Një dekadë, një kujtim për Arbën Xhaferin

Enver Robellin

Dhjetë vjet më parë, pas një bisede disamujore, u botua libri “Në Tetovë në kërkim të kuptimit” (një bashkëbisedim imi me Arbën Xhaferin). Libri qe promovuar atë vit, më 2011, edhe në Zvicër, në qytezën Langenthal në kantonin e Bernit. Dëshira e organizatorëve ishte që në promovim të merrte pjesë edhe Arbën Xhaferi, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore ai s’mundi të udhëtojë. Por ai ishte aty, me neve. E dërgoi një fjalë përshëndetëse. Të cilën po e publikoj këtu, për herë të parë.


Të nderuar bashkatdhetarë,

Me iniciativën tuaj sot përurohet libri i gazetarit tonë të njohur, Enver Robellit. Interesimi juaj për librin, për porositë që i sjell ai, është gjithsesi inkurajues. Një popull që tregon interes për tema kulturore, që shpeshherë kanë peshë politike dhe kombëtare, është në rrugë të mirë jo vetëm për ta ruajtur identitetin e tij kombëtar, por edhe për ta zhvilluar edhe më shumë.

Ju, bashkatdhetarë të nderuar, jeni në pozitë të dyzuar. Në njërën anë, natyrshëm jeni të ballafaquar me ofertën për integrim në njërën nga shoqëritë më të avancuara të botës dhe nga ana tjetër jeni në dilemë të madhe a t’i nënshtroheni këtij procesi që zhvillohet kudo në botë dhe në çdo kohë. Dilemat e kësaj natyre janë të vështira për çdo popull, pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit kulturor.

Por megjithatë diçka është shumë e sigurt: popujt që kanë traditë, zhvillim kulturor kanë gjasa më të mëdha për ruajtje të vlerave të traditës, të identitetit dhe të sensit të tyre për krenari dhe dinjitet.StrugaLajm

Shqiptarët, sidomos ata që padrejtësisht mbetën të jetojnë jashtë shtetit amë, një kohë të gjatë nuk kanë pasur kujdesin sistemor për kultivim të vlerave kulturore. Këtë mangësi ata kanë korrigjuar me vetiniciativë entuziaste, ngjashëm me këtë të sotmen.

Libri “Në Tetovë në kërkim të kuptimit” i gazetarit tonë të njohur dhe të vlerësuar, Enver Robellit sjell një risi konceptuale. Ky stil i komunikimit, i prezantimit, i analizës së dukurive shoqëroro-politike ngrihet mbi relacionet tradicionale ndërmjet gazetarit dhe politikanit. Siç dihet ekziston një lloj rivaliteteti ndërmjet gazetarit dhe politikut. Ky antagonizëm shpeshherë është i dhembshëm dhe i rrezikshëm, sidomos për gazetarët hulumtues. Ata kanë një mision të shenjtë që ta vëzhgojnë veprimtarinë e politikanëve, t’i zbulojnë të palarat, abuzimet, gënjeshtrat dhe keqpërdorimet e çfarëdo lloji. Në këtë mënyrë ata i frikësojnë zyrtarët e niveleve të ndryshme që të mos i dorëzohen tundimit që i nxit ata ta shkelin ligjin. Por, raporti ndërmjet gazetarit dhe politikanit di të jetë paranoik, plot dyshime të ndërsjella, pastaj relacion servil, i korruptuar etj.StrugaLajm

Në këtë libër nuk do të gjeni pikanteri të kësaj natyre. Gazetari është në funksion të skanerit, të zbuluesit të dijes, të formimit moral dhe të vetive, të virtyteve apo të ceneve të një politikani. Ai përmes pyetjeve, që në fakt janë minikomente, e nxit bashkëbiseduesin që lirshëm të rrëfehet, nëse ka çka të rrëfejë.

Ky libër sjell një risi: raportin e sinqertë ndërmjet bashkëbiseduesve.

Besoj se kur do ta lexoni librin nuk do të zhgënjeheni.

Edhe njëherë i përgëzoj iniciatorët e këtij përurimi të një libri që në vete ngërthen qëllime fisnike dhe që ofron vlerësime për shumë dukuri shoqërore, politike, kulturore, historike etj.

Lexim të këndshëm!

Me respekt,
Arbën Xhaferi

In : Aktuale

Loading...
loading...