Pas Shkupit 2014, vjen Shkupi 2024 me rrokaqiej betoni?

Në këtë hapësirë rreth Vardarit, të madhe sa rreth 10 fusha futbolli, së shpejti mund të mbijnë ndërtesa të larta betoni. Se sa e si do të jenë, ende nuk dihet, por edhe krahas reagimeve të shumta qytetare e të ekspertëve për “vrasje” të hapësirës publike, objektet prapëseprapë do të ndërtohen.

“Kjo është hapësira përballë “Qendrës Tregtare të Shkupit” ku planifikohet që të bëhen ndërtimet. Aktualisht një pjesë është parking, kurse pjesa tjetër është me shtëpi të banuara dhe disa subjekte afariste. Kompania që ka bërë planin për ndërtim është “Bild Urban”. TV21 u përpoq të kontaktojë me ta për të folur si për planin në përgjithësi por edhe për pikat kontestuese, por nuk morëm përgjigje”, njofton gazetari Besir Arifi.

Hollësi për ndërtimin nuk jep as kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq. Di vetëm që në pjesën e parë parashihet të ndërtohen 3 ndërtesa, por për fazën e dytë dhe të tretë nuk është i informuar se çfarë planifikojnë investitorët “MG Feshën” dhe Kisha ortodokse përmes kompanisë “Rinovuesit”.

Me shtëpinë e planifikimeve “Bild Urban”, Komuna Qendër tashmë e ka shkëputur kontratën për shkak të disa mospajtimeve në lidhje me ndërtimin përskaj Vardarit. Përpjekjet e komunës për të ndërhyrë në planifikim, Bogdanoviq thotë se dëshmohen me vendimet për moszbatim të planit urbanistik të miratuar vite më parë. Sukses kishin në 8 plane, por fatkeqësisht thotë ai, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shfuqizoi vendimet komunale.

“Nuk janë në pyetje vetëm mekanizmat e Komunës Qendër. Mekanizmi i Komunës Qendër si sjellës i planit e ka bërë me vendimit për moszbatim. Unë ende konsideroj se ato vendime, e para dhe e dyta, qëndronin, por gjithsesi Gjykata Kushtetuese është maja e gjyqësorit në shtetin tonë dhe thjesht ato vendime duhet patjetër të respektohen. Kjo do me thënë në fuqi janë planet që janë sjellë dhe janë në fuqi”, tha Sasha Bogdanoviq.StrugaLajm

Në këtë rast, hapat e vetëm që do të mund të ndërmarrë komuna, janë kufizimet që jepen për ndërtim, kushtëzimet për çështje që parashikohen me ligj dhe do të shihet që sa më shpejt të sillen Planet e reja Urbanistike, që janë në fazë përfundimtare.

“Kemi takime edhe me njerëzit që jetojnë aty, pronarët dhe me investuesit. Përgjithësisht, do të jem i sinqertë, në të gjitha anketat, në gjithçka që bëjmë, gjithkush dëshiron që në pronën e tij të marrë më shumë, e kjo është e pamundur. Prandaj ne shohim të bëjmë balanc të zhvillimit për të gjithë por njëkohësisht edhe të ruajmë disa principe dhe kjo është e vështirë ta harmonizoni. Thash që kishim sukses në 8 plane, tek të tjerët arritëm deri tek disa hapa por ne vazhdojmë edhe më tej por më juridikisht nuk mund t’i ndalojmë që të punojnë sipas planit të vjetër”, shtoi më tej Bogdanoviq.

Në fillim është folur se do të ndërtohen 3 ndërtesa 60 katëshe, e më pas përflitej se do të jenë 6 ndërtesa me nga 25 deri në 30 kate. Kapaciteti i njerëzve që do të mund të jetonin këtu mund të shkojë nga 5 deri në 11 mijë banorë, që nënkupton se do të përbënte një mini-qytet brenda Shkupit. Se si çfarë do të ndodhë në të vërtetë, mbetet të shihet, nëse autoritetet do të lejojnë që betoni të ngritet në mes të kryeqytetit, ose do të gjejnë ndonjë mënyrë për ta parandaluar.

In : Aktuale

Loading...
loading...