Ose Nutella si në Gjermani, ose bllokojmë tregun!

Cilësia e një pjese të prodhimeve ushqimore dhe mjeteve për higjienë nuk është e njëjtë në anëtaret e vjetra dhe të reja të Bashkimit Evropian. Situata është e ngjashme edhe te shtetet nga Ballkani Perëndimor që pretendojnë të anëtarësohen në BE, mes të cilave është edhe Maqedonia, shkruan gazeta KOHA. Madje edhe shija e artikujve ushqimor që ju rastis t’i blini në shtetet Perëndimore nuk janë me të njëjtën shije me ato te ne, edhe pse janë nga i njëjti prodhues. Shpesh edhe detergjenti i firmës së njëjtë lanë më mirë teshat në shtetet Perëndimore në raport me Evropën Lindore. Për shembull, në tregun Lindor shitet kafe Instant me më pak kofeinë, apo Nutella me më pak lajthia, e kështu me radhë. Këto janë vetëm një pjesë e artikujve ushqimorë që nuk shiten me të njëjtën cilësi në shtetet e Evropës Lindore dhe Perëndimore dhe plasohen jo vetëm në shtetet e rajonit, por edhe në Hungari, Sllovaki , Poloni dhe të gjitha shtetet e tjera që i janë bashkangjitur BE-së në vitin 2004 dhe më vonë. Hulumtimet në Çeki kanë konstatuar se në 24 prodhime të testuara, bile 14 kanë qenë më pak cilësore dhe më të shtrenjta se në Gjermani. Përveç hulumtimit çek, një nga hulumtimet më të njohura për cilësinë e prodhimeve është realizuar në Sllovaki në vitin 2011, që ka treguar të njëjtat rezultate.

 

EURODEPUTETËT KËRKOJNË MASA

Për të mbrojtur konsumatorët në të gjitha shtetet e BE-së, por edhe të Evropës Juglindore, një pjesë e euro-deputetëve nga shtetet e reja anëtare të BE-së, kanë ngritur iniciativë para Parlamentit Evropian që në fund duhet të obligojë prodhuesit nga Bashkimi Evropian që çdo gjë që prodhojnë të kenë cilësi të njëjtë, pavarësisht tregut ku shiten. Por si duket, angazhimet e tyre nuk kanë dhënë rezultate të shpejta, andaj kanë reaguar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe shefat e qeverive të këtyre shteteve. Kryeministri sllovak, Robert Fico, paralajmëroi kufizimin e importit të më shumë prodhimeve gjoja me cilësi më të dobët nga shtetet e tjera të BE-së, në rast se Brukseli nuk ndërmerr hapa për të përmirësuar këtë situatë. Fico para disa javësh ka ripërsëritur pohimet se prodhuesit e huaj në tregun e Sllovakisë dërgojnë prodhime më pak cilësore se në shtetet e tyre amë. Ai i ka dhënë afat Komisionit Evropian deri në vjeshtë që të fillojë të zgjidhë problemin e përbërjes së ndryshme të artikujve ushqimorë dhe prodhimeve, duke kërcënuar njëherazi se Sllovakia do të mund të vendosë embargo të njëanshme dhe të tërheqë artikujt e Evropës Perëndimore nga restorantet sllovake. Krahas Sllovakisë, edhe shtetet tjera Lindore i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të ndërpresë praktikën e kompanive multinacionale ushqimore që në shtetet të ndryshme të shesin prodhime me cilësi jo të njëjtë të të njëjtit brend.

Shtetet Perëndimore e kanë cilësuar këtë problem si të pakuptimtë, ndërsa kompanitë multinacionale janë arsyetuar se ndjekin “shijet specifike” të blerësve në Lindjen e Evropës.StrugaLajm

“Kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, më thotë se disa shtete këtë çështje e trajtojnë si qesharake, ndërsa unë do t’ju pyes: Zotërinj të nderuar, si do të reagonit ju nëse shikon se në detegjentin e juaj ka 20 për qind më pak substancë aktive për larje. Nëse nuk merremi me këtë çështje, atëherë atë dikush do ta keqpërdorë për qëllime politike, andaj këtë më nuk mund ta tolerojmë. Nuk do të tolerojmë që çokollata e të njëjtit paketim dhe çmim të njëjtë të jetë me cilësi më të mirë në Austri se tek ne. Gjëra të tilla e kërcënojnë Unionin, andaj kjo është një çështje e rëndësishme për ne. Nëse vazhdon një praktikë e tillë, unë jam i gatshëm që Sllovakia të ndërmerr masa pozitive diskriminuese”, ka deklaruar kryeministri sllovak Robert Fico.

