“Një vend pune në Gjermani”,ligj për të parandaluar mashtrimet

Me shpresë se për tre muaj punë në Gjermani do të fitojë më shumë të holla se për një vjet në Maqedoni , më shumë qytetarë drejtohen të punojnë për disa muaj jashtë shtetit, shkruan gazeta KOHA. Punëtorët që kanë fatin të gjejnë një punë sezonale, duke shfrytëzuar edhe njohjet private, që në fund ju paguhet, edhe mund të jenë lumtur, përkundër kompensimit eventual për ndërmjetësimin në punë.

Ekzistojnë raste kur ëndrrat për një punë të paguar bëhen realitet, por jo rrallë ndodhin edhe raste të mashtrimeve përmes premtimeve për kontrata pune jashtë vendit, ku qindra qytetarë gënjehen nga agjencitë që përfitojnë shuma të majme parash nga qytetarët për shërbimet e rrejshme të tyre. Që të parandalohen këto dukuri rekomandohet që qytetarët të bëjnë më shumë kujdes kur bëhet fjalë për punësimin jashtë shtetit duke mbajtur llogari se çka nënshkruajnë.
Njohësit e kësaj problematike, por edhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale thonë se qytetarët duhet menjëherë të paraqesin të gjitha parregullsitë si në Ministrinë e Brendshme ashtu edhe në Inspektoratin e punës, ndërsa presin që ligji i ri që rregullon këtë problematikë, i cili së shpejti duhet të kalojë filtrat qeveritar dhe parlamentar, do të vendos më në fund rend lidhur me ndërmjetësimin për punë jashtë shtetit.

MASHTRIMET E DETEKTUARA

Në ndërkohë, gati që nuk ka muaj që nuk raportohet në Maqedoni për zhgënjim të radhës të studentëve, por edhe të tjerëve lidhur me mashtrimet për punë me letra të rregullta në shtetet Perëndimore. Në verën e vitit të kaluar, sipas raportimit të televizionit lokal në Shtip “TV IRIS”, nga një agjenci për ndërmjetësim me seli në këtë qytet, janë mashtruar qindra studentë për punë në Gjermani. Studentëve nga Strumica, Kumanova, Velesi dhe Shtipi në intervistat për punë iu është kontrolluar niveli i njohurisë për gjuhë të huaj, për çka kanë paguar në dorë nga 2000 denarë. Pastaj disa nga studentët për kompensimin e ndërmjetësimit kanë paguar nga 500 euro, ndërsa të tjerët nga 250 euro, por në fund – intervistat e parashikuara me punëdhënësit as që janë mbajtur ndonjëherë.

Mashtrimi me punën e premtuar në Gjermani është detektuar në datën 15 qershor kur grupi i parë i studentëve është dashur të fillojnë punën në brendin e njohur Zara, megjithatë studentët nuk kanë fituar lejet e premtuara të punës. Nga ana e Inspektoratit të punës është sjellë vendim për ndalesën e punës së agjencisë për punësim brenda dhe jashtë shtetit në kohëzgjatje prej një muaji dhe kërkesë për procedurë për kundërvajtje .

Në 19 janar të këtij viti, I.M. ka denoncuar në polici se është mashtruar për 80 mijë denarë në lidhjen me gjoja punësimin në Gjermani. Sipas MPB-së, I.M. për punën në këtë shtet ka kontaktuar me D.K. pas publikimit paraprak në “Reklama 5”. D.K i ka thënë atij se menjëherë duhet të fillohet me procedurën për pagesën e mjeteve për përkthimin e formularëve nga gjuha maqedonase në gjuhën gjermane, ndërsa pagesa duhet të realizohet menjëherë në llogarinë bankare. Kompetentët po ndërmarrin masa për zbardhjen e tërësishme të rastit.

Lidhur me mbrojtjen e qytetarët të shkaktuara nga mashtrimet eventuale nga ana e disa kompanive jo të përgjegjshme që ndërmjetësojnë për punë jashtë shtetit, për gazetën KOHA, nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale thonë se të gjitha shoqëritë tregtare që ndërmjetësojnë për punë jashtë shtetit, nevojitet që punën e tyre ta harmonizojnë në përputhje me ligjin. Punën e tyre, apo zbatimin e ligjit, e kryen organi shtetëror i autorizuar për kryerjen e mbikëqyrjes inspektuese ose Inspektorati Shtetëror i Punës ku paraqiten të gjitha shkeljet e ligjit.

Lidhur me faktin se si kontrollohet puna e këtyre kompanive dhe marrjes së lejeve për punë të tyre nga kjo ministri thonë se kjo çështje është e rregulluar me ligj.StrugaLajm

“Me ligj përcaktohet se në çilat raste mund t’ju merret licenca shoqërive tregtare të regjistruara si agjenci për ndërmjetësim gjatë punësimit jashtë shtetit. Me marrjen e licencës, agjencia ndërpret me kryerjen e veprimtarisë për ndërmjetësim të punësimit. Marrja e licencës të shoqërive tregtare për kryerjen e ndërmjetësimit për punë jashtë shtetit mund ta kryhet vetëm kur Inspektorati i Punës do të konstatojë parregullsi në punë, pas kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese, në rast se nuk zbatohet ose zbatohet në mënyrë të parregullt ligji që rregullon punën e tyre si dhe kur janë plotësuar kushtet për marrjen e licencës. Nga evidenca e regjistrave që udhëhiqen për këtë lloj agjencish për ndërmjetësim për punë jashtë shtetit deri tani janë fshirë tri agjenci në bazë të punës jo të rregullt” , bëjnë të ditur për gazetën KOHA nga ky dikaster.

ÇKA PARASHOHIN NDRYSHIMET LIGJORE?

