Pesëmbëdhjetë vjet nga mbytja e anies “Ilinden”në liqenin e Ohrit

Saktësisht pesëmbëdhjetë vjet kanë kaluar nga tragjedia në Liqenin e Ohrit, kur gjatë mbytjes së anijes “Ilinden” humbën jetën 15 persona, turistë nga fqinji Bullgaria.

Aksidenti ndodhi në këtë ditë të vitit 2009, në orën 10:30, kur u mbyt anija “Ilinden”, e cila po transportonte 57 pasagjerë në linjën nga Ohri drejt Shën Naumit. Atë mëngjes të së shtunës moti ishte jashtëzakonisht i nxehtë, liqeni i qetë dhe asgjë nuk paralajmëronte fatkeqësinë më të madhe në historinë e lundrimit në Liqenin e Ohrit. “Ilinden” u përmbys dhe u mbyt rreth 250 metra larg bregut të liqenit, pranë autokampit “Eleshac”.

Kapiteni Sotir Fileski, atëherë 23-vjeçar, u arrestua që në ditën e aksidentit, dhe ndaj tij u vendos masa e paraburgimit deri në përfundimin ligjor të çështjes më 5 korrik 2011, kur u dënua me një vit burg. Një rrethanë lehtësuese për Fileskin ishte kërkesa e përfaqësuesit të shtetasve bullgarë që mbijetuan aksidentin, për të dhënë një masë alternative dhe jo një dënim të plotë, me arsyetimin se kapiteni kishte bërë gjithçka që ishte në mundësitë e tij për të shpëtuar sa më shumë pasagjerë në momentin kritik, madje duke rrezikuar edhe jetën e tij.

Gjykata Themelore në Ohër, ku nga 28 shkurti 2011 u zhvillua procesi gjyqësor për aksidentin, në mungesë dënoi edhe përfaqësuesin e autorizuar të kompanisë gjermane të sigurimeve “Lloyd”, Branko Baiq, për neglizhencë në kryerjen e kontrollit teknik të anijes “Ilinden”, e ndërtuar në vitin 1924.

Familjet e të dëmtuarve dhe të pasagjerëve të ndjerë nga anija “Ilinden” njoftuan se kërkesat e tyre për dëmshpërblim ndaj Republikës së Maqedonisë do t’i paraqesin në një procedurë civile, gjë që ende nuk ka ndodhur.StrugaLajm

Autoritetet gjyqësore bullgare, në një proces të veçantë, gjobitën Borjana Georgievën, organizatoren e udhëtimit të turistëve bullgarë në Ohër, me një gjobë prej 4,500 leva bullgare dhe një ndalim dyvjeçar për veprimtari turistike, për shkak se kishte organizuar udhëtimin pa respektuar dispozitat ligjore.

Tetë nga viktimat ishin banorë të komunës Anton, katër nga komuna Pirdop, dhe nga një person nga komunat Zlatica, Mirkovo dhe Ribarica.

Dy javë pas mbytjes, më 19 shtator, anija “Ilinden” u nxor në sipërfaqen e Liqenit të Ohrit. Po atë ditë, anija u tërhoq në kanalin e Studeniçishtës, ku pas hetimit të kryer për gjendjen e saj teknike, ajo qëndron edhe sot, si një dëshmi e heshtur e tragjedisë që mori 15 jetë njerëzore.

Katër vjet më parë, në bregun e Liqenit të Ohrit, pranë kanalit të Studeniçishtës, u zbulua monumenti “Loti i Trëndafilit” në kujtim të viktimave të aksidentit. Monumenti ka formën e një pike që ndahet në dy pjesë, ku njëra zbret poshtë dhe simbolizon lotin, ndërsa tjetra ngrihet lart dhe paraqet një fillim të ri përmes avullimit simbolik të ujit. Në pikën e ujit janë të ndërthurura 15 trëndafila, simbolikë e 15 jetëve të humbura atë mëngjes. Monumenti është ndërtuar nga hekuri i farkëtuar i oksiduar, me një ngjyrë metali që duket sikur është nxjerrë nga uji.

In : Aktuale

Loading...
loading...