Para se të votojnë..!

Autor: Shkumbin Beqiri

Para se të votojnë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të kenë parasysh se etnia dhe përkatësia partiake e një kryeministri bëhen e pa rëndësishme, kur në vend konsolidohen institucionet shtetërore! Shqiptarët duhet të bëhen bashkë me maqedonasit që të krijojnë asi institucionesh, siç thoshte filozofi i njohur austriak Karl Popper, që edhe nëse në krye të tyre të vijnë njerëz të këqij, të mos mund të shkaktojnë dëm të madh. Këto dy eteni, si më të mëdhatë në vendin fqinjë, kanë përgjegjësinë politike për ta bërë shtetin ligjor një realitet të prekshëm.

Kohëve të fundit, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por gjithandej nëpër botë ka ardhur në shprehje popullzimi si formë e bindjes së masave. Popullizmi para se gjithash është shpërfytyrim i demokracisë, gjë që politikanët e Ballkanit nuk e hezitojnë ta bëjnë në asnjë çast. Propozimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për një kryeministër shqiptar është i njëjtë me premtimin për anëtarësimin e vendit në NATO. Njëjtë siç iu është premtuar shqiptarëve se me anësimin në NATO se do të zgjidhen të gjitha problemet, ashtu në këtë kohë premtohet me kartën e kryeministrit shqiptar. Kur kryeministri i Maqedonisë të jetë shqiptar do të zgjidhen të gjitha problemet. Ky është leximi i mes rreshtave i këtij premtimi, apo narrativa tinëzare e “kryeministrit shqiptar.”   

Liderët e masave, sipas filozofit të njohur spanjoll – Hoze Ortega Gaset premtojnë gjëra, të cilat as ata vete nuk i besojnë. Premtimin për një kryeministër shqiptar të Maqedonisë së Veriut nuk e beson as vet Ali Ahmeti. Çka në të vërtetë tregon ky premtim në një rrethanë politike, e cila nuk është që jep shumë shpresë për qëllime të mëdha? Sikur lideri i BDI-së të besonte vërtetë në këtë ide, do ta kërkonte që në zgjedhjet e para të mbajtura pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit me 2001. Koha në të cilin e ka paraqitur tregon se është i vetëdijshëm për fundin e karrierës së tij politike. Ai është duke  e paraqitur këtë si një qëllim final të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, e që në asnjë mënyrë nuk duhet të  jetë i tillë. Të drejtat e komunitetit shqiptar nuk duhet të reduktohen në një qëllimin të vetëm për të vendosur në krye të qeverisë një politikan shqiptar, i cili në rastin më të mirë, do të ishte produkt i një pazari politik siç dinë ta bëjnë partitë në këtë vend. 

Barazia politike e qytetarëve, si një nga kriteret bazë të demokracisë është e specifikuar në Kushtetutën e Maqedonisë, e që duhet të jetësohet përmes angazhimit konkret të të gjitha komuniteteve. Shqiptarët kanë rolin e tyre dhe duhet të marrin nga ky rend institucional të drejtat që u takojnë. Një ndryshim në sistemin elektoral, do të ishte një nga metodat për ta arritur këtë. Sistemi proporcional me një zonë zgjedhore, do t’i faktorizonte shqiptarët në masën e duhur. Një kërkesë shoqërore si kjo, në asnjë mënyrë nuk do të duhej toleruar të kuptohej si teknikë për t’iu kundërvënë komunitetit maqedonas dhe të tjerëve. Ajo do të duhej të paraqitej si avancim të barazisë politike në një shoqëri multietnike. StrugaLajm

Qyteti i Tetovës është shembulli më i mirë i dëshmisë se udhëheqja e vendit nga një shqiptar nuk garanton progres. Nëse ndodhesh në qendër të qytetit dhe dëshiron të marrësh rrugën për Kërçovë apo Strugë, duhet ta dish me saktësi nga i bije, sepse në të kundërtën nuk ka asnjë shenjë të sinjalistikës rrugore që të orientojë. Planifikimi urban as si nocion nuk ka të bëjë asgjë me këtë qytet, ku lagje të caktuar, i ngjajnë zonave të varfra të qyteteve të Venezuelës.

Në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët nuk guxojnë të bien në gracën e kryeministrit shqiptar. Ata duhet të bashkohen me maqedonasit, për të ndërtuar një shoqëri multietnike dhe shtet ligjor, i cili është në shërbim të të gjithëve. Në këto rrethana kryeministri shqiptar nuk shërben për asgjë tjetër, vetëm për një evidentim historik. Njëjtë sikur në këtë grackë, shqiptarët nuk guxojnë të bien preh e popullizmit as nga partitë tjera të opozitës, të cilat jo në pak raste, dinë të jenë po aq hileqare se sa partia që duan ta mundin në zgjedhje. 

In : Aktuale

Loading...
loading...