Pritet që ndryshimet ligjore që rregullojnë procedurat e punës jashtë shtetit, të vendosin një rend më të madh në punën e agjencive për ndërmjetësim për punë jashtë shtetit, me qëllim të minimizimit të mashtrimeve të ndryshme, por edhe për të mbrojtur në maksimum qytetarët e Maqedonisë që janë të interesuar të punojnë përkohshme jashtë shtetit me dokumente të rregullta.

“Në rrjedhë e sipër është edhe miratimi i Ligjit të ri për agjencitë private për punësim. Me këtë ligj tërësisht do të përcaktohet mënyra e licencimit, kushtet për kryerjen e veprimtarisë për të cilën ato janë licencuar si dhe kushtet për humbjen e licencës për kryerjen e veprimtarisë. Me këtë ligj përfshihet puna e agjencive për punësime të përkohshme, për ndërmjetësim për punësim në vend, për ndërmjetësim për punë jashtë shtetit dhe për punësim në vend dhe jashtë shtetit.”, thonë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale .StrugaLajm

Në ndërkohë njohësit e kësaj problematike thonë se mungesa e një rregullative më të qartë ligjore për punën e agjencive të ndërmjetësimit për punë jashtë shtetit , si dhe mungesa e një kontrolli më të madh të shpalljeve për punë jashtë shtetit shkakton huti të madhe në opinion, si dhe prodhon edhe keqpërdorime gjatë punës jashtë shtetit.

“Presim që Ligji i ri për punën e agjencive që ndërmjetësojnë për punë jashtë shtetit të vendosë rregulla më të qarta të lojës për të gjithë, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Aktualisht shumë gjëra nuk janë të qartësuara sa duhet si në sistemin e ndjekjes së punës, kontrolleve dhe dënimeve më të rrepta e kështu me radhë. Njëherazi edhe pasi të miratohen ndryshimet ligjore duhet pasur kujdes me zbatimin e tyre në praktikë, për shkak se tek ne kemi ligje shumë të mira por ngec shpesh zbatimi i tyre në praktikë”, thotë Norik Selimi, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Agjencive për Punësime të Përkohshme. Sipas tij , ndryshimet e reja ligjore pritet të vendosin një rend më të madh në këtë fushë .

“Ndodh që agjenci të ndryshme turistike të dërgojnë vajza për pushime jashtë shtetit, ndërsa në praktikë i dërgojnë të punë në të zezë përgjatë sezonit turistik në vendet fqinje. Me ndryshimet e reja ligjore, atyre askush nuk ua ndalon të fitojnë licencën edhe për ndërmjetësim të punës brenda dhe jashtë shtetit, por duke respektuar të gjitha obligimet ndaj shtetit dhe klientit që kërkohen me ndryshimet e reja ligjore”, shton më tej Selimi.

Në ndërkohë, raste të mashtrimeve me punë, sidomos në Gjermani, kanë ekzistuar edhe më herët, por janë shfaqur me efekte dhe lloje të ndryshme. Kriza e madhe ekonomike si dhe papunësia e lartë në rajon në vitet e fundit vetëm kanë lehtësuar punën e mashtruesve duke rritur numrin e viktimave potencial si dhe skemave të mashtrimit. Andaj sugjerohet që kur kërkoni punë të zgjidhni me kujdes ndërmjetësin për punë jashtë shtetit.

Raste të tilla të mashtrimit për punë të përkohshme në shtetet perëndimore nuk mungojnë në asnjë nga shtetet e rajonit. Në Shqipëri në vitin e kaluar ndër të tjerash u denoncua rasti i një agjencie që përdorte një skemë të ngjashme me firmat piramidale: me premtimin për kontrata pune jashtë vendit, qindra shqiptarë janë gënjyer nga agjencia e cila ka përfituar shuma të majme parash përgjatë viteve. Në muajin gusht të vitit të kaluar, edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person me akuzën e mashtrimit të vizave të punës në Gjermani.

Edhe në shtetet e tjera të rajonit si Bosnje e Hercegovina, Kroacia , Serbia apo Mal të zi gati për çdo muaj raportohet për mashtrime të ndryshme lidhur me punësimet e përkohshme të qytetarëve jashtë shteteve të rajonit.

MPB: KATËR PADI PËR PUNË TË RREJSHME

Nga Sektori i Punës së Brendshme në Shkup për gazetën KOHA thonë se në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave të tyre, kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete lidhur me veprat penale “mashtrim”, me ç’rast gjatë vitit 2017 dhe në janar të këtij viti janë evidentuar gjithsej 109 vepra penale, për çka janë denoncuar 66 persona.

Nga numri i përgjithshëm i veprave penale “mashtrim”, janë evidentuar katër vepra penale të realizuara nga katër persona dhe një vepër penale “ndihmë gjatë kryerjes së mashtrimit”, e realizuar nga dy persona, kryerësit e së cilës kanë pasur qëllim të përfitojnë në aspekt material në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa me tregimin e fakteve të rrejshme kanë sjellë në huti shtatë persona se: do t’ju mundësojnë punësim sezonal në Mal të Zi; do t’ju mundësojnë punësim si shofer për nevojat e NATO-s në Maqedoni; do t’ju mundësojnë punësim në ambasadën e SHBA-ve në Maqedoni si asistent në projekt; do t’ju mundësojnë punësim jashtë shtetit (pa theksuar destinacionin-shtetin)…

Lidhur me veprat e kryera penale, MPB në kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup ka dorëzuar katër kallëzime penale sipas nenit 247 të Kodit Penal, ku janë theksuar lartësitë e dënimeve në varësi prej dëmit të kryer dhe të njëjtat i përcakton gjykata kompetente, në procedurën e mëtejshme penale nëse e njëjta realizohet. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...