BLENDI PETROL
AktualeKulturë

Portreti krijues i Agim Vincës

Vepra e Agim Vincës është shprehje e vetëdijes më të lartë kritike dhe historiko-letrare. Në fushën e kritikës dhe të studimeve letrare Vinca ka trajtuar nocione kritike e teorike të poetikave të ndryshme, fenomeneve letrare dhe vepra të veçanta të poezisë e të prozës nga tradita dhe moderniteti

Prof. Abdyl KADOLLI

Gjatë dyzet vjetëve të krijimtarisë letrare e shkencore Agim Vinca ka krijuar portretin e tij poetik, shkencor e intelektual, me një individualitet të dalluar. Ai i përket brezit të tretë letrar në letërsinë e sotme shqipe.
Në personalitetin krijues të Agim Vincës është shkrirë bukur prirja poetike me prirjen shkencore. Tekefundit, të gjitha teoritë letrare janë krijuar nga përvoja artistike letrare. Profilin krijues të Agim Vincës e shquan triptiku poetik, historiografik dhe publicistik. Agim Vinca ka hyrë në poezinë shqipe me akuarelet sugjestive e refleksive të jugut.
Lirikat e tij janë dridhje të shpirit, frymëzime të çiltra plot imazhe e vizione simbolike nga jeta, historia e mitologjia. Në lirikat e tij pulson ideali, dashuria, malli,revolta, qëndresa e ironia me freskinë e shprehjes poetike. Aty edhe thjeshtësia sublimohet në poezi.
Agim Vinca ka botuar deri sot gjashtë vëllime poetike: “Feniksi”, 1972, “Bregu i mallit”, 1975, “Buzëdrinas”, 1981 e 1984, “ Arna dhe ëndrra”, 1987, “Kohë e keqe për lirikën”, 1997, “Psalmet e rrënjës”, 2007 dhe tri vëllime të përzgjedhura të poezisë: “Në vend të biografisë”, 1977, “Dri’ “, 1999 dhe “Sonet i vetmuar”, 2001. Poezia e A. Vincës është vlerësuar bukur nga kritika letrare: Rexhep Qosja: “Poezia e Agim Vincës ka edhe muzikë, edhe kuptim.” Dritëro Agolli cilëson individualitetin e tij poetik: “Agim Vinca, kjo pemë e poezisë, mbetet më vete, pa hijen e të tjerëve.” Xhezair Abazi: “ Agim Vinca mbart intensitetin emocional përmes një vargu që i ngjan apoteozës së madhe noliane.”
Lirikat e Vincës tashmë ka zënë vend në antologji të poezisë shqipe, duke hyrë edhe në ato të përkthyera anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht, arabisht, rumanisht, sllavisht etj.
Këtu vlen të theksohen: Robert Elsie, “ Antologji e poezisë moderne shqipe”, 1993 , Aleksandër Zoto, “ Antologji e poezisë shqipe prej fillimeve deri sot”, 1997, Gertruda Ejntrej, “Antologji e letërsisë shqipe” .
Edhe Agim Vinca ka botuar antologjitë “Nga poezia bashkëkohore shqipe…”, Sarajevë, 1985 dhe “Kënga e hapur”, 2005, antologji e parë me perla poetike shqipe, të shoqëruara me vlerësime kritike.
Po ashtu,ai ka përzgjedhur për botim poezitë e Ndoc Paplekës, Koçi Petritit etj.
Agim Vinca konsiderohet sot ndër njohësit e studiuesit më të shquar të poezisë moderne shqipe.
Kritikat dhe studimet e tij letrare, me analiza e sinteza historike, i shquan akribia shkencore dhe qartësia e komunikimit.
Deri sot ka botuar veprat me kritika e studime letrare: “Aspekte të kritikës sonë”, 1977, “Qasje”, 1980, “Orët e poezisë”, 1990 dhe “Fije të pakëputura”, 2004, studimet letrare Struktura e zhvillit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)”, 1985, “Alternativa letrare shqiptare”, 1995 dhe “Panteoni i ideve letrare (prej antikës deri te postmodernizmi)”, 2002.
Akademik Rexhep Qosja ka vlerësuar monografinë e A.Vincës për strukturën metriko-ritmike, semantiko- figurative e tipologjike të poezisë moderne shqipe:  histori e vërtetë e poezisë bashkëkohore shqipe dhe, madje, si një histori e thelluar e kësaj poezie.