 

BE TË DËSHMOJË SE NUK EKZISTOJNË QYTETARË TË RENDIT TË DYTËStrugaLajm

Sipas kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, kjo është një çështje ku ne si Komision Evropian duhet të tregojmë se në BE nuk ekzistojnë qytetarë të rendit të dytë. Të gjithë qytetarët kanë të njëjtat të drejta, për shkak se të gjithë kanë të njëjtin dinjitet, ka shtuar Junker. Për momentin nuk ekziston mundësia që BE të rregullojë shpejt dhe në mënyrë të thjeshtë këtë çështje, për shkak se cilësia e prodhimeve është në dorën e agjencive përkatëse nacionale. Megjithatë, është paralajmëruar se Komisioni Evropian në vjeshtë do të dalë me udhëzimet për agjencitë kombëtare që do të duhet të ndihmojnë në gjetjen e rasteve të diskriminimit të konsumatorëve. Nëse kjo nuk do të zgjidhë problemin, është premtuar se çështja do të zgjidhet me ligj. Nga ana tjetër, edhe Rumania u bashkua me disa vende të Evropës Lindore, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të trajtojë me prioritet përdorimin e “standardeve të dyfishta” nga zinxhirët ushqimorë globalë, të cilat shesin prodhime me cilësi të ulët në Evropën Lindore. “Ne duhet të dimë se cilat kompani na trajtojnë si shtetas të dorës së dytë”, tha kryeministri rumun, Mihai Tudose. Asnjë nga kompanitë në fjalë nuk janë ligjërisht përgjegjëse për këtë praktikë, duke qenë se standardet e dyfishta janë të ligjshme në BE, përderisa përbërësit janë të sigurt dhe janë të listuara në etiketat përkatëse të produkteve. Përveç Rumanisë, Bullgaria dhe Kroacia, kanë njoftuar se do të përdorin teste të ndryshme për të përcaktuar nëse produktet e shitura në tregjet e tyre ndryshojnë nga ato të shitura në vendet e Evropës Perëndimore. Bullgaria, e cila ishte ndër vendet e para Lindore që nisi vënien në praktikë të testeve të tilla, deklaroi në fund të qershorit se ekspertët gjetën përbërës të ndryshëm ushqimorë për produkte të së njëjtës markë të shitura në vendet Lindore në krahasim me ato Perëndimore, si në Gjermani apo në Austri. Qeveria bullgare tha se do të nxisë Bashkimin Evropian që t’i japë rëndësinë që i takon kësaj çështjeje. Ministri bullgar i Bujqësisë, Rumen Porozhanov, tha se analizat laboratorike kishin gjetur përbërës të ndryshëm në shtatë nga 31 artikuj identikë të shitur në Bullgari. Gjithashtu, disa shtete të Evropës Lindore, duke përfshirë Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë, Bullgarinë, Kroacinë dhe Rumaninë, akuzojnë zinxhirët globalë të ushqimit për përdorimin e kësaj metode për të shitur prodhime të një cilësie të ulët. Ata duan që Komisioni Evropian të japë zgjidhje të cilat të ndryshojnë mbrojtjen e konsumatorëve të bllokut dhe ligjet e sigurisë ushqimore. Kompanitë e mëdha të ushqimit kanë pranuar se është e zakonshme që të përdoren përbërës të ndryshëm për produkte me të njëjtin emër në vende të ndryshme, por këmbëngulin që produktet e tyre të ndryshojnë për t’iu përshtatur shijeve lokale, sesa për të ulur kostot. Ekonomistët thonë se shitja e prodhime me cilësi të ndryshme është praktikë e kompanive të mëdha, që edhe prodhimin e dedikojnë enkas për këtë treg, me shtrirjen e prodhimtarisë në Evropën Lindore. Sipas njohësve të kësaj problematike, prodhuesit nuk kanë obligim që të shesin mall me të njëjtin kualitet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, por kryesorja është që të respektohen principet themelore që garantojnë sigurinë e prodhimeve ushqimore si dhe tregojnë përmbajtjen e saktë të mallit.

 

NË MAQEDONI KA KRITERE, POR Ç’FARË JANË?

Për shembull, në Maqedoni çdo prodhim që hyn duhet të respektojë standardet që kërkohen sipas Ligjeve të Maqedonisë, duke filluar nga Ligji për ushqim dhe veterinari dhe standarde të tjera. Por pyetja që shtrohet ka të bëjë me kriteret. Ndryshe, dallimin në cilësi të prodhimeve mund ta vërejnë edhe mërgimtarët si dhe qytetarët e tjerë që udhëtojnë te të afërmit e tyre në Evropën Perëndimore, të cilët kanë konstatuar se, për shembull, markat e njohura të çokollatës në tregun e rajonit shpesh kanë më pak kakao se në vendet e Evropës Perëndimore, apo edhe se detergjentet lajnë më dobët se atje, si dhe një sërë anomalish të tjera. Prodhuesit, dallimin e cilësisë së prodhimit të të njëjtit brend e arsyetojnë me nevojat e ndryshme të konsumatorëve dhe shijet e popullatës lokale. Dallimet në kualitet të prodhimeve që shiten në rajon dhe BE vërtetohen edhe me hulumtimet e tregut, që nënkupton se prodhimet janë të përshtatura sipas nevojave dhe kërkesave të ndonjë hapësire gjeografike.

 

In : Aktuale

Loading...
loading...