NË MËSHIRË TË BURRIT! Gratë pa trashëgimi pronësore

Çështja e ndarjes së trashëgimisë në kontekstin shqiptar implikon një maskilizëm ‘sui generis’, një anim kah pala mashkullore, gjegjësisht i tërë kapitali i mbetet atij, ndërsa femra dërgohet në derën e burrit vetëm me disa dhurata, që shpesh janë vetëm simbolike

Destan JONUZI

Shkup, 9 dhjetor – Ende ka raste ku gratë janë të përjashtuara nga trashëgimia pronësore nën presionin e traditës. Gratë janë të barabarta para Ligjit, por jo të gjitha janë të barabarta me burrat kur bëhet fjalë për ndarjen e pronës dhe pasurisë. Hulumtimet e organizatave qytetare tregojnë se ende kemi një numër të konsiderueshëm të rasteve të grave të cilat heqin dorë nga trashëgimia familjare nën presionin e mentalitetit dhe normave tradicionale në shoqëri.

Sipas një hulumtimit të Organizatës “Forumi i Grave”-Tetovë, mbi 68 për qind e grave të anketuara kanë deklaruar se patundshmëria e tyre është e regjistruar në emër të burrave të tyre, gjegjësisht babit, ndërsa vetëm  13 për qind nga familjet kanë deklaruar se kanë të regjistruar patundshmëri në emër të grave, ndërkaq 7.7 për qind kanë pasuri të përbashkët. Në hulumtimin e “Forumit të grave”-Tetovë realizuar në vitin 2016, 2017, 2018 janë përfshirë 300 gra, në 184 vendbanime në rajonin e Pollogut. Rezultatet flasin se 87 për qind e grave nuk kanë trashëgimi të trashëguar nga prindërit e tyre, ndërsa nuk ka ndonjë dallim të madh në këtë drejtim edhe në mes dy bashkësive më të mëdha etnike në vend, shqiptar e maqedonas. Ndërkohë sipas hulumtimit edhe më alarmante është gjendja te bashkësitë më të vogla etnike.

Xhane Kreshova, kryetare e Organizatës “Forumi i Gruas” Tetovë, duke sqaruar të dhënat e hulumtimit thotë se gratë duan të marrin trashëgimin e tyre që u takon, por shprehet ajo, tradita ka ndikim më të fortë. “Gratë duan të marrin pjesë në ndarjen e trashëgimisë, por ju e dini si është te ne tradita ka ndikim shumë të fortë, dhe ato frikohen se nëse e marrin pronësinë që u takon nuk do të mund të shkojnë për gosti te shtëpia e prindërve. Kjo ka ndodhë në shumë raste. Në shumë fshatra që i kemi vizituar dhe në biseda me gratë, kemi konstatuar se ato nuk duan ta prishin traditën dhe të mos jenë arsye për prishjen e marrëdhënieve në familje. Nga ana tjetër ka gra të cilët duan të marrin pjesën që u takon prej ndarjes së tokës ose shtëpisë, varësisht për çfarë flitet dhe duan që ato para ti shfrytëzojnë për hapjen e ndonjë biznesi të vogël. Por raste e tilla janë të vogla. Kështu që në përgjithësi gruaja nuk e merr pronën që i takon. Kjo dukuri nuk është vetëm ndër shqiptarët por edhe te maqedonasit, nëpër viset rurale nëpër fshatra i njëjti mentalitet është. Por gratë maqedonase përsëri më shumë e marrin pronën se gratë shqiptare”, deklaroi për KOHA, Xhane Kreshova, kryetare e Organizatës “Forumi i Gruas” Tetovë.StrugaLajm

Sipas saj, problemi pse është situata kështu në radhë të parë është tradita dhe frika që kanë vajzat dhe gratë se nuk mund të kthehen e shtëpia e prindërve. “Edhe vetë prindërit nuk u ndajnë patundshmëri vajzave, ose në raste të caktuara unë ndajnë një pjesë më të vogël në krahasim me djemtë, dhe këtu shfaqet një pa barazi gjinore. Edhe pse me Ligj i takon ndarja e pasurisë edhe gruas edhe burrit njësoj, ne mendoj se duhet të bëhet intervenim me plotësim dhe ndryshime në të njëjtat që të caktohen masa më rigoroze për këtë çështje”, potencon Kreshova.

Sociologu, Ali Pajaziti vlerëson se çështja e ndarjes së trashëgimisë në kontekstin shqiptar të vendit tonë implikon një maskilizëm ‘sui generis’, një anim kah pala mashkullore, gjegjësisht i tërë kapitali i mbetet atij, ndërsa femra dërgohet në derën e burrit vetëm me disa dhurata, që shpesh janë vetëm simbolike. “Kjo flet për një mendësi shumë rigide, që nuk ka bazë as në tekste tradicionale-fetare, por më tepër në kulturën tonë vendore, ku thuhet se “nuk duhet malli të shkojë në derë të huaj”, por “:duhet të mbetet këtu”. Në këtë raste femra mbetet e dëmtuar sepse nuk e merr atë që i takon; faktikisht largohet, dhe shkon në një gjendje inferiore, që e bën atë vulnerabël, të lëndueshme në çdo çast, e bën pre të vullnetit të burrit”, thekson Pajaziti. Psikologu, Lulzim Murtezani thekson se shumë dukuri që kanë të bëjnë mes gruas dhe burrit në shoqërinë tonë janë reflektim i traditës. Historikisht, sipas tij, pozita e gruas ka qenë inferiore. “Ajo ka qenë dhe tash llogaritet si dytësore në marrjen e vendimeve dhe kjo reflektohet edhe në mënyrën e ndarjes së patundshmërisë. Ekziston ai mentaliteti konservator, për shkak të së cilit gruaja është sekondare në familje dhe shoqëri. Andaj deri sa nuk ndryshohet kjo kulturë e vjetruar vazhdimisht gruaja do të jetë e diskriminuar edhe në rastin e patundshmërive”, nënvizon Murtezani. Por, shprehet më tej ai, këto gjëra mund të evoluojnë, mund të ndryshojnë shumë shpejt, në rast se sigurohet pavarësia dhe barabarësia e gruas në shoqëri.

Ndryshe, Neni 9 i Kushtetutës së Republikës thotë se qytetarët janë të barabartë në lirit dhe të drejtat e tyre, pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, përkatësia etnike dhe sociale, bindjes politike dhe fetare etj. Ndërkohë në Maqedoni ka edhe Ligj të veçantë për mundësi të barabarta mes burrave dhe grave. Parimi i ndarjes së barabartë është theksuar edhe në Ligjin për mbi pronat. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...