Vepra e Agim Vincës është shprehje e vetëdijes më të lartë kritike dhe historiko-letrare. Në fushën e kritikës dhe të studimeve letrare Vinca ka trajtuar nocione kritike e teorike të poetikave të ndryshme, fenomeneve letrare dhe vepra të veçanta të poezisë e të prozës nga tradita dhe moderniteti. Këtu shquhen studimi “Mendimi kritik i Mitrush Kutelit”dhe ato për disidencën letrare të Lame Kodrës, Kasëm Trebeshinës, Petro Markos etj. Agim Vinca e ka trajtuar gjithherë letërsinë shqipe si një dhe të pandarë, pavarësisht nga kufijtë politikë.

 

GLOSË  PËR ÇAMËRINË

Ne shumë pak kemi kënduar për Ty!

(Jo pse s’të kemi dashur, jo pse s’të kemi

njohur).

Pak kemi kënduar…

Po në zemër një vend gjithmonë e kemi ruajtur

për Ty;

një vend bosh, e dashur,

Çamëri!

 

KËNGË STRUGANE

Ti dhe lundra lëvorashe

të dyja me hapa vashe

Ti dhe ky gjoli mavi

keni po të njëjtit sy

Ti dhe e bukura valë

më flisni të njëjtat fjalë.

 

PSALM PËR SHËN NAUMIN

Je tepër i bukur

për të qenë i vërtetë

E tepër mëkatar

për të qenë i shenjtë

Një mallkim i kaltër

ç’po të fle në sy

I mjeri unë për ty!

 

PARADOKS

Kur fola, më thanë: hesht!

Kur heshta më thanë: fol!

Folehesht, heshtefol qe jeta ime.

 

TROKITJE

Tearca, Tanusha, Tetova

Trandshëm trokasin te porta.

Njerëz, vini dorën në zemër

Zemra fillon tek aorta!

 

POETI ME KONE

(Për Lasgushin dhe qenin e tij)

Mesditë gushti. Verë. Vapë e zagushi…

Te café-bar Relax me veten time rri.

Rrufis kafenë ekspres e cigaren thith

Në ajrin e vakët një pulëbardhë klith.

Bën vapë, Lasgush, vapë e zagushi

Te café-bar Relax kuvendoj me ty…

Dhe ti si unë dikur andej matanë,

Veç kones sate – askënd pranë.

Më të flisje, me të qeshje e qaje…

Thonë se dhe shtratin me të e ndaje.

Përballë kam Eseninin, kaçurrelin bjond,

Që qenin e Kaçallovit e qau me lot…

Janë të marrë poetët dëgjon të thonë shpesh

E ndodh dhe t’i gërgasin ca laro e syleshë…

Po sakaq ndër mend një mendim më vjen:

«Më mirë një qen mik sesa një mik qen!»

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.

Te café-bar Relax me veten time rri …

(Strugë, 2016)

 

MADE IN PRISHTINË

Qyteti fle në zjarr e ethe

Bie e ngrihet në kllapi.

Një hënë e zbehtë rend ndër gjethe

Një hënë si pika përmbi i.

Tri herë në ditë ding-dang kambana

Ia pret hoxha në minare:

Ruana Zot! Allah, Allah

Nga djalli që na qiti fare!

E kush është djalli askush s’e di

Kush është shejtan a pejkamber

Hëna baret përmbi çati

Droja troket derë më derë.

Dremit qyteti e njerëzia

S’i heqin sytë nga ekrani.

Vjen shpëtimtari nga Velania,

Vjen dhe mesia nga Dragodani.

Tri herë në ditë ding-dang kambana

Allahu ekber! – lart në minare:

Ruana Zot e Jehova

Nga djalli që na qiti fare!

E kush është djalli askush s’e di

Kush është mesi e pejkamber

Shtatë protektorë, dyqind parti

Trokasin fort derë më derë.

Hape! – thotë njëri. Hape! – dhe tjetri.

Jam Jezu Krishti, Juda, Shën Pjetri.

Jam Shën Mëria, Parajsa vetë.

Zoti, Mesia, Baba dovlet.

Qyteti ka ethe, afsh e zjarrmi.

Hëna ndër gjethe si pika mbi i.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button