Nuk e harrojnë Dollogozhdën e tyre!

Edhe pse të lindur në dhe të huaj dhe të larguar nga vendlindja e tyre prej shumë vitesh, ata prapë vazhdojnë të mendojnë për vendin e prejardhjes të të parëve të tyre, duke inicuar projekte në shërbim të komunitetit nga vijnë, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në dekadën e fundit dollogozhdarët e mërgatës kanë qenë pjesë e një sërë projektesh të realizuara në fshatin Dollogozhdë, duke iniciuar dhe finalizuar shumë investime të nevojshme për këtë fshat të Strugës që kapin shifrën e qindra mijë frangash zvicerane. Por, një iniciativë interesante dhe shumë kuptimplote nga Shoqata e dollogozhdarëve të Zvicrës përveç aktiviteteve të shumta në funksion të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës dhe traditës në tokë të huaj, është edhe takimi i përvitshëm gjithëpopullor i ideuar si një vendtakim kulturo-sportivë për të gjithë mërgimtarët nga Dollogozhda, që prej vitesh jetojnë në pjesë të ndryshme të Evropës. Vezir Dervishi, kryetari Shoqatës së Dollogozhdarëve në Zvicër, për gazetën KOHA thotë se edhe pse ata si komunitet jetojnë larg vendlindjes, vazhdojnë të interesohen dhe të kontribuojnë për Dollogozhdën, me të gjitha mundësitë dhe format që kemi në dispozicion.

“Shoqata e dollogozhdarëve që vepron në Zvicër, edhe sivjet organizon turnirin e përvitshëm tashmë tradicional në futboll të vogël, i cili do të zhvillohet më 14 maj 2017( 14-05-2017) në Uinterthur prej orës 09:00. Edhe sivjet presin që të marrin pjesë të gjithë dollogozhdarët”, thotë ai.  Shoqata e dollogozhdarëve është themeluar në vitin 1989, ndërsa e regjistruar në regjistrin shtetëror të Zvicrës figuron që nga viti 1991 dhe prej atëherë ka qenë në ballë të nevojave dhe aktiviteteve që i shtronte koha, sidomos në kohën e luftërave të shqiptarëve për liri. Gjithashtu Shoqata e dollogozhdarëve të Zvicrës, përveç aktiviteteve të shumta në funksion të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës dhe traditës në tokë të huaj, është orientuar edhe drejt promovimit dhe mbështetjes së arsimimit të gjeneratave të reja. Prej disa vitesh, kjo organizatë ndan bursa studimi për tre student me sukses më të dalluar nga fshati Dollogozhdë, që kanë vështirësi financiare.(Koha/Strugalajm.com)StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...