“O gurbet i zi”

Nga Shaqir ISLAMI

DIASPORA

Çdo fundvit na gëzon, ndonëse, duhej të ishte e kundërta! Dikur, gëzoheshim për vetëm për Bajram. Sot, është një gëzim tjetërfare; Kërshëndellat dhe Viti i Ri kanë një sharm të dyfishtë, edhe të çmalljes njerëzore, mbase, na e sjellin diasporën tonë të shpërndarë anekënd rruzullit të tokës. Mbushen katundet dhe qytetet gjysmë të boshatisura, nga keq-qeverisja dhe nga zullumi- politik . Këto festa, janë një shkas për të bashkuar familje e farefis; për të festuar dasma e ahengje, por, edhe për t’u ngushëlluar ; e pse jo, edhe për t’u çmall me miq, shokë, e farefis.

Sekush, ka fjalë miradije për gurbetqarët, vetëm shteti jo! Diaspora është shpresa dhe lakmia e qytetarëve që kanë mbetur të plaken këtu. Gurbetqarët tanë, kanë qenë dhe akoma janë të vyeshëm si bletë. Ka ndryshuar shumë, shumë, … gurbetqarizmi. Kanë ndryshuar kohërat; gjenerata e parë ishte thjeshtë krahë pune jo dhe aq e kualifikuar, me mosnjohje gjuhësh dhe me komunikim të cunguar. Prandaj, dhe këngët e gurbetit, ishin vajtushëm! Sot, s’ka më këngë, “O gurbet i zi”!

Sot, është epten ndryshe! Gjenerata e dytë, shumica janë sipërmarrës: ndërtimtarë, hotelierë, nëpunës zyrash dhe administratorë, mjekë dhe inxhinierë, …dhe bile-bile politikanë dhe shkencëtarë me nam. Diaspora ka përparuar shumë, shumë … ndërsa ne mbetëm në klasë, të hutuar dhe pa shpresë!

Siç po dëgjoj, diaspora mbetet medet i ynë i vetëm! Në çdo fushë: ekonomi, shoqëri, politik ë, ata janë me moral dhe gajret, dhe na prijnë për të mbarë. Këtë e prodhon shoqëria në mirëqenie. Dhe është koha, diaspora t’i mbath çyzmet dhe të merr rol aktiv në politikë. Vetëm diaspora ka fuqinë ta pastrojë batakun politik që ushtron zullum dhe edepsëzllëk ndaj fukarasë.

Dy here në vit,diaspora e vërshon vendlindjen me ngrohtësinë dhe me freskinë e mirëqenies dhe mbush vendin me bereqet; edhe pse, si çdo vit ankohen për sjelljen arrogante dhe jomirënjohëse nga zyrtarët e shtetit, të cilët, qysh në ‘prag të shpisë’ nuk tregojnë respekt dhe mirëseardhje për gurbetqarët e rraskapitur nga rrugët e gjata pafund. Pritjet e gjata në kufijtë e shtetit të tyre, u len një shije të hidhur mosrespekti dhe keqtrajtimi.StrugaLajm

Por, shyqyr Zotit, ata, akoma nuk heqin dorë nga vendlindja; me të gjitha banalitetet, ryshfetmarrjet- plaçkitëse, matrapazllëqet dhe provokimet e hidhura që i përjetojnë nga zyrtarë, me ose pa, uniforma edhe gjatë “pushimeve” të tyre në vend. Klasa politike edhe këtë shqetësim të tyre, akoma, as që e bën hesap! Klasa politike dhe shteti e sheh diasporën vetëm si euro ose dollarë, jo si bashkëqytetarë.

Përveç këndvështrimit njerëzorë, diaspora ka një domethënie të fuqishme psikologjike, dhe natyrisht, gati jetike për fushën e ekonomisë. Investimet e tyre në vendlindje vetëm për amvisëritë shtëpiake, ndikojnë dukshëm në rritjen e konsumit vendorë. E mbushin arkën e shtetit që vidhet e zhvatet pa hesap nga politikanët! Diaspora është industria jonë më fitimprurëse,dhe me dekada nuk përan duke sjell begati në vendin tonë. Ndonëse shteti kurrë nuk është treguar zemërgjerë dhe mirënjohës për sakrificat e diasporës, përkundrazi.

NAStrugaLajm

Na mbetëm, edhe pas tre dekadash, në vendnumërim. Të pa shpresë, të dëshpëruar, të poshtëruar dhe të fyer. Asgjë nuk ndryshon kah e mbara, … ekonomia, politika, dhe arsimi; kështu na thonë këta të diasporës, sa herë që vijnë. Nuk shohin ndryshime kah e mbara; për shkak se, me të vërtetë nuk ka.

PISA, pak kohë më parë, na solli një haberin e zi dhe të turpshëm, se e kemi baltosur arsimin. Notat e dobëta të arsimit në çdo nivel, janë notat e klasës politike ogurzezese, na e kanë shkatërruar energjinë sociale, … çdo besim, vlerë, … të shoqërisë sonë. Haberi i zi qe një tërmet i vërtetë moral dhe pse jo, shpirtërorë. Ndërsa, klasës politike nuk i bërri-cërr veshi. Mbase, kjo klasë politike, e shfrytëzon shkollën e çdo niveli si koperativa për të vjelë vota me dhunë psikike, shantazh, dhe kërcënime me bukën.

Kjo nuk është demokraci! Shkollat, nuk janë më shkolla! Shkollat janë grazhde matrapazësh për vjedhje të votës. Kësaj nuk i thonë demokraci dhe shoqëri e lirë. Nuk punësohet arsimtari, por edepsëz i dhunshëm që zhvat vota! Gjithkush, e di fort mirë se çka ndodh me shoqërinë tonë; dhe gjithkush, hesht! Frika dhe fukarallëku e ka paralizuar dhe letargjizuar këtë shoqëri, të dhjerë.

Por, nuk dëgjoj dhe nuk shohë se dikush mërzitet! Askush nuk bëzanë! Hallet dhe telashet e kanë shtrydh energjinë sociale të shoqërisë sonë, sa që, kurkush nuk ka gajle se çka ndodh rreth nesh. Prandaj, jemi zhytur thellë në moçalin e letargjisë dhe apatisë. Shoqëria është aq shumë e katranosur dhe fundosur, sa që, nuk ka takat as të bëzajë. Frika,fukarallëku, ushtrimi i dhunës psikologjike me kërcënime ndaj bukës, … të gjitha këto e shpijnë një shoqëri në maskarallëk dhe batakçillëk.

Ryshfetmarrja është shndërruar në industri më vete, dhe ka rrënuar çdo virtyt njerëzor, për të cilët dikur, të bënte rezil vet mëhalla. Rrena, hajdutllëku, rryshfeti, kapadaillëku, zullumqarllëku, mashtrimi, harami, … na sundojnë me arrogancë dhe na zotërojnë si pronë të tyre. Sot, jemi katandisur dhe kemi baltosur çdo vlerë, fisnikërie dhe qytetarie. Batakçillëku në shoqërinë tonë, e ka lodhur edhe diasporën. Çdo stinë që vijnë, ndeshen me të njëjtat halle dhe telashe, dhe të vetmit,flasin dhe ankohen, me sharje dhe ofendime.

Diaspora dhe na, jemi dy botëra të kundërta. Na urgjentisht kemi nevojë për ndihmën e saj edhe në politikë. Diaspora duhet ta merr hisen e saj në udhëheqjen politike të vendit.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

(marrë nga: koha.mk)


Loading...
loading...