Pushteti lokal në Strugë, i udhëhequr nga Ramiz Merko, nuk do t’i bojkotojë Mbrëmjet Strugane të poezisë, pavarësisht faktit se udhëheqësia e Festivalit nuk tregon nëse gjuha shqipe do të jetë pjesë e festivalit këtë vit. Në disa nga posterat e ngjitur në qytet, arritëm të regjistrojmë vetëm gjuhën maqedonase dhe angleze, edhe pse në faqen e FB-së të festivalit është vendosur poster në gjuhën shqipe, si dhe në shumë gjuhë të tjera botërore.
Njeriu i parë i festivalit nuk ishte i gatshme të flas për këtë çështje. Praktika e viteve të kaluara tregon se gjuha shqipe në festival mund të dëgjohet vetëm nga poetët shqiptarë që lexojnë poezi në gjuhën e tyre amtare, por jo edhe në përkthimin e poezisë së poetëve të tjerë, edhe pse Struga është një komunë me shumicë shqiptare.
Drejtori i festivalit, Mite Stefoski, pasi që fillimisht u zotua se do të japë deklaratë për Alsat M, më pas ndryshoi mendje, sepse tha se është i gatshëm për të folur vetëm për programin e festivalit, por jo edhe për atë që na interesonte neve, si është bashkëpunimi me komunën për këtë festival dhe nëse gjuha shqipe do të jetë pjesë e festivalit.
Në pothuajse të njëjtat tema, kemi dorëzuar pyetje në mënyrë elektronike. Por përsëri nuk morëm përgjigje. Pushteti i mëparshëm lokal në Strugë, ai i Zijadin Selës, disa vite me radhë i bojkotonte Mbrëmjes Strugane, duke deklaruar se nuk respektohet Ligji për përdorimin e Gjuhëve. Tani, reagon Aleanca për Shqiptarët – se është e paligjshme të vazhdohet praktika e injorimit të gjuhës shqipe.
Aleanca për Shqiptarët
“Si pushtet i kaluar lokal, u përpoqëm dhe u angazhuam që të respektohet gjuha e shumicës së qytetarëve të komunës së Strugës pa pasur më pas politizime, por përpjekjet tona u shpërfillën si nga pushteti i kaluar ashtu edhe nga pushteti aktual qendror. Për pushtetin lokal ky problem nuk është i rëndësishëm, ashtu sikurse edhe për partnerët e koalicionit. Prioriteti është hierarkia në qytet”.
Këtë vit, në festivalin i cili do të zhvillohet nga 22 deri më 28 gusht, do të marrin pjesë 29 poetë nga e mbarë bota. Përfaqësuesi i Shqipërisë do të jetë poeti Ermir Nika. Fituesi i njohjes më të lartë të Mbrëmjes së 57 Strugane të Poezisë është poeti nga Polonia, Adam Zagajevski./Alsat-M