Po ikin jo vetëm për paga

Arsyet e ikjes së të rinjve nga vendlindja nuk janë vetëm të karakterit thjeshtë social. Ata ikin edhe nga energjia e madhe negative, pamundësia të ecin para, ikin se nuk kanë kohë të presin që të krijojnë një jetesë më të mirë për familjen e tyre.

Nga Fisnik PASHOLLI

Nuk na nevojiten as anketat ndër të rinjtë që të na kujtojnë se jo vetëm të rinjtë po ikin për çdo ditë, për çdo javë , apo për çdo muaj jashtë vendlindjes së tyre. Mjafton të shohim dhe të bindemi vetë për këtë trend edhe kur kujtojmë klasat shkollore të zbrazëta diku, apo diku tjetër edhe të përgjysmuara, të shohim edhe kafiteritë edhe çajtoret ku se vjen e më shumë po mungon dikush nga shoqëria e dikurshme, apo thjesht të përkujtojmë gjeneratat e shkollës që më shumë komunikojnë në rrjetet sociale apo kanë mundësi të takohen një herë në vit në pushimet e verës, sesa në jetesën e përditshme.

Edhe arat e shkreta dhe tokat e papunuara, edhe dritat e fikura në shtëpitë luksoze në dhjetëra e dhjetëra fshatra të Pollogut, Strugës apo Kërçovës na përkujtojnë zbrazjen e vendit.

Ikin jo vetëm të rinjtë , por edhe moshat e ndryshme , ikin bile edhe nga vendbanime të ndryshme të Maqedonisë së Veriut. Pjesët perëndimore të vendit bile kanë një traditë më të gjatë të kurbetit, mirëpo në vitet e fundit po ikin edhe banorët e pjesëve lindore të vendit. Nëse më parë iknin nga Kumanova, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, apo Manastiri, tani po ikin jashtë edhe nga Shtipi, Pehçeva, Vinica, Dellçeva, Kriva Pallanka , e më shumë qytete të tjera . Me dhjetëra e dhjetëra mijë banorë të kësaj ane bile kanë nxjerrë edhe pasaporta bullgare për tu punësuar dhe akomoduar më lehtë në Perëndim.
Në Maqedoninë perëndimore vite me radhë ndodh fenomeni i martesës për letra për të siguruar një perspektivë më të madhe .StrugaLajm

E tani është dëshpëruese se nuk po ikin vetëm qytetarët që janë të pakënaqur me pagat e ulëta, por se vjen e më shumë ikin edhe mjekët apo programuesit që ankohen për cilësinë e dobët të jetesës, për pasigurinë ekonomike dhe politike për kualitetin e shërbimeve publike ku me vite paguajnë kontribute për shëndetësi dhe nesër kur janë të sëmurë sërish duhet të paguajnë për këto shërbime .

Ikin edhe nga energjia e madhe negative, pamundësia të ecin para , ikin se nuk kanë kohë të presin që të krijojnë një jetesës më të mirë për familjen e tyre. Ikin se nuk kanë siguri për një vend pune të paguar mirë dhe nuk mund të sigurojnë bile as zgjidhjen e çështjes së banimit apo blerjen e një banese, se vozisin vetura të vjetra nga 10-15 vjet, dhe shpesh kanë vështirësi të shijojnë edhe detin apo as që mund mendojnë të shkojnë edhe në pushim vjetor.StrugaLajm

Mbetet që politikanët, por jo vetëm ata , por edhe organizatat joqeveritare, universitetet e kështu me radhë të ofrojnë përgjigje për daljen nga energjia e madhe negative që mbretëron në shoqëri, për mosbesimin se nuk do të bëhet më mirë, për atë se për sukses nevojitet lidhje dhe gjindshmëri dhe jo punë, përkushtim , profesionalizëm dhe ecje para sipas meritave.

Vështirë se do të kemi ndryshime të vërteta nëse nuk ndryshon klima shoqërore, nëse dhe mediat nuk pasqyrojnë më shumë shembujt pozitiv të suksesit, nëse nuk kemi jo vetëm ndryshim të legjislacionit por edhe ndryshim të mentalitetit, nxitje të ambicieve të të rinjve dhe shpërblim për një punë të bërë mirë.

Do të vazhdojë rruga pa kthim dhe bashkimi familjar dhe kurbeti ku e tërë familja jeton dhe punon jashtë shtetit, integrimi gradual i tyre, dhe bile edhe refuzimi për një periudhë afatmesme që edhe të vijnë në vendlindje nga ana e gjeneratave më të reja për shkak se më shumë do të lidhen me jetesën gjermane dhe zvicerane se atë në vendlindjen e babait dhe gjyshit.

Si të mbesim së paku një pjese e të rinjve këtu. Në atë mënyrë kur do të krijojmë një sistem që do të funksionojë mirë, ku njerëzit do të ndjehen të vlerësuar dhe të shfrytëzuar në aspektin më pozitiv të fjalës. Në atë mënyrë ku as nuk do t’ju intereson se kush është kryeministër, ministër apo kryetar shteti, në një sistem ku do të preferohet sipërmarrja dhe puna private dhe ajo e shtetit, në një sistem ku ngjashëm si në perëndim më me rëndësi do të jetë arsimimi cilësor që fitohet në universitetet dhe jo ndarja e tyre në privat apo shtetëror. Dhe ku në fund të fundit në diskursin politik në shtet do të dominon fjalori jo kundër i partive politike ndaj një dukurie, çështje apo problemi , por për çka ato angazhohen që të zgjedhin atë duke ofruar programe dhe masa konkrete dhe të zbatueshme në praktikë në të mirë të shoqërisë dhe qytetarëve. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...