Myftiu i Strugës pjesë e një aktiviteti në Itali :Lutje për viktimat e tërmetit në Shqipëri

Misioni i krijesës më të mrekullueshme të Zotit, njeriut, është shpërndaja e dashurisë mes njerëzve dhe respektimi i diveristetit kombëtar dhe fetar.
Një nga modelet më të shkëlqyera të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare është kjo që kemi ne shqiptarët. Për këtë na ka zili edhe bota. Një zhvillim i këtillë, i palëkundshëm, i kësaj atmosfere, është forcuar ndër breza. Me këto vlera të çmuara identifikuese të shoqërisë dhe familjes sonë duhet të ndihemi krenarë karshi popujve të civilizuar të botës.
Bashkëjetesa ndërfetare, lirshëm mund të them, përçon një mesazh që është në dobi dhe në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, në dobi të vlerave morale të shqiptarëve dhe jo vetëm. Shqiptarët sot, krahas kulturës me vlerë glorifikuese, si besa dhe mikpritja, një element tjetër të fort dallues, ndër popujt e botës, kanë tolerancën ose më saktë mirëkuptimin ndërfetar. Ky fakt përbën një nga profilet më të spikatura të modelimit kulturor, evident jo vetëm në të kaluarën por edhe në ditët tona.
Si popull multifetar, me një bashkëjetesë tradicionale, jo vetëm në shtetin amë (në Shqipëri) por edhe në trojet të tjera etnike dhe multietnike, lirisht mund të them se ne pasqyrojmë një shembull të veçantë të harmonisë ndërfetare në historinë e popujve të Ballkanit dhe më gjerë.
Edhe sot shqiptarët e kultivojnë bashkëjetesën ndërfetare dhe ndëretnike, pa përçarje dhe diskriminim. Edhe shembulli juaj, i integrimit të shkëlqyeshëm këtu në qytetin e Parmës në Itali, tregon dhe vëreton se ne jemi një popull dashamirës dhe paqedashës.
Një tjetër fakt që dua ta përmend, për bashkëjetesën ndërfetare, është edhe ekzistenca e objekteve të kultit, xhamive dhe kishave, që kanë qëndruar e qëndrojnë pranë e pranë njëra-tjetrës.
Kjo kulturë ndërfetare dhe ndëretnike kultivohet edhe ndër shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, vendëlindejs humanistes sonë të madhe, Nëna Tereze. Jemi popull i mirkuptimit. I vlerësojmë pa masë kombet e tjera me të gjitha vlerat dalluese që kanë. Këto vlera i përcjellim te brezi i ri dhe duhet ruajtur deri në pafundësi.
Në Maqedoninë e Veriut, ne shqiptarët bashkëjetojmë me maqedonas, turq, serb, vlleh, egjiptian dhe të tjerë. Falemi në faltore të ndryshme.
Ne shqiptarët, kudo që jemi, sillemi si një komb i lashtë, si një popull me kulturë që e kemi trashëguar ndër breza, që nga Skënderbeu e më parë, tek At Gjergj Fishta e Hafëz Ali Korça, te nësnshkruesit e Pavërësisë së Shqipërisë dhe veprimtarët e mëvonshën në trojet shqiptare.
Nëpërmjet këtyre mesazheve të paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit ne mund të ndërtojmë një botë më të drejtë e më të qetë.
Si përfaqësues të BFI-së, të komunitetit fetar islam në Maqedoninë e Veriut, jemi besnikë të frymëzimeve fillestare të së mirës dhe paqes. Me mirësi, paqe, durim, guxim, besim dhe solidaritet mund t’i kapërcejmë të gjitha sfidat e jetës pra edhe situatën e vështirë që kemi sot si komb.
Bashkësia fetare islame i inkurajon të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të qëndrojnë të bashkuar, pa inate e përçarje, të qëndrojnë të pandarë dhe të gjithë të jemi të unifikuar drejt Bashkimit Evopian dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë sonë. Këtë kemi amanet edhe nga të parët tanë.
Të bashkuar jemi më të fuqishëm. I madhi i kombit, hoxhë Mulla Idriz Gjilani thotë se “I kemi tri fe, por të përbashkët, kemi vetëm një atdhe”.
Do t’i tjekalojmë të gjitha vështirësitë por vetëm duke qëndruar njëri pranë tjetrit, Jemi popull i vogël për të qenë i ndarë. Largësia juaj nga atdheu nuk paraqet pengesë për ta shfaqur dashurinë ndaj tij, për ta shfaqur dashurinë ndaj njerëzve të një gjaku.
Dhëntë Zoti i Gjithëmadhërishëm, që zemrat e thyera nga gjëma dhe pasojat që përjetuam nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u godit perla e Shqipërisë, t’i kalojmë nëpërmejt veprimeve të përbashkëta, me një solidarizim të këtillë siç kemi bërë dhe po bëjma akoma.
Në fund dua ta citoj ajetin kuranor “Suretu el maide”:
“Ndihmoni njëri-tjetrin me vepra të mira dhe devotshmëri, jo për mëkate dhe armiqësi!”
Zoti ju ruajtë Ju dhe të gjithë miqtë e popullit shqiptar!
I falënderoj edhe udhëheqësit e kësaj faltore që sot na mundësuan të takohemi këtu së bashku.

Fjala e Myftiut të Strugës në Parma të Italisë StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...