojtje direkte nga institucioni në fjalë i cili poashtu merret edhe me konzervimin dhe restaurimin e të njëjtave, ku brenda disa viteve kemi të restauruara vetëm një numër shumë të vogël të objekteve ku lehtë mund të vërejmë joseriozitetin që ka institucioni në fjalë për qytetin e Strugës. Institucioni ka fjalën e fundit për objektet me vlera trashëguese të cilat janë nën mbrojtje ku pa miratimin e të cilit nuk mund të prishet ose restaurohet asnjë strukturë duke ndryshuar sidomos anën estetike të jashtme të objektit.

Ditëve të fundit në qytet u asgjësua edhe një objekt me vlerë nga ku lehtë mund të vërejmë se kjo situatë do të vazhdojë edhe më tej ku departamenti në fjalë vazhdon të punojë me dy standarde ku në Ohër as nuk mund të paramendohet jo më edhe të ndodhin situata të tilla. Prandaj ftojmë institucionet relevante të ndalojnë këtë situatë të padobishme në dëm të qytetit dhe vlerave të tij.
Struga nuk është vend i cili ka kapacitete që të thithë turistë duke rrënuar gjërat me vlera të mëdha dhe të trashëguara, për të ndërtuar objekte të reja me Arkitekturë High-Tech (Teknologji të lartë) si bota perendimore apo ajo e lindjes që janë destinacione turistike botërore, prandaj duhet të vetëdijësohemi gjithësecili prej nesh dhe të ngrejmë vetëdijen kolektive që ta ruajmë të gjithë këtë pasuri me vlerë të madhe se vetëm ashtu mund të zhvillohet turizmi, të ruhet tradita dhe qyteti të ecë para.

P.s. Ky shkrim nuk ka anësi politike për të sulmuar njërën apo tjetrën palë pasi situate e tillë tashmë ndodhë në Strugë nga vitet 90-ta e këndej, si dhe investitorët e objekteve të njëjta pasi nuk është përgjegjësi e tyre juridike konzervimi dhe restaurimi i tyre. Shkrimi është vetëm një reagim profesional për ndërgjegjësim dhe për ngritjen e vetëdijes kolektive.StrugaLajm

Mr.Ark. Valmir Dalipi/Strugalajm

Disa objekte që kanë qënë nën mbrojtje dhe tashmë nuk ekzistojnë mëStrugaLajm


Loading...
loading...