Osmani: Afrimi na bindi se flijimi i jetës për atdheun është rilindje, jo vdekje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas ceremonisë lamtumirëse të heroit Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielën nga një sulm terrorist, ka thënë se Kosova “është ngritur mbi sakrificën sublime të një populli”.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani shkroi se “ajo po mbahet mbi këtë sakrificë e do të jetojë përjetësisht falë trimave si Afrimi”.

“Afrimi na bindi sërish se flijimi i jetës për  atdheun është rilindje, jo vdekje. Duke rënë për Kosovën ai e përjetësoi jetën e tij”, shtoi ajo.

E para vendit potencoi se tani ai është hero i Kosovës, “bir i saj i shtrenjtë që jeton në altarin e historisë së atdheut”.

“Lavdi heroit Afrim Bunjaku!”.StrugaLajm

Gjatë ditës, Osmani, e ka kujtuar 25 vjetorin e Masakrës së Abrisë.

Osmani ka thënë se 25 vjet më parë, regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviç-it, “pamëshirshëm dhe egërsisht ua mori jetën”, duke masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, fëmijë, pleq, gra e të rinj nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeçe.

“Në këtë ditë kujtojmë edhe heroizmin e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë”, shtoi.

E para vendit theksoi se duhet t’i kujtojmë të gjithë ata që humbëm me dashuri e respekt, dhe le të “punojmë së bashku që autorët e krimit të vihen para drejtësisë!”

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!”, përfundoi.

In : Aktuale

Loading...
loading...