BLENDI PETROL
Aktuale

Nurie Mehaj, shoferja shqiptare që drejton një maune 40 tonëshe

Nga Ramiz Lushaj/

1.

E mirënjohura shofere shqiptaro-amerikane Nurije Mehaj, atje në Kaliforni, në perëndim të SHBA, e don kamionin (maune) e saj të tonazhit të lartë 40-tonësh, me një dashuri tejet të veçantë, përndryshe, si të thuash, në simbolikë kange: deri me “dashuri motre”… Ajo i këndon atij “ninullë” e përkujdeset për të si ta kishte fëmijën e vet. I ka thurë kamionit të saj një kangë hymn, një “kangë-hit” (e gjeni dhe në rrjete sociale, si refren, në adresat e saj Nurije Mehaj: Nurije Trucking Yotube.com dhe në Facebook “Grup i hapur” në “Nurije Trucking Mehaj”):

…Fluturo moj motër fluturo-ooo

Kanga Shqiptare po shko-ooo,

Me e grah kamionin –ooo

Male e fusha po i kalo-ooo…

Ajo, gjithnji e gjithandej, e shoqëron kamionin në kilometrazhet e tij nëpër autostradat amerikane me kangë të bukura shqipe, të ojnes së kangëve popullore të Veriut të Shqipërisë, të vendlindjes së saj Hotit të Vendit në Plavë-Gucinë etnike shqiptare. Përngjasojnë në tekst, melodi e zá me ato kangët tipike të çikave malësore të kënduara në qylyre, kanagjeçe e dasma, në vrri e në bjeshkët e Alpeve Shqiptare, që këndohet dhe në autostrada të Amerikës Perëndimore, nga një shofere shqiptaro-amerikane me zotësi të veçanta në drejtimin e menaxhimin e kamionit të saj 40-tonësh.

2.

Nurije Mehaj është e para dhe e vetmja femër shqiptare në botë që prej dy vitesh drejton me zotësi të rrallë një kamion të madh të tonazhit të lartë 40 tonësh.

Ajo, me këtë kamion, lëvizë për transporte pune në autostrada amerikane të Kalifornisë, në këtë shtet ku jeton me familjen e saj, në këtë shtet amerikan mbi dy herë ma i madh se Ballkani Perëndimor për nga sipërfaqja dhe popullsia e tij.

Ajo, me kamionin e saj, me plot përkushtim e shumë sakrifica, udhëton me qindra e mijëra kilometra në fusha të gjana e maleve të larta; në ditë me diell e shi, me borë e ngrica; përgjatë ditëve e netëve, jo vetëm në shtetin e Kalifornisë, por dhe në shtete të tjera në perëndim të Amerikës, në shtetet Arizona, Utah, Colorado, Montana, Oregon, etj.

3.

Kamioni që drejton shoferja shqiptare Nurije Mehaj është i markës së njohur britanike C.R. England Inc (themelues Chester Rodney, Angli, 1920), i prodhuar në kryeqytetin e shtetit amerikano-perëndimor Utah. Mjete transporti të tilla të fuqishme, të tonazhit të lartë, i sheh shpesh në autostradat e SHBA, e, pothuajse gjithëherë me shofera meshkuj.

Kamioni i saj i markës amerikano-britanike (siç duket dhe në foto) e mban ende me sigël e germa kapitale në anglisht, emrin e kompanisë që i ka në zotërim pronësor disa prej këtyre kamionëve të fuqishëm, emrin e kompanisë së madhe “Family Dollar”, e themeluar nga 21 vjeçari Leon Levine para 60 vitesh në Kaliforninë e Veriut, në qytetin Charlotte (qytet me sipërfaqe dy herë ma të madhe vendlindja e saj, krahina e Plavë-Gucisë). Kjo kompani, nën këtë emër themelues, ia mbrrini në historinë e saj të ketë multibillionë dollarë amerikanë, mbi 60 mijë të punësuar e mbi 8 mijë dyqane (shitore) pothuaj në të gjitha shtetet amerikane, u rendit e dyta në SHBA.

Pra, shoferja shqiptaro-amerikane Nurije Mehaj ka në përdorim pune një kamion të marke të njohur britanike, prodhim amerikan, dhe punon në/për një kompani të madhe amerikane.

4.

Nurie Mehaj është shembulli i jashtëzakonshëm dhe i pashoq se si një femër malësore shqiptare arrin të përballojnë jetën e saj me të papriturat e veta të mëdha e vështirësina gjithfarësh që në moshë të re dhe t’i përballojnë e sfidojnë ato gjatë gjithë jetës e rrugëtimit të saj nga Hoti në Alpet Shqiptare, në Europë e, prej një çerek shekulli, prej vitit 1995, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nurije Mehaj, tashma, është nanë me pesë fëmijë të rritur, është gjyshe me nipër e mbesa në Europë e Amerikë. E ka familjen e saj në Kaliforninë Amerikane. Është njeri i besmit të madh te Zoti e fuqitë e saj. Është një shqiptare mjaft atdhetare në mendime e veprime për Kombin Shqiptar. Është një qytetare amerikane çerekshekullore me kontribute pune të saj për SHBA, vendit të cilit i detyrohet për shumçka nga arritjet e lumturimet e saj në dekadat e fundit të jetës së saj.

Nurije Mehaj është e Familjes e Vllaznisë Mehaj të Hotit të Vendit në Plavë-Guci e Amerikë, që kanë emër të mirë e kontribute e atribute të njohura në luftëra që përpara e gjatë Lidhjes Shqiptare e Prizrenit (1878-1881)e deri te Lufta e fundit e Kosovës (1999), me arritje monetare e humanitare në bizneset e tyre në Plavë-Guci e në Amerikë, mjaft të lidhur me vendlindjen e Kombin Shqiptar.

Në emër të të gjitha këtyre e për të gjitha këto, Nurije Mehaj e Hotit, punoi e luftoi me vendosmëri, besim e sakrifica; me aftësitë, shkathtësitë e zgjuarsitë e saj; me forcat e fuqitë e saj, duke arritë të bahet një shqiptaro-amerikane dinjitare e punës dhe e jetës, të jetë e para dhe e vetmja shofere shqiptare në botë që drejton një maune (kamion) gjigant 40 tonëshe, që arrin të thyejnë rekorde të tilla, të kapin të tilla lartësi.